Botë

Vriten dy ushtarë turq e plagosen dy të tjerë në Siri

Dy ushtarë turk janë vrarë e dy të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi që ka ndodhur në Sirinë veriore, ka bërë të ditur të dielën Ministria turke e Mbrojtjes.

Sipas Ministrisë, vetura ushtarake e Turqisë ishte sulmuar në një rajon në mes të kufirit turk dhe Aleppos veriore.

Observatori sirian për të Drejtat e Njeriut me bazë në Britani tha se dhjetëra raketa turke u qëlluan në Aleppon veriore, mirëpo nuk pati të lëndimeve. Turqia, megjithatë, tha se shtatë luftëtarë ishin "neutralizuar".

Në njoftimin e Ministrisë turke të Mbrojtjes nuk është bërë e ditur se kush ka sulmuar ndonëse sulmuesit u quajtën “terroristë”.

Turqia ka qenë duke luftuar milicinë kurde siriane “Njësinë e Mbrojtjes së Popullit”, ose YPG. Turqia i konsideron ato si një zgjatim të një grupi kurd i cili ka zhvilluar një kryengritje dekada të gjatë brenda Turqisë.

Turqia nisi operacionin e saj të parë ndërkufitar në Siri në verën e vitit 2016 me synimin për të pastruar grupin e Shtetit Islamik pas disa bombardimeve vdekjeprurëse në Turqi. Operacioni u quajt Mburoja e Eufratit. Turqia kreu tre operacione të tjera në veri të Sirisë, shumica e tyre për të luftuar YPG-në.