Botë

OKB e shqetësuar nga përshkallëzimi i dhunës në veriperëndim të Sirisë

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka shprehur shqetësim të thellë në lidhje me përshkallëzimin e dhunës në veriperëndim të Sirisë, e cila paraqet një rrezik në rritje për civilët.

Farhan Haq, zëvendës zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres ka thënë se luftimet e vazhdueshme kanë shkaktuar vdekje dhe plagosje të dhjetëra civilëve në javët e fundit, përfshirë gra dhe fëmijë.

"Raportet e fundit tregojnë se shtatë civilë, përfshirë tre fëmijë, u vranë në bombardimet e fshatit Beiyloun në pjesën jugore rurale të Idlibit të enjten. Shtatë civilë të tjerë u plagosën, përfshirë një vajzë", deklaroi Haq.

"Sulme të tilla shkaktojnë shqetësime në lidhje me pajtueshmërinë me ligjin ndërkombëtar humanitar, i cili kërkon që palët të marrin të gjitha masat e mundshme paraprake për të shmangur dhe zvogëluar viktimat civile", shtoi ai.

Raportohet se në këtë zonë vetëm të dielën u vranë 13 persona.