Botë

Lufta 50-vjeçare ndaj drogës burgosi miliona amerikanë

Në kohën kur Nixoni po kërkonte të rizgjidhej në kulmin e luftës kundër Vietnamit dhe lëvizjeve të fuqishme afro-amerikane, kriminalizimi i heroinës ishte shteg për t’i shënjestruar aktivistët dhe hippiet. Ekspertët thonë se pasuesit e Nixonit, Ronald Reagan, George H.W. Bush dhe Bill Clinton, i përdorën politikat e luftës së drogës në dekadat pasuese për përparësi të tyre politike, duke çimentuar trashëgiminë e luftës kundër drogës

Kujdesi për oborrin nuk ishte ëndrra e jetës së tij. Si adoleshent, Alton Lucas besonte se basketbolli dhe muzika do ta largonin nga Karolina Veriore dhe do ta dërgonin rrethe përqark botës. Në fund të viteve ’80, ishte dora e djathtë e mikut të tij muzikant, Youtha Anthony Fowler, të cilin shumë këngëtarë të hip-hopit dhe R&B-së e njohin si DJ Nabs.

Mirëpo, në vend se të vazhdonte me Fowlerin në botën muzikore, Lucasi zbuloi drogën dhe tregtinë me të në kohën më të keqe të historisë amerikane – në kulmin e së ashtuquajturës lufta kundër drogës. I varur nga kokaina dhe i dënuar për trafikim narkotikësh, u përball me 58 vjet burgim në periudhën kur abuzimi me drogë dhe dhuna në qytetet kryesore të komuniteteve afro-amerikane nuk shiheshin si çështje e shëndetit publik, siç janë opioidet sot.

Nga burgu në biznes

Mirëpo, krejt rastësisht, ndaj Lucasit u shfaq mëshira. Ai mori një lloje ndihme që shumë afro-amerikanë dhe latinë nuk e morën në periudhën e luftës ndaj drogës: trajtimin, lirimin e hershëm dhe atë që mund të cilësohet si rifillim i jetës.

“Nisa kompaninë për kujdesin e oborreve, sepse të jem i sinqertë me ju, askush nuk do të më punësonte për shkak të krimeve që bëra”, thotë Lucas. Kompania e tij “Sunflower Landscaping” mori një hov të madh në vitin 2019 kur u ndihmua nga “Inmates to Entrepreneurs”, organizatë jofitimprurëse që ndihmon njerëz me të kaluar kriminale, duke u ofruar arsimim dhe praktikë të ndërmarrjeve.

Lucas u kurthua në një sistem që e kufizon atë dhe virtualisht një numër të njerëzve me të kaluar kriminale në drogë, duke u dhënë mundësi të vogla për rehabilitimin e tyre. Pos punësimit, personave me të kaluara kriminale u jepet qasje e kufizuar në hua biznesi dhe në shkollim, të drejta të kujdesit shëndetësor, të drejta të votimit dhe të drejta të mbajtjes së armëve.

Presidenti që i shpalli luftë drogës

Ky është një sistem i themeluar në kohën kur Lucas ishte ende në pelena.

Fiks pesëdhjetë vjet më parë, presidenti Richard Nixon i shpalli luftë drogës. Sot, me Shtetet e Bashkuara të zhytura në epideminë e opioideve që vetëm sa u vështirësua gjatë kohës së pandemisë së koronavirusit, shumëkush shtron pyetjet nëse ka njeri që e fitoi këtë luftë.

Megjithatë, dihet se kush janë humbësit: afro-amerikanët dhe amerikanët latinë, familjet e tyre dhe komunitetet e tyre. Një armë vendimtare e luftës ishte imponimi i dënimeve minimale të detyrueshme me burgim. Disa dekada më vonë, ndëshkimet e vështira në nivelin federal dhe ndryshimet përcjellëse në nivelin shtetëror sollën ngritje të kompleksit industrial të dënimeve me burg, duke futur prapa grilave më shumë se dy milionë persona, kryesisht me ngjyrë. Kështu, atyre u është shuar ëndrra amerikane.

Shuarja e ëndrrës amerikane

Në një hulumtim të agjencisë amerikane AP të të dhënave shtetërore dhe federale të burgosjeve – kryesisht ndërmjet viteve 1975 dhe 2019 – popullata e burgosur amerikane është ngritur nga 240 mijë në 1.4 milion amerikanë. Në mesin e tyre, një në pesë syresh ishin burgosur për shkak të drogës, duke u konsideruar si një prej krimeve më serioze.

Shpërputhjet racore shpalosin një shifër edhe më tronditëse në luftën kundër drogës. Pas dënimeve për të çrrënjosur kokainën dhe llojet e tjera të drogave, u ngrit jashtëzakonisht shumë shkalla afro-amerikanëve të burgosur nga gjashtëqind për 100 mijë banorë më 1970 në 1.808 më 2000. Gjatë së njëjtës periudhë kohore, shkalla e burgosur e popullatës amerikane kërceu nga 208 për 100 mijë banorë në 615, derisa në mesin e të bardhëve shifrat u ngritën nga 103 për 100 mijë banorë në 242.

Gilberto Gonzalez, agjent special i pensionuar i DEA-s, agjencisë që lufton drogën, ka punuar për më shumë se 20 vjet me luftimin e trafikantëve të drogës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Amerikë Jugore. Ai ka thënë se kurrë nuk do ta harrojë se si ishte mirëpritur nga banorët e rrethinave derisa po prangoste përdorues e trafikantë droge në rajonet hispanike të Los Anxhelosit.

“Narco Legenda”

“Kjo më krijoi sensin e realitetit se jeta në këto rrethina ku janë të pafuqishëm sepse frikësoheshin se dilerët e drogës që kontrollojnë rrugën, që kontrollojnë lagjen, do t’u bënte atyre dhe fëmijëve ndonjë të keqe”, ka deklaruar Gonzalez, 64 vjeç. Ai këto përvoja i ka përshkruar në memoarin e tij “Narco Legenda”.

“Ne e kuptuam se bashkë me shpartallimin e organizatave të trafikimit të drogës kishte edhe nevojë reale për spastrimin e komuniteteve, që të shkonim aty ku kishte krim dhe t’i ndihmonim njerëzit”, ka thënë ai.

Megjithatë, qasja e Agjencisë së mbrojtjes së qytetarëve nga dilerët e drogës pati edhe pasoja afatgjata për njerëzit që u reformuan me kalimin e kohës. Lucasi ende hamendet çfarë do t’i ndodhte atij dhe familjes nëse më nuk do të kishte barrën e dënimit të lidhur me drogën si pjesë të dosjes së tij penale.

Megjithëse ka më shumë se tridhjetë vjet që bën jetë të shëndetshme e pa telashe me substancat narkotike, Lucasi, tani 54 vjeç, ende konsiderohet njeri me telashe me ligjin. Gruaja e tij, të cilën do ta takonte rreth dy dekada më parë në një konferencë prindërie, ka thënë se e kaluara e ka penguar që të marrë rol kujdestarie gjatë kohës së udhëtimeve.

“Si dënim i përjetshëm

“Është si dënim i përjetshëm”, thekson ai.

Megjithëse Nixoni i shpalli luftë drogës më 17 qershor 1971, SHBA-ja tashmë kishte shumë përvojë në zbatimin e ndalesave të ndryshme të drogës që nuk kishin dhënë ndonjë rezultat të pritshëm. Ardhja e emigrantëve kinezë në vitet 1800 solli ngritjen e kriminalizimit të opiumit, që emigrantët e sollën me vete. Kanabisi prej “reefer” në “marijuana”, si mënyrë për ta ndërlidhur bimën me emigrantët meksikanë që po mbërrinin në vitet 1930 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në kohën kur Nixoni po kërkonte të rizgjidhej në kulmin e luftës kundër Vietnamit dhe lëvizjeve të fuqishme afro-amerikane, kriminalizimi i heroinës ishte shteg për t’i shënjestruar aktivistët dhe hippiet. Një prej këshilltarëve të Politikës së Brendshme të Nixonit, John Ehrlichman, e pranoi luftën kundër drogës në një intervistë të para 22 vjetësh, të publikuar prej “Harper’s Magazine” më 2016.

Ekspertët thonë se pasuesit e Nixonit, Ronald Reagan, George H.W. Bush dhe Bill Clinton, i përdorën politikat e luftës së drogës në dekadat pasuese për përparësitë e tyre politike, duke çimentuar trashëgiminë e luftës kundër drogës. Ngritja e shkallës së burgosjeve në Shtetet e Bashkuara, zgjerimi i sistemeve private dhe publike të burgjeve dhe militarizimi i forcave policore lokale, të gjitha janë rezultat i luftës kundër drogës.

Përçarja e afro-amerikanëve

Politikat federale, si dënimi i detyrueshëm minimal për shkelje me substanca narkotike, u pasqyruan edhe me legjislacione shtetesh. Deputetët përshtatën edhe heqjen e së drejtës së faljes së krimit, njëherësh duke zbatuar pengesa të tjera punësimit dhe të tjera shoqërore për njerëzit e kurthuar në këtë lëmsh.

Politikat e brendshme antidrogë u pranuan gjerësisht, kryesisht për shkak të përdorimit të drogave të ndaluara, përfshirë edhe lloje kokainash në fund të viteve 1980, shoqëruar me ngritjen alarmuese të krimeve në familje dhe krimeve të tjera të dhunshme në shkallë kombëtare. Këto politika kishin mbështetjen e klerikëve afro-amerikanë dhe grupit të kongresistëve afro-amerikanë, anëtarët e cilit kërkonin zgjidhje dhe burime për ta luftuar dhunën e nxitur nga droga.

"Unë mendoj se njerëzit shpesh e rrafshojnë këtë bisedë", tha Kassandra Frederique, drejtoreshë ekzekutive e Aleancës së Politikave të Drogës, një organizatë jofitimprurëse me bazë në New York, që nxit dekriminalizimin dhe politikat e sigurta të përdorimit të drogës.

"Nëse ishit një udhëheqës afro-amerikan 30 vjet më parë, po kapeni për zgjidhjen e parë para jush", tha Fredrique, i cili është afro-amerikan. "Shumë njerëz në komunitetin tonë thanë: ‘Në rregull, nxirrni këta tregtarë të drogës nga komunitetet tona, hiqni këtë të keqe nga lagjja jonë. Por, gjithashtu na zgjatni dorën në mënyrë që t’i ndihmojmë njerëzit’”.

Dora e rëndë e zbatimit të ligjit erdhi pa burime parandaluese të varësisë, tha ajo. Përdorimi i drogës në komunitet u rrit ndjeshëm më 1985 dhe arriti kulmin më 1989, para se të binte shpejt në fillim të viteve 1990, thuhet në një studim të Harvardit.

“Ja çfarë më bëri droga”

Shitja dhe përdorimi i drogës u përqendrua në qytete, veçanërisht në ato me popullsi të madhe afro-amerikane dhe latine, megjithëse kishte përdorim edhe midis popullatave të bardha gjithashtu. Midis 1984 dhe 1989, përdorimi i drogës u shoqërua me dyfishim të viktimizimeve të vrasjeve të meshkujve afro-amerikanë të moshës 14 deri në 17 vjeç. Rritjet u zvogëluan midis burrave afro-amerikanë në grupmoshat më të vjetra. Deri në vitin 2000, korrelacioni midis kokainës dhe dhunës u zbeh mes fitimeve të pakësuara nga shitjet në rrugë.

Vdekja e Len Biasit mund të ketë qenë një nga ndalesat në spiralen e Lucasit në varësinë dhe tregtinë e drogës. Deri atëherë, ai mund të fitonte 10,000 dollarë brenda katër deri në pesë orë, duke u marrë me të.

"Një nga gjërat që mendova se do të më ndihmonte, që mendoja se do të ishte rehabilitimi im, ishte vdekja e Len Biasit", tha Lucas. "Mendova, nëse ata do të më tregonin prova se vdiq nga mbidoza e pirjes së kokainës, aq sa unë e doja Len Bias, edhe do ta hiqja atë."

"Unë nuk e lashë", tha ai. "Ajo që unë nuk e dija në atë kohë ishte se ky ishte një lloj kimikati tjetër që hynte në trurin tim dhe do të më ndryshonte përgjithmonë", tha Lucas. “Këtu jam në prag të të qenët krahu i djathtë i DJ Nabs. Ja çfarë më bëri droga”.