Botë

UNESCO-ja ia heq Liverpoolit statusin e trashëgimisë kulturore

Liverpooli është zhveshur nga statusi i saj i Trashëgimisë Botërore pasi një Komitet i Kombeve të Bashkuara ka gjetur zhvillime që po kërcënojnë vlerën e bregdetit të këtij qyteti.

Vendimi është marrë, pas një votimi të fshehtë që është zhvilluar nga Komiteti i UNESCO-s, gjatë një takimi në Kinë.

Vetë UNESCO-ja ka bërë të ditur se zhvillimet e fundit në Liverpool, përfshirë planet për ndërtimin e një stadiumi të ri, kanë rezultuar në një “përkeqësim serioz” të kësaj vendodhjeje historike.

Mirëpo vendimi është cilësuar si i pakuptueshëm nga kryetari i Bashkisë së qytetit.

“Titulli ynë si Trashëgimi Botërore nuk ka qenë asnjëherë në kushte më të mira, duke përfituar nga qindra miliona funte investime përreth dhjetëra ndërtesave dhe sferave publike”, ka thënë Joanne Anderson.

Ajo ka shtuar se do të diskutojë me Qeverinë britanike për të parë nëse komuna mund të bëjë apel kundër këtij vendimi i cili siç ka thënë, “vjen një dekadë pasi UNESCO e ka vizituar për herë të fundit qytetin për ta parë atë me sytë e tij”.

Ndërkohë edhe Qeveria ka deklaruar se është “thellësisht e zhgënjyer” me vendimin dhe beson se Liverpooli ende e meriton statusin e trashëgimisë kulturore.