Botë

Të kurthuar në Ballkan

Hamidi, burrë 30-vjeçar afgan, u largua nga kampi i refugjatëve i Morias në Lesbos vitin e kaluar dhe u takua me motrën Nahida, 27 vjeçe, me burrin e saj dhe me dy djemtë e moshës pesë dhe gjashtë vjeç. U bashkuan në territorin e Greqisë dhe udhëtuan përmes Shqipërisë, Malit të Zi deri në Bosnjë. Bashkë me ta ishte edhe një mik i Hamidit, afgan i moshës së mesme, i pamartuar, me të cilin u takua në Turqi. Nga Velika Kladusha, ku po qëndron, familja po përgatitet për atë që mund të jetë pengesa e fundit e madhe në udhëtimin e tyre shumëvjeçar drejt Perëndimit: lumenjtë kroatë

Ambasada e Pakistanit në Bosnjë i shkroi në një e-mail “Al-Jazeeras” se procesi i riatdhesimit, duke përfshirë verifikimin e kombësisë së personit, identifikimin e trupit nga familja dhe transportimin në Pakistan, bëhet "sa më shpejt të jetë e mundur" dhe se rasteve të tilla "u jepet përparësi e veçantë". Ambasada nuk i komentoi rastet specifike të riatdhesimeve.

Barra e kostos, shpjegoi zëdhënësi i Ambasadës, nganjëherë merret përsipër nga Fondacioni OPF, një agjenci qeveritare që siguron ndihmë financiare për familjet e varfra të pakistanezëve që vdesin jashtë vendit.

Një zëdhënës i OPF-it shpjegoi në një email për “Al Jazeera” se agjencia ka koordinuar kthimin e pesë pakistanezëve të vdekur nga Evropa që nga fillimi i krizës evropiane të migrimit më 2015 - një nga Greqia, një nga Sllovenia dhe tre nga vendet e tjera. Agjencia shtoi se nuk kishte "shifra të sakta" se sa kërkesa për riatdhesim janë bërë në vitet e fundit, pasi ajo merr më shumë kërkesa nga Lindja e Mesme dhe nga vendet e Gjirit sesa nga Evropa, ku jetojnë më pak shtetas pakistanezë.

Transporti i trupit bëhet falas nga “Pakistan International Airlines”, linja ajrore më e madhe e vendit, njoftoi OPF, por agjencia ndonjëherë mbështet faturën për Ambulancën nga aeroporti në vendlindjen e të ndjerit. Udhëtimi me ambulancë mund të zgjasë midis 10.000 deri në 15.000 rupi pakistaneze (apo 63 deri 95 dollarë), vlerëson OPF-i, në një vend ku paga mesatare mujore është pak më pak se 19.000 rupi pakistaneze (120 dollarë).

“Situatë absurde”

Zëdhënësit e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) dhe IOM-in në Kroaci thanë se agjencitë e tyre nuk janë të përfshira në riatdhesimet e refugjatëve dhe emigrantëve të vdekur. Shërbimi për Çështjet e të Huajve (SFA), njësi e pavarur administrative brenda Ministrisë boshnjake të Sigurisë, përgjegjëse për disa aspekte të procesit të azilit në vend, shkroi në një email për “Al-Jazeeran” se "nuk është drejtpërdrejt kompetent për riatdhesimin e emigrantëve të vdekur përsëri në vendet e tyre të origjinës”. SFA-ja tha se nuk kontribuoi financiarisht në riatdhesime dhe as nuk kishte statistika se sa emigrantë janë mbytur në lumenjtë e Bosnjës. Sidoqoftë, ajo shtoi se 20 emigrantë kishin vdekur në Bosnjë midis 1 korrikut dhe 31 dhjetorit 2020 për “arsye të panjohura”.

Sidoqoftë, Ministria e Brendshme kroate përshkroi në një email për “Al-Jazeeran” procesin e identifikimit për një refugjat ose emigrant të vdekur në Kroaci, duke detajuar koordinimin logjistik midis policisë, patologëve mjeko-ligjorë dhe ministrive përkatëse të Qeverisë. Emaili nuk përfshinte informacion në lidhje me riatdhesimet dhe ministria as nuk komentoi se si mbytjet dhe vdekjet e tjera aksidentale mund të shmangen në radhë të parë nga një ndryshim në politikat e migracionit.

Të irrituar nga ajo që ata e përshkruajnë si një "situatë absurde", me mungesën e përgjegjësisë së duhur, administratorët e grupit të Facebookut “Të Vdekurit dhe të zhdukurit” thonë se nuk marrin shumë mbështetje nga autoritetet. Ata e hapën faqen në Facebook, sepse "askush tjetër madje nuk po përpiqej të ndihmonte me riatdhesimet".

Rruga e ndërmjetme

Burokracia në vendet e Ballkanit - dhe ndoshta në Bosnjë në veçanti - është e njohur për kompleksitetin e saj, thonë administratorët e grupit të Facebookut. Është një çështje tjetër që e ka bërë jetën edhe më të vështirë për refugjatët dhe emigrantët në rajon.

“Nuk është e qartë se kush ka përgjegjësinë (nëse dikush) në Bosnjë për shumë çështje në lidhje me migrimet. A është shteti (si me ligj), apo BE-ja dhe partnerët e tyre këtu, si IOM, DRC, UNHCR (Agjencia e KB për Refugjatët)… që po drejtojnë procesin që ata i referohen si ‘menaxhimi i migrimeve’", vlerësojnë administratorët.

Në muajt e fundit, ata që kanë për detyrë të "menaxhojnë migracionin" në Bosnjë po vërejnë ndryshim të dukshëm në demografinë e njerëzve që mbërrijnë në vend. Që nga viti 2017, kur refugjatët filluan të mbërrinin në Bosnjë në një numër më të madh, kantoni Una-Sana në veriperëndim ishte vendkalim i një numri të madh të burrave beqarë.

Tani shumë familje po vijnë në Bosnjë nga kampet në Greqi. Disave u janë refuzuar përfundimisht kërkesat e tyre për azil dhe janë të detyruar të largohen nga Greqia. Të tjerë thonë se pritën dy ose tre vjet për intervistën e tyre të azilit në Greqi dhe, të irrituar, vendosën të vazhdonin për në destinacionet e tyre në Evropën Perëndimore. Por midis tyre dhe ëndrrave për një jetë më të sigurt dhe më të mirë në Evropë qëndron Ballkani.

Sfida shtesë

Familjet me fëmijë të vegjël - shumë prej tyre nga Afganistani - përballen me sfida shtesë kur përpiqen të kalojnë lumenjtë. Të gjithë ata që jetonin në kampe në ishujt e Egjeut mbërritën atje me anije, por shumë nuk mund të notojnë fare. Kalimi edhe një herë nëpër ujëra, sado të qeta, mund të rikthejë përvojat e kaluara të traumës që përfshin ujin, siç janë rrënojat e anijes.

Glatz Brubakk, psikiatre norvegjeze, e cila është gjithashtu profesoreshë në Universitetin Trondheim, e pa manifestimin e kësaj traume në Lesbos, ku ajo ka punuar me Mjekët pa Kufij (Medecins Sans Frontieres, ose MSF) dhe me organizata të tjera jofitimprurëse mjekësore, punon vullnetarisht gjatë gjashtë vjetëve të fundit. Ajo aktualisht nuk është në ishullin e Lesbos dhe thekson se po flet me “Al-Jazeeran” mbi baza personale, jo si pjesë e MSF-së.

"Uji është një kujtesë e faktit që jeta e refugjatëve është në rrezik", shpjegon Glatz Brubakk. “Ata janë në rrezik konkretisht kur hyjnë në ujë, ku ata ritraumizohen. Atëherë jeta e tyre është në rrezik në mënyrë kronike, sepse ata nuk janë në gjendje të bëjnë një jetë të duhur. Ne profesionistët e shëndetit mendor e dimë që kjo rrit rrezikun e zhvillimit të çështjeve të rënda të shëndetit mendor”, të tilla si çrregullimi i stresit post-traumatik, ankthi ose depresioni, shton ajo.

Uji – “një traumë tjetër në rrugën e gjatë të traumave”

Duke jetuar në kampe në ishujt e Egjeut, refugjatët që i kanë mbijetuar një kalimi detar traumatik ose të rrezikshëm për jetën nga Turqia, përgjithësisht nuk kanë pasur asnjë mundësi t’i përpunojnë ato që kanë përjetuar. “Nuk ka asgjë në rrethinë ose në mënyrën se si ju trajtoheni nga rojat ose njerëzit lokalë që ju ngacmojnë, për të filluar procesin e shërimit. Ndikimi i traumës sapo rritet ... Uji është një tjetër traumë në një rrugë të gjatë traumash”, shpjegon ajo.

Hamidi, 30 vjeç, një burrë afgan, u largua nga kampi i refugjatëve i Morias në Lesbos vitin e kaluar dhe u takua me motrën Nahida, 27 vjeçe, burrin e saj dhe dy djemtë e tyre të vegjël, të moshës pesë dhe gjashtë vjeç. Askush nga anëtarët e familjes nuk dëshiron të flasë me identitet nga frika e pasojave. Nahida dhe familja e saj kishin qenë në kampin Vial në Chios, një ishull tjetër lindor i Egjeut. Ata të gjithë u bashkuan në territorin e Greqisë dhe udhëtuan së bashku përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe në Bosnjë, së bashku me një mik të Hamidit, afgan i moshës së mesme, i pamartuar, me të cilin u takuan në Turqi. Tani, duke jetuar në qytetin Velika Kladusha, familja po përgatitet për atë që mund të jetë pengesa e fundit e madhe në udhëtimin e tyre shumëvjeçar: lumenjtë kroatë.

Familja është nga Mashhad, një qytet i madh në Iran afër kufirit afgan. Hamid dhe Nahida kanë qenë refugjatë gjithë jetën e tyre - së pari si fëmijë në Iran, duke ikur nga lufta në Afganistan dhe tani si të rritur në Evropën Lindore.

Drejt Gjermanisë

Në jetën e dikurshme në Mashhad, Hamidi punoi si qilimpunues në një fabrikë të vogël, dhe Nahida në një sallon bukurie. Në dhomën ku familja tani jeton në Velika Kladusha, qilima të lirë mbulojnë dyshemenë e dhomës 20 metra katrorë ku gjashtë anëtarët e familjes hanë, flenë dhe jetojnë.

Asnjë nga tetë vëllezërit e motrat (babai i tij kishte dy gra) nuk ka qenë ndonjëherë në Afganistan, por Hamidi thotë se nuk do të ëndërronte ta vizitonte atdheun e prindërve të tij. Daja iu vra atje nga njerëz të panjohur të armatosur dhe gjëja e fundit që Hamid dëshiron të bëjë është të rrezikojë jetën e tij. Ai ka dikë pranë vetes për t'u kujdesur - të fejuarën - një grua afgane me të cilën u takua në Iran dhe jetoi me të në Moria. Ajo po e pret në Gjermani pasi ka marrë azil në Greqi. (Hamidi kurrë nuk mori përgjigje në kërkesën e tij për azil.) Kur Hamidi të mund të bashkohet me të atje, dëshiron të martohen.

Por, përpara se Hamidi të arrijë te nusja e tij, të cilën nuk e ka parë për afro një vit, duhet së bashku dhe me pesë shokët e tij në Zagreb të kalojë në Gjermani, duke kaluar përgjatë rrugës lumenjtë Glina, Kupa dhe Sava. Në kryeqytetin kroat ata planifikojnë të kërkojnë azil dhe pushim në një kamp familjar të refugjatëve, përpara se të vazhdojnë për në Gjermani, ku të gjithë duan të vendosen përgjithmonë. Ata tashmë janë përpjekur që të arrijnë atje.

(Vijon)

Përgatiti: Rexhep Maloku