E zymtë duket atmosfera në mesin e myslimanëve të Kashmirit të kontrolluar nga India në prag të Kurban Bajramit. Zyrtarët e shëndetit publik kanë paralajmëruar për mundësinë e përhapjes së valës së re të koronavirusit. Njëherësh, çmimet janë ngritur shkaku i inflacionit. Myslimanët zakonisht therin dele, deve ose lopë për të përkujtuar testin e besimit të profetit Ibrahim.
Mishi pastaj ndahet me farefisin dhe të varfrit, mirëpo pandemia që ka shkatërruar ekonominë e Indisë e ka vështirësuar edhe mirëqenien e familjeve myslimane. Shumë prej tyre thonë se nuk e përballojnë dot blerjen e kurbaneve. Në tregun e Shrinagarit në Kashmir, tregtari Kurshid Ahmed nuk është i sigurt nëse do t’ia dalë t’i shesë kafshët për festën fetare të sakrificës. Shumica e pyesin për çmimin, por nuk ia blejnë kafshët.
Në Afganistan ndërkaq, qytetarët do të festojnë nën frikën e kthimit të talebanëve, të cilët tashmë kontrollojnë hise të gjera të territorit të vendit pas tërheqjes së trupave amerikane. Talebanët kontrollojnë rreth dhjetë për qind të territorit dhe po vazhdojnë të marshojnë pavarësisht pretendimeve të Qeverisë se e ka kontrollin e plotë të vendit.