Botë

“Halli i vetëm është si të mbijetoni”

“Por, kjo do të thotë që ju jo gjithmonë mund të merrni vendime të mira. Ju mund ta shtyni veten për të notuar më tej sesa do të kishit mundësi, nëse keni frikë nga kapja prej patrullës kufitare. Ju mund të ndërmerrni më shumë rreziqe sesa duhet, ose sesa jeni në gjendje t’i përballoni”, ka thënë për “Al-Jazeeran” Katrin Glatz Brubakk, psikiatre klinike norvegjeze, e cila ka punuar me refugjatët që përjetojnë trauma të lidhura me ujin në ishullin grek të Lesbosit. Dhe shumë refugjatë dhe emigrantë nuk po ia dalin dot përgjatë sfidave nëpër shtetet e Ballkanit

Refugjatët dhe emigrantët kanë qasje inovative për t’i kaluar lumenjtë, taktika të sajuara nga frika ekstreme prej fundosjes që mund të vijë shumë lehtë. Disa thonë se kalojnë me anë të një litari të lidhur në një pemë në anën tjetër, duke lëvizur përgjatë litarit të lidhur dorë për dore. Një person i guximshëm duhet së pari të kalojë vetë për të siguruar litarin për të tjerët. Të tjerët përdorin goma makinash të hedhura si pajisje notimi. Ata që nuk mund të gjejnë ose mbajnë goma futin shishe bosh me lëng nën sqetull, duke u lutur që t'i mbajnë ato mbi ujë, shkruan “Al-Jazeera” në vazhdimin e rrëfimit për sfidat e emigrantëve dhe refugjatëve afrikanë e aziatikë që përshkojnë shtetet e Ballkanit për të kaluar në brendësi të kontinentit evropian.

Rrjedha të rrëmbyeshme

Disa nga lumenjtë që i kalojnë kanë shtretër të gjerë deri në 30 metra dhe rryma të shpejta, por disa kanë rrjedha të ngadalshme dhe vetëm dy ose tri metra të thellë. Por shumë nga ata që kalojnë janë notarë të dobët ose nuk dinë fare të notojnë. Ndërsa përpiqen të përshkojnë lumenj kryesisht natën për t’iu shmangur policisë, ka pak shpresa për ndihmë nëse dikush nis të fundoset.

"Është errësirë, ju keni frikë tashmë, kështu që mobilizoheni. Fokusi juaj i vetëm është të mbijetoni”, shpjegon Katrin Glatz Brubakk, psikiatre klinike norvegjeze, e cila ka punuar me refugjatët që përjetojnë trauma të lidhura me ujin në ishullin grek të Lesbosit.

“Por, kjo do të thotë që ju jo gjithmonë mund të merrni vendime të mira. Ju mund ta shtyni veten për të notuar më tej sesa do të kishit mundësi, nëse keni frikë nga kapja prej patrullës kufitare. Ju mund të ndërmerrni më shumë rreziqe sesa duhet, ose sesa jeni në gjendje t’i përballoni”, vazhdon ajo për “Al-Jazeeran”.

Dhe shumë refugjatë dhe emigrantë nuk ia dalin dot.

Dëshmitë e botuara nga BVMN-ja nga emigrantët që kanë përjetuar dhunë nga policia kufitare janë të mbushura me histori fundosjesh. Në qershor 2019, për shembull, një grup maroken kërkoi me orë të tëra kot për mikun e tyre që u fundos në lumin Kolpa përgjatë kufirit Kroaci-Slloveni. Një burrë algjerian raportoi gjatë dimrit të vitit 2018 që oficerët e policisë ia mohuan të drejtën për ta parë trupin e mikut të tij, i cili ishte mbytur në lumin Reka të Sllovenisë ndërsa ishin "në lojë" – fjalë që emigrantët dhe refugjatët e përdorin duke iu referuar sipërmarrjes së rrezikshme të kalimit të lumenjve e kufijve përgjatë shteteve drejt Evropës Perëndimore.

Pjesa e parë:

 

“Poshtërim brutal e çnjerëzor”

Pastaj ka dëshmi të shumta të refugjatëve dhe të emigrantëve të cilët thonë se policia kroate i detyroi të hyjnë në një lumë – një vend i zakonshëm për këtë, thonë ata, është lumi Korana, afër qytetit boshnjak Sturlic në kufirin kroat-boshnjak.

"Abuzimi dhe poshtërimi i emigrantëve dhe refugjatëve po bëhet më brutal dhe më çnjerëzor", thotë Ilarija Bashiq nga organizata DRC. “Njerëzit e intervistuar nga DRC-ja thanë se policia po sillej dhunshëm, duke i rrahur ata, hequr rrobat e shkatërruar sendet e tyre personale dhe duke i shtyrë drejt lumit, edhe pse ata njoftuan policinë se nuk mund të notonin”, ka thënë ajo për televizionin “Al-Jazeera”.

"Fatkeqësisht, mungesa e rrugëve të sigurta dhe ligjore për migracionin po i shtyn njerëzit gjithnjë e më shumë të drejtohen rrugëve më të rrezikshme, klandestine”, shton Bashiq.

Rreziqet e tjera – arinjtë e minat

Në vitet e fundit janë bërë përpjekje sporadike nga aktivistët lokalë për t’i ndihmuar ata që janë në gjendje të vështirë përgjatë këtyre "rrugëve klandestine". Info Kolpa, organizatë me qendër në Lubjanë, e cila përqendrohet në gjurmimin dhe dokumentimin e dhunës kufitare ndaj refugjatëve, krijoi një linjë telefonike për shqetësime në WhatsApp në verën e vitit 2018, sepse organizatorët e saj kishin një "dyshim shumë të fortë për shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, që kërkonte shpjegim", thotë Miha Turk, zëdhënës i grupit, i cili është gjithashtu pjesë e BVMN-së.

Info Kolpa hapi linjën WhatsApp për refugjatët dhe emigrantët që kishin hyrë në territorin e Sllovenisë së bashku me një kompani juridike jofitimprurëse, për të cilën Turk thotë se do të preferonte të mbetej anonime për shkak të politizimit të natyrës së punës së saj me azilkërkuesit. Në ditët e para, refugjatëve dhe emigrantëve që jetonin në shtetet e tjera të Ballkanit të cilët dëshironin të bënin kërkesë për azil në Slloveni, iu dha numri dhe u udhëzuan të dërgojnë një mesazh pasi të kishin arritur në vend; më vonë, lajmet e linjës telefonike u përhapën gojë më gojë, shkruan “Al-Jazeera” në hulumtimin e gjatë. Kur njerëzit kontaktonin, vullnetarët pyesnin për kombësitë e tyre dhe nëse donin të kërkonin azil aty përpara se të kalonin në vendin e tyre. Të dhënat e tyre dorëzoheshin tek autoritetet, të cilat më pas kishin për qëllim t’i dëgjonin kërkesat e tyre për azil dhe t'i regjistronin ata si azilkërkues.

Megjithatë, grupi ndaloi linjën e telefonit vetëm pas disa muajsh. "Sllovenia është ende mjaft liberale", shpjegon Turk, "dhe gjatë gjithë punës sonë ne kurrë nuk kemi qenë të frikësuar... Por, ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm në kuptimin juridik”.

Me këtë ai do të thotë që kontakti me refugjatë dhe emigrantë të padokumentuar në Slloveni, të cilët ende nuk kanë kërkuar azil, "është në kufirin midis kontrabandës dhe ndihmës. Ju jeni gjithmonë në mes”.

Kur ndihma mund t’ju kushtojë me burgosje

Turk tregon nenin 308 të Kodit Penal slloven, i cili u referohet atyre që kalojnë kufijtë shtetërorë në Slloveni. Një paragraf penalizon cilindo që "kontrabandon të huajt që nuk kanë leje për të hyrë ose qëndruar në Republikën e Sllovenisë, i transporton ata ose i ndihmon të fshihen, ose që kontrabandon dy ose më shumë të huaj të tillë përtej kufirit për pagesë", gjobitet dhe mund të dënohet deri në pesë vjet burgim. Një paragraf tjetër parashikon të njëjtin dënim për këdo që "organizon migracionin e paligjshëm", një klasifikim i gjerë. Turk i ka thënë “Al-Jazeeras” se nëse vullnetarët shihet se po këshillojnë emigrantët në Bosnjë, Kroaci ose gjetkë të "shkonin në veri", aktivistët mund të përballen me ndjekje penale në Slloveni sipas Nenit 308.

“Kishte njerëz të mbërthyer në këneta dhe në pyje në Kroaci dhe ne nuk mund t'u përgjigjeshim atyre. Ne as nuk mund t'i udhëzonim, edhe pse e dinim se ku ishin, sepse ishim të kufizuar shumë nga rregullat, shumë të rrepta, sipas të cilave nuk duhet të kishim kontakte me njerëz derisa ata të hynin në territorin e Sllovenisë. Mund të jetë mjaft traumatike”, shtjellon Turk.

Info Kolpa përfundimisht mbylli linjën e telefonit, sepse mori vesh se "thjesht po ndihmonin policinë" për t’i lokalizuar refugjatët dhe emigrantët. Ndonjëherë, pasi u dërgonin autoriteteve vendndodhjet e atyre që dëshironin të aplikonin për azil, vullnetarët e Info Kolpasit zbuluan se të njëjtët njerëz përfunduan përsëri në Bosnjë – u kthyen në atë që njihet si "kthim zinxhir". Në fund, thotë Turk, linja telefonike u "jepte shpresë të rrejshme" njerëzve që dëshironin të aplikonin për azil në Slloveni.

“Ndihmë e rrejshme”

Në fund të fundit, megjithatë, Turk nuk mendon se duhet të jetë e nevojshme një linjë telefonike e rrezikshme.

“Terreni i Ballkanit është ai që është. Njerëzit kanë udhëtuar për mijëvjeçarë të tërë. Tani ekziston një komponent politik. Njerëzit janë të detyruar të kalojnë nëpër terrenin më jomikpritës, sepse vendet e tjera nuk janë të sigurta për shkak të pranisë së policisë. Ose prisni që autoritetet sllovene ose kroate ta respektojnë ligjin, ose përpiqeni të shkoni në të egra ku ka arinj dhe miniera… Nëse do të kishte vullnet politik – për të operuar misione kërkimi dhe shpëtimi – nuk do të kishte nevojë për to”, thotë ai, duke theksuar se qeveria gjithmonë arrin të "shpëtojë qindra turistë të bllokuar në male" si pjesë e guidave turistike.

Në fund të fundit, autoritetet sllovene dhe kroate po shkelin ligjin e BE-së, thotë Turk, duke i kthyer azilkërkuesit përsëri përtej kufijve pa i lejuar të paraqesin kërkesë azili, një e drejtë themelore e parashikuar në të Drejtën Ndërkombëtare. Pyetjet nga “Al-Jazeera” për autoritetet përkatëse rreth kthimeve të tilla që ndodhin si në Kroaci dhe Slloveni mbetën pa përgjigje.

"Njerëzit janë më të gatshëm të rrezikojnë të vetëlëndohen sesa t'u besojnë autoriteteve për të vepruar sipas ligjeve", përfundon ai.

(Vazhdon)

Përgatiti: Rexhep Maloku