Shtetet e Bashkuara vendosën pas gati 20 vjetësh t'i jepnin fund luftës që e filluan pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 për t’i kapur Osama bin Ladenin dhe terroristët e “Al-Qaedas”, të cilët i udhëhoqi. Por, gjithashtu për të stabilizuar dhe demokratizuar vendin. Pjesa e parë e misionit pati sukses, por pjesa e dytë dështoi me të madhe. Talebanët tani kanë siguruar kontrollin e hiseve të mëdha të vendit. Talebanët ngritën të mërkurën flamurin e tyre në njërën prej pikave kufitare ndërmjet Afganistanit dhe Pakistanit. Gratë, me të drejtë, po i druhen më së shumti kthimit të terrorit
Videoja e telefonit celular është e shkurtër, por ju mund të dëgjoni frikën, madje edhe panikun në zërat e njerëzve që presin. Ata po ngjiten në aeroplanin e vogël. Askush nuk dëshiron të ngelë prapa. Një njeri i vetëm më në fund i kalon njerëzit e sigurisë dhe nxiton për në aeroplan. Personi që filmon shpjegon: "Ai ishte një senator" - një anëtar i Dhomës së sipërme të Parlamentit në Kabul. "Këta janë anëtarë të Parlamentit, përfaqësues nga Këshilli i provincës dhe komandantë”, shkruan revista gjermane “Der Spiegel” në shkrimin e gjatë për frikën e kthimit e Afganistanit në duar të militantëve talebanë.
“Vietnami i dytë”
Ditët e fundit, skenat dramatike në Faizabad, kryeqyteti i krahinës malore të Badakhshanit, kanë qenë një moment kritik për Qeverinë e Afganistanit, shkruan gazeta e përjavshme. “Ato të kujtojnë fotografinë ikonike të shkrepur gjysmë shekulli më parë, kur një nga helikopterët e fundit amerikanë u ngrit nga Vietnami i Jugut, duke lënë pas aleatët e dëshpëruar”.
Ngjarjet në Faizabad kanë rëndësi të madhe simbolike dhe përforcojnë një dyshim që ka kohë që është ngritur: Një ditë, së shpejti, elitat aktuale në Kabul gjithashtu mund të largohen nga talebanët në përparim, kujton gazetari Christoph Reuter.
Ai kujton se si ka kohë që ekziston frika në Washington se udhëheqja afgane dhe trupat e saj do ta kishin të vështirë të mbanin veten kundër talebanëve sapo trupat e NATO-s të largohen. “Washington Post” kohët e fundit raportoi për një vlerësim të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara që parashikon që lidershipi afgan mund të zgjasë vetëm për gjashtë muaj, mbase një vit, pas tërheqjes përfundimtare.
Misioni i dështuar
“Ora filloi të trokasë më 2 korrik, në 3:00 të mëngjesit me kohën lokale, kur avioni i fundit u ngrit nga fusha ajrore Bagram në veri të Kabulit. Amerikanët as nuk u thanë afganëve paraprakisht se po largoheshin – ata thjesht u zhdukën. Kur ushtria afgane më në fund mbërriti disa orë më vonë, atyre tashmë iu desh t’i përzënë plaçkitësit e parë nga baza. U deshën vetëm disa orë që turma e kapluar nga paniku të mbërrinte në aeroportin Faizabad”, përshkruan “Der Spiegel”.
Pavarësisht nga analizat e tyre shumë të qarta të rrezikut, Shtetet e Bashkuara vendosën, pas gati 20 vjetësh, t'i jepnin fund luftës që e filluan pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, fillimisht për të ndjekur Osama bin Ladenin dhe terroristët e “Al-Qaedas”, të cilët ai i udhëhoqi. Por gjithashtu për të stabilizuar dhe demokratizuar vendin në planin afatgjatë me partnerë, përfshirë Gjermaninë. Pjesa e parë e misionit pati sukses, por pjesa e dytë dështoi kryesisht. Talebanët tani kanë siguruar kontrollin e pjesëve të mëdha të vendit. Të mërkurën, BBC-ja raportoi se talebanët ngritën flamurin e tyre në njërën prej pikave kufitare ndërmjet Afganistanit dhe Pakistanit.
Përparimi në të gjitha frontet
“Ata përparuan me shpejtësi në Faizabad, përreth qytetit, ndërsa njëkohësisht pushtuan pothuajse gjithë provincën. Deri më 14 korrik morën kontrollin në 26 nga 28 rrethet dhe kishin rrethuar dy të tjera. Zonat e tjera, veçanërisht në veri, gjithashtu po bien në duart e talebanëve me një shpejtësi gjithnjë në rritje. Vetëm gjatë javës deri më 5 korrik, talebanët morën kontrollin edhe të 38 nga 407 rrethet e Afganistanit, apo gati një të dhjetën e vendit. Në tërësi ata tani kontrollojnë gati 200 rrethe, me rreth 120 të tjerë të rrethuar. Dhe pothuajse askund ata nuk kanë triumfuar aq shpejt dhe aq rrënjësisht sa në Badakhshan”, shkruan reporteri “Reuterit”.
Më 3 korrik, të gjitha fluturimet tregtare nga Kabul për në Faizabad u pezulluan deri në një njoftim tjetër. Pastaj filluan përpjekjet me gjysmë zemre për evakuimin, të cilat u dëshmuan në video. Dëshmitarët në aeroport pretendojnë se qeveria dërgoi vetëm një aeroplan. GIZ-i, organizata gjermane e ndihmës për zhvillim, e vetme mori me qira pesë avionë nga flota e Kombeve të Bashkuara për ta sjellë të sigurt stafin e tij lokal, përshkruhet në shkrimin e “Der Spiegelit”.
Dorëzimi i shtetit
Betejat e ashpra shpërthyen rreth Faizabadit, me dhjetëra të vrarë. Por, në shumicën e rretheve nuk kishte raportime për luftime. Talebanët sapo marshuan pa rezistencë. Ushtria, policia, milicitë lokale – disa prej tyre të krijuara vetëm kohët e fundit – thjesht u dorëzuan, shkuan në shtëpi ose ikën. Sipas ushtrisë së Taxhikastanit, mbi 1.037 forca afgane kërkuan shpëtim përtej kufirit në vendin fqinj. Dhe ata nuk ishin të parët që ikën.
"Qëndrimi do të ishte vetëvrasje”, tha një ushtar që ishte larguar tashmë në Taxhikistan me një valë të hershme. "Fatkeqësisht, shumica e rretheve iu lanë talebanëve pa ndonjë luftë", i tha Mohib-ul Rahman, anëtar i Këshillit provincial, Radio Evropës së Lirë.
"Dy helikopterë morën vetëm njerëzit me uniformë, ushtarë dhe policë”, i tha “Der Spiegelit” një anëtar i milicisë, i cili kishte dezertuar: "Ishte e qartë për të gjithë se ka marrë fund. Disa ikën, të tjerët thjesht shkuan në shtëpi. "Të gjitha raportet me ata që i kemi në Badakhshan dhe nga me ata që kanë shpëtuar në Kabul konfirmojnë atë që po komunikojnë kanalet propagandistike të talebanëve: talebanët po përparojnë kudo. Në shumë raste, trupat qeveritare lanë automjetet, armët dhe municionin. E vetmja fjalë është se qeveria thjesht e ka braktisur rrethin.
Në Kabul, megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Fawad Aman, deklaroi se “zonat e gjera u pastruan nga terroristët talebanë në periferi të Faiz-Abadit". Më vonë ai postoi katër fotografi nga qyteti si provë se ende shteti ende kishte kontrollin. "Njerëzit vazhdojnë të jetojnë pa frikë nga terroristët talebanë".
“Por, nuk kishte asnjë fjalë për humbjen e menjëhershme të pothuajse gjithë provincës dhe rënies së pritshme të qytetit. Kishte vetëm fjalë për fitore – madje edhe në zonën tjetër luftarake ku talebanët aktualisht po përparojnë”, shkruan “Reuter.”
Elita politike, jashtë realitetit
Në të vërtetë, zëdhënësi, e gjithë qeveria, presidenti Ashraf Ghani dhe elita politike në Kabul, duket se jetojnë jashtë realitetit. Në Kabul politikanët kanë punuar për muaj të tërë për ta finalizuar formimin e një këshilli suprem të shtetit, që do të kishte autoritetin për të kryer negociata paqësore me talebanët në të ardhmen. Por, procesi është vonuar në mënyrë të përsëritur, pjesërisht për shkak të përçarjeve midis elitës së Kabulit.
“Der Spiegel” vlerëson për 20 vjet se qeveritë që ndryshuan në Kabul i thanë vetes me besim se amerikanët do të qëndronin përgjithmonë. Ata besojnë se interesat sekrete të SHBA-së në Afganistan – burimet e saj minerale të trilluara, aspiratat gjeopolitike ose një mori stimujsh të tjerë të mundshëm – ishin thjesht shumë të mëdha, thuhet në shkrim. “Kjo e bëri më të lehtë për ta që të përçmonin pushtuesit e tyre amerikanë, duke i fauturuar për gjithçka. Afganistani ishte i okupuar, do të thoshin ata, dhe Kabuli nuk ishte përgjegjës për asgjë”.
Rikthehet terrori për gratë
Politikisht, talebanët po kërkojnë ta promovojnë veten e tyre si përfaqësues të të gjithë afganëve dhe jo vetëm si udhëheqës të pashtunëve. Guvernatori i tyre në hije për provincën Takhar është një uzbek dhe komandanti ushtarak për ofensivën veriore është një taxhik. Një delegacion i lartë i talebanëve kohët e fundit udhëtoi në provincën Day Kundi për t’i siguruar shiitët hazara që jetojnë atje se asgjë nuk do t'u ndodhte, tregon gazetari i “Reutersit”, duke kujtuar se vetëm 20 vjet më parë ata u persekutuan dhe masakruan nga talebanët si heretikë.
“Por, çfarë në të vërtetë është ndryshimi i besueshëm dhe çfarë përbën vetëm mashtrim? Ka frikë të madhe në mesin e miliona afganëve dhe mungesa e informacionit nga rrethet e largëta e nxit atë frikë. Po qarkullojnë video celularësh të grave që fshikullohen nga talebanët për ‘sjellje të pamoralshme"’ të burrave individualë që ekzekutohen. Disa nga njerëzit që kanë ikur në Kabul përshkruajnë veprime hakmarrjeje”, shkruan “Der Spiegel”. “Dekretet e lëshuara nga udhëheqësit lokalë të talebanëve ua ndalojnë grave të largohen nga shtëpia pa një mashkull të familjes dhe shkollat e vajzave janë mbyllur”.
"Por, çfarë çare kemi?” – pyet militanti nga Badakhshani, i cili kishte parë se si ushtarët dhe oficerët e policisë u arratisën me helikopter. "Qeveria po na e kthen shpinën, trupat e huaja janë larguar, pothuajse të gjithë kufijtë janë të mbyllur. Çfarë duhet të bëjmë?”
Përktheu: Rexhep Maloku