Botë

Të paktën 64 të vrarë në një sulm ajror në Etiopi

Të paktën 64 njerëz janë vrarë dhe 180 janë plagosur në një sulm ajror në Etiopi në një treg në rajonin e shkatërruar nga lufta Tigray, sipas një oficeri shëndetësor lokal.

"Sulmi ajror ishte në zonën e tregut, shumë njerëz u plagosën", ka thënë Mulu Atsbaha, një këshilltar i administratës rajonale Tigray për shëndetin e nënës dhe fëmijës të enjten.

Atsbaha ka thënë se numri i të plagosurve dhe të vdekurve ishte mbledhur nga banorët e qytetit Togoga, duke u konfirmuar nga autoritetet lokale.

Zëdhënësi i ushtrisë së Etiopisë ka thënë të enjten se ushtria kreu sulmin ndaj Togoga, por shtoi se luftëtarët rebelë ishin shënjestra.

"Ne nuk e pranojmë që ky operacion shënjestroi civilët", ka thënë kolonel Getnet Adane, duke këmbëngulur që të plagosurit ose të vrarët ishin luftëtarë "me rroba civile".

Por të mbijetuarit dhe punonjësit shëndetësorë përshkruan shpërthimet ajrore që godisnin një treg me plotë njerëz, duke vrarë dhe plagosur dhjetëra, duke përfshirë fëmijë.

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për një hetim urgjent mbi sulmin.

Sulmi erdhi ndërsa numërimi i votave ishte duke u zhvilluar pas zgjedhjeve kombëtare të së hënës në Etiopi. Sidoqoftë, konflikti në Tigray do të thoshte se nuk u mbajtën zgjedhjet atje dhe rajoni ka parë një rritje të luftimeve ditët e fundit.

Kryeministri Abiy Ahmed dërgoi trupa në Tigray në nëntor për të rrëzuar udhëheqjen disidente rajonale, duke premtuar një fitore të shpejtë.

Por gati tetë muaj më vonë, luftimet vazhdojnë, e cila ka shkaktuar një krizë humanitare me paralajmërimin e KB-së se 350.000 njerëz janë në prag të urisë.