Duke bartur pankarte që bënin thirrje për liri të Katalonjës, liderët e burgosur për rolin e tyre në referendumin e pavarësisë të 2017-s, janë liruar nga burgu të mërkurën, pasi që qeveria e miratoi faljen e tyre.
Shtatë nga nëntë liderët e falur janë pritur para burgut nga shefi i qeverisë së Katalonjës, Pere Aragones. Lirimin e kanë cilësuar si fitore të vogël, por kanë bërë thirrje për amnisti, të cilën janë shprehur të bindur se do ta arrijnë. Liderët katalonjas po kërkojnë amnisti të plotë për të gjithë ata që përballen me drejtësinë shkaku i shpalljes së zmbrapsur të pavarësisë së Katalonjës, gjatë vitit 2017.
Qeveria spanjolle, e prirë nga socialistët, ka falur nëntë politikanët në shenjë pajtimi para fillimit të bisedimeve mes Madridit dhe rajonit të Katalonjës. Të nëntë liderët ishin dënuar më 2019 me nëntë deri në 13 vjet burgim për kryengritje dhe keqpërdorim të fondeve publike për organizimin e referendumit që Madridi e cilësoi si të jashtëligjshëm. Me gjithë faljen, politikanëve dhe aktivistëve u është ndaluar mbajtja e ndonjë posti publik.
Ndërkaq, pavarësisht kërkesave, Madridi zyrtar ka përjashtuar organizimin e një tjetër referendumi rreth pavarësimit të Katalonjës.