“Me këtë akt duam që ta hapim një kaptinë të re të dialogut e pajtimit dhe t’u japim fund, një herë e përgjithmonë, të gjitha ndasive dhe konfrontimeve”, ka theksuar kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, në një adresim televiziv, teksa njëri prej nëntë liderëve të falur ka reaguar në mënyrë sfiduese ndaj faljeve
Qeveria e Spanjës ka falur zyrtarisht të martën që të nëntë liderët e burgosur separatistë për rolin e tyre në shpalljen e dështuar të pavarësisë së Katalonjës më 2017, në një veprim pajtimi që mund të ndihmojë në kapërcimin e përplasjeve që nxitën çarje të thella në vend.
Liderët ishin dënuar më 2019 me nga nëntë deri në 13 vjet burgim për kryengritje dhe keqpërdorim të fondeve publike, pas referendumit për shkëputje, të cilin autoritetet në Madrid e kishin ndaluar, por që kishte shpjerë drejt shpalljes jetëshkurtër të pavarësisë, në ngjarjen që shkaktoi krizën më të rëndë politike në Spanjë ndër dekada.
“Me këtë akt duam që ta hapim një kaptinë të re të dialogut e pajtimit dhe t’u japim fund, një herë e përgjithmonë të gjitha ndasive dhe konfrontimeve”, ka theksuar kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, në një adresim televiziv, teksa njëri prej nëntë liderëve të falur ka reaguar në mënyrë sfiduese ndaj faljeve.
Ato janë të kushtëzuara, ndërsa ndalesa që ata të mbajnë ndonjë post zyrtar publik mbetet në fuqi, ka thënë Sanchez, pa specifikuar se kur do të lirohen nëntë liderët.
Një burim i afërt me Qeverinë, duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, ka thënë se dekreti për garantimin e faljeve do të publikohet të mërkurën në gazetën zyrtare dhe se Gjykata Supreme nuk pritet që ta autorizojë lirimin e liderëve para kësaj.
Sondazhet e kohëve të fundit kanë treguar se shumica e spanjollëve janë kundër faljeve, por Sanchezi llogarit se ato në fund të fundit do ta zbehin synimin për pavarësim në rajonin e kamur verilindor, Qeveria e të cilit është zotuar për referendum të ri shkëputjeje me pajtimin e Madridit.
Raul Romera, i cili si ish-shef i çështjeve të Jashtme i Katalonjës nga viti 2017 ishte dënuar me 12 vjet burgim, ka thënë të martën se rajoni do ta vazhdojë betejën për vetëvendosje.
“Me faljen e nëntë personave, ata nuk do ta fshehin represionin që vazhdojnë ta ushtrojnë kundër qindra separatistëve. Nuk do të heqim dorë nga beteja: amnisti dhe vetëvendosje!”, ka shkruar ai në Twitter.
Partitë konservatore opozitare në Madrid kanë bërë të ditur se do t’i sfidojnë faljet nëpër gjykata, duke argumentuar ato vetëm sa do ta fuqizojnë sërish lëvizjen separatiste, pasi që shumica e liderëve të burgosur nuk kanë dhënë shenja pendimi. Opozita për më tepër ka akuzuar Sanchezin se pikësëpari po synon që t’i fuqizojë aleancat e tija parlamentare.
Partia separatiste katalonjase “Esquerra Republicana de Catalunya” – shefi i së cilës Oriol Junqueras është mes liderëve të falur – ka qenë jetike për formimin e Qeverisë së Sanchezit më 2020 dhe ka mbështetur edhe buxhetin e administratës së tij.
Në Katalonjë disa i kanë mirëpritur faljet, por kanë thënë se ato nuk mjaftojnë.
“Politikisht është një vendim i vështirë për Qeverinë spanjolle, por (ajo)... nuk e eliminon ndalesën e tyre për ushtrim të detyrës dhe nuk i merr në konsideratë tre mijë njerëzit që kanë raste gjyqësore në pritje, ndërlidhur më 2017-”, ka thënë mësuesi Josep Sunyer nga Barcelona.
Me qindra separatistë kanë protestuar në Barcelonë të hënën, duke e quajtur planin e Sanchezit joadekuat dhe duke kërkuar një referendum të ri dhe të pakushtëzuar pavarësie.
Po të hënën, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, një forum ky pan-evropian i të drejtave, i ka bërë thirrje Spanjës që t’i rrëzojë fletarrestimet e lëshuara për politikanët katalonjas që kanë ikur nga vendi sherri i ngjarjeve të 2017-s.
Ministria e Jashtme spanjolle e ka cilësuar rekomandimin për shfuqizimin e këtyre procedurave si “jokoherent”. \ AP-Reuters