Botë

Populistët e Evropës ndeshen me një pengesë të vogël – jopopullaritetin

Liderët në Slloveni, Hungari dhe Poloni, të cilët u ngjitën në pushtet gjatë valës së zemërimit antielitist, ballafaqohen tani me kundërshtimet në rritje shkaku i përgjigjeve të tyre ndaj pandemisë dhe politikave grushtçelikta

Vala e populizmit djathtist në Evropën Lindore, e ndezur nga fitorja e befasishme e Donald Trumpit më 2016, nuk është shkërmoqur si pasojë e disfatës së tij nëntorin e shkuar. Por është përplasur në një pengesë serioze: Liderët e saj nuk janë më aq popullor.

Pasi i fituan zgjedhjet me kartën kundër elitave të urryera, populistët djathtistë të bllokut dikur komunist të Evropës del se tani janë vetë të urryer. Kjo, sipas gazetës amerikane “New York Times”, ndodh sherri i masave jopopullore të izolimit ndaj koronavirusit, por edhe sikurse në rastin e liderëve të tjerë pa marrë parasysh spektrin politik, shkaku i përgjigjeve të tyre të çala karshi krizës shëndetësore. Ama ata janë njashtu nën presionin e lodhjes përherë më të madhe të qytetarëve me taktikat e tyre përçarëse.

Jansha i frymëzuar nga Orbani

Në Hungari, kryeministri Viktor Orban po kundërvihet nga një opozitë pazakonshmërisht unike. Në Poloni, qeveria thellësisht konservatore ka bërë një kthesë të përnjëhershme kah e majta në politika ekonomike, krejt për qëllim të rikthimit të mbështetjes. Dhe në Slloveni, partia qeverisëse e së djathtës ekstreme të kryeministrit “të rënë kokë e këmbë” pas Trumpit po bie hovshëm në sondazhe, ka shkruar “New York Times”.

Lideri slloven, Janez Jansha, i cili rroku ballinat e gazetave ndërkombëtare me urimin e Trumpit për “fitoren” e tij në zgjedhjet e nëntorit, është mbase më i rrezikuari mes populistëve jopopullorë të rajonit.

E ngjitur në majën e pushtetit me premtimet nacionaliste për t’i stopuar azilkërkuesit nga Lindja e Mesme dhe “garantimin e mbijetesës së kombit slloven”, partia demokratike sllovene e Janshas fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e 2018-s. Vitin e shkuar, sipas NYT, një qeveri e re e koalicionit prirë prej partisë kishte mbështetjen e 65 për qind të sllovenëve. Kjo shkallë është tkurrur në më pak se 26 për qind dhe Jansha tani është aq jopopullor saqë aleatët “po ia braktisin barkën”.

Gazeta amerikane ka shkruar në një analizë të sajën se protestat rrugore kundër tij kanë mbledhur dhjetëra e mijëra njerëz, shifër kjo tejet e lartë për vendin përndryshe të qetë alpin me një popullatë prej vetëm dy milionë banorësh.

“Jansha është lëkundur edhe më shumë, duke u mbijetuar për fije të perit një mocioni votëbesimi në Parlament dhe përpjekjes së fundit për shkarkim nga ligjvënësit opozitarë dhe të vetë koalicionit të tij”, ka shkruar gazeta. Megjithëse ka shpëtuar, ai është dobësuar aq fort “saqë nuk ka më pushtet për të bërë çfarëdo gjëje” tjetër përveç mallkimit të armiqve në Twitter, ka thënë Ziga Turk, një profesor universitar dhe ministër i Qeverisë së mëhershme drejtuar nga Jansha. Turk, që ka folur për NYT-in, kishte dhënë dorëheqje nga partia qeverisëse më 2019.

Duke qenë admirues i Orbanit të Hungarisë, Jansha është zotuar që t’i rikthejë mediat në grushtin e tij, njëjtë siç kanë bërë qeveritë në Hungari dhe Poloni, së paku me televizionet. Por i vetmi stacion televiziv që e mbështet vazhdimisht, Nova24TV, ka aq pak shikues sa as që figuron në listën e rangimeve.

Sllavoj Zhizhek, filozof i njohur dhe njëri prej sllovenëve të paktë të mirënjohur jashtë kufijve të vendit, bashkë me Melania Trumpin, ka theksuar se ishte tepër herët që liderët si Jansha, Orbani dhe Jaroslaw Kaczynski e Polonisë të shlyhen tërësisht. E tri vendet e tyre, ai për NYT-in i përshkroi si “boshtin e ri të së keqes”.

Populistët nacionalistë, ka thënë ai, rrallëherë i kanë fituar betejat e popullaritetit. Aseti më i rëndësishëm i tyre, sipas tij, ka qenë rrëmuja e kundërshtarëve të tyre, shumë prej të cilëve filozofi i sheh i tejet të përqendruar në “moralizmin e tepruar” dhe në çështjet që nuk ngjallin interesim te shumica e votuesve.

“Impotenca e së majtës është tmerruese”, ka thënë Zhizhek për “New York Times”.

Humbja e vrullit

Image

Se populizmi nacionalist mbetet ende një forcë e pranishme demonstrohet nga Marine le Peni, liderja e së djathtës ekstreme në Francë. Partia e saj e pësoi keq në zgjedhjet rajonale të fundjavës, porse sondazhet lënë të kuptohet se ajo mund akoma të jetë një sfiduese e fortë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. NYT-i raporton se ajo e arrin këtë nëpërmjet zbutjes së imazhit të saj prej një populisteje të zjarrtë, duke u zmbrapsur nga kundërshtimi jopopullor për Bashkimin Evropian dhe valutën e përbashkët të saj, euron.

“Meqë kurrë nuk ka mbajtur një pozitë të lartë, Le Peni ka shmangur njashtu grackat me të cilat janë ballafaquar populistët në Evropën Lindore dhe atë Qendrore që kishin garuar për poste qeveritare gjatë pandemisë”, ka shkruar gazeta e njohur amerikane në analizën e saj.

Hungaria, përcaktuesja e vetëshpallur e standardeve të “demokracisë joliberale” të Evropës nën Orbanin, ka pasur shkallën më të lartë në botë të vdekjeve nga COVID-19 për kokë banori, pas Perusë.

“Polonia dhe Sllovenia kanë kaluar më mirë, porse partitë e tyre qeverisëse djathtiste, Ligj dhe Drejtësi e Polonisë dhe Partia Demokratike Sllovene e Janshas, janë përballur me zemërim publik sherri i menaxhimit me pandeminë. Rreziku më i madh për liderët si Jansha dhe Orbani, megjithatë, janë shenjat se kundërshtarët e tyre grindavecë më në fund po veprojnë bashkërisht”, ka analizuar NYT.

Në Hungari, parti të ndryshme opozitare janë bashkuar për ta sfiduar Fideszin e Orbanit në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Po qe se mbahen së bashku, siç tregojnë sondazhet, ata fare lehtë mund të fitojnë.

Në anën tjetër, në Slloveni, Jansha ka mbledhur një bazë besnike prej rreth 25 për qind të elektoratit, porse ka qenë “edhe më i suksesshëm në mobilizimin e kundërshtarëve të tij të shumtë”, ka theksuar Luka Lisjak Gabrijelçiq, një historian slloven. “Baza e tij e mbështet, por shumë njerëz përnjëmend e urrejnë”.

Në këtë mes, NYT-i numëron kryetarin e Parlamentit, Igor Zorçiq, i cili së fundi ka braktisur koalicionin e Jashas.

“Nuk dua që vendi im ta ndjekë modelin e Hungarisë”, ka theksuar ai. “Përreth rajonit”, ka shtuar ai, “e gjithë dallga ka humbur vrullin”.

Disfata e Trumpit e ka bërë të veten bashkë me rrëzimin e kohëmëparshëm të liderit të kahershëm izraelit, Benjamin Netanyahu, taktikat kapardisëse të të cilit kaherë janë admiruar prej liderëve nacionalistë në Evropë.

“Tani që Trumpi nuk është më, rreziku që kanoset është se dikur liderët ‘populistë me vetëbesim’, si Jansha dhe Orban, mund të shndërrohen në ‘populistë apokaliptikë’ të sojit që ka kapur segmentet e së djathtës në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Ivan Krastev, ekspert për Evropën Lindore dhe atë Qendrore në Institutin për Shkenca Njerëzore në Vjenë. Por trazimet politike në Amerikë, ka vlerësuar ai për NYT, janë më pak relevante për Evropën Lindore sesa rënia e Netanyahut në Izrael, vend ky të cilin ai e përshkruan si “ëndrrën e përnjëmendtë të nacionalistëve evropianë – një “demokraci etnike” me një ekonomi të fortë, kapacitet ushtarak dhe aftësi për t’u bërë ballë presioneve.

“Koalicioni negativ ndaj Netanyahut ka shokuar thellësisht liderët populistë të së djathtës ekstreme të Evropës, ngase Izraeli ishte modeli i tyre”, ka shtuar ai për gazetën.

“Në luftë me gjithkënd”

Image

I etur për ta paraqitur imazhin e të vrazhdit të lëvizjes joliberale në Evropë, Orbani mbajti në prill një takim në Budapest me liderët e njëmendësisë, me zotimin për ta krijuar një “rilindje evropiane bazuar në vlerat e krishtera”.

Sipas NYT-it, aty janë shfaqur vetëm dy persona: Matteo Salvini, ylli në venitje i së djathtës ekstreme në Itali që u largua nga Qeveria më 2019, dhe kryeministri i kurthuar i Polonisë, Mateusz Morawiecki.

“Me synimin për ta sinjalizuar fuqinë e kryengritjes populiste të së djathtës ekstreme të Evropës, konklava e Budapestit ishte më shumë një hap dëshpërimi për të fshehur faktin se janë në rënie”, ka thënë për gazetën amerikane Peter Kreko, drejtori i Politicial Capital, një grup kërkimor nga Budapesti.

Në Poloni, partia Ligj dhe Drejtësi ka rrokur një tjetër shteg, qartazi duke vendosur se i duhen më shumë sesa çështjet përçarëse kulturore dhe historike për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme.

Mirëpo kur bëhet fjalë për tjetërsimin e votuesve, askush nuk mund t’i bëjë rivalitet Janshas së Sllovenisë, i cili, siç ka shkruar NYT, ka bërë përpjekje të pamjaftueshme për të depërtuar përtej mbështetësve të tij besnikë, duke adresuar kritika dhe ofendime që datojnë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Damir Crncec, ish-shefi i agjencisë sllovene të Inteligjencës dhe dikur një mbështetës i zëshëm i tij, ka thënë se ishte shastisur nga dobësia e Janshas ndaj jopopullaritetit.

“Të gjithë këtu janë në kërkim të një shpjegimi të arsyeshëm: Si mund të fitosh në politikë nëse vazhdimisht lufton me gjithkënd?”, ka pyetur ai, në vlerësimin dhënë për “New York Times”. \ Analizë e NYT-it

Përgatiti: Nita Lleshi