Botë

Erdogan: Marrëdhëniet Turqi-SHBA po hyjnë në një “epokë të re”

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka vlerësuar se marrëdhëniet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës po hyjnë drejt një “epoke të re”, pas përkeqësimit të viteve të fundit shkaku i disa çështjeve përplasëse.

Megjithëkëtë, duke folur pas një takimi me Kabinetin, Erdogani ka kërkuar që SHBA-ja t’i respektojë të drejtat sovrane të Turqisë, në një referencë për vendimin e saj për të blerë sistemin raketor rus, si dhe ta mbështesë luftën e Ankarasë kundër grupeve kurde në Siri që vendi i konsideron terroriste.

Erdogani i ka bërë këto komente pas takimit të parë sy më sy me presidentin amerikan, Joe Biden. Dy liderët, që e njohin njëri-tjetrin prej vitesh, janë takuar gjatë samitit të NATO-s në Bruksel.

Erdogan është duke bërë përpjekje për përmirësimin e raporteve me partnerët amerikanë dhe ata evropianë në kohën kur vendi po përballet me krizë të rënduar ekonomike shkaku i pandemisë së koronavirusit.

Aleatët e kamotshëm kanë përplasje të thella rreth një sërë çështjesh, përfshirë mbështetjen e SHBA-së për luftëtarët kurdë në Siri dhe blerjen e sistemit mbrojtës S-400 të Rusisë nga Turqia.

Erdogan i ka përshkruar bisedimet me Bidenin si gjithëpërfshirëse dhe produktive ndërkaq ka paralajmëruar një takim tjetër në të ardhmen.