Botë

Spanja fal zyrtarisht 9 liderët e burgosur katalonjas, në shenjë pajtimi

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka falur të martën nëntë liderët separatistë katalonjas, të burgosur më herët shkaku i rolit të tyre në përpjekjen e dështuar për pavarësimin e rajonit më 2017. Faljen e tyre Sanchezi e bëri publik nëpërmjet një adresimi televiziv.

Megjithëkëtë, faljet janë të kushtëzuara dhe liderëve ende u ndalohet mbajtja e ndonjë posti zyrtar. Ata ishin dënuar në vitin 2019 me nëntë deri në 13 vjet burgim për kryengritje dhe keqpërdorim të fondeve publike me rastin e organizimit të referendumit për shkëputjen e Katalonjës.

Autoritetet në Madrid e kishin ndaluar mbajtjen e referendumit që rezultoi me shpalljen e njëanshme dhe të zmbrapsur të pavarësisë së rajonit. Sanchez i përshkroi faljet, për të cilat shumica e spanjollëve ishin shprehur kundër, si një hap të parë drejt kapërcimit të çarjeve të thella politike në rajonin e kamur. Megjithëkëtë, Qeveria rajonale është zotuar për mbajtjen e një referendumi të ri me pajtimin e Madridit.

Njëri nga liderët e falur, Raul Romeva, i cili ishte dënuar me 12 vjet burgim, ka thënë se rajoni do ta vazhdojë betejën për vetëvendosje.

Ai dhe tetë të tjerët do të lirohen nga burgu, menjëherë pasi që vendimi për faljen të publikohet në gazetën zyrtare.

Por partitë opozitare kanë paralajmëruar që ta sfidojnë vendimin në gjykata.

Ndërkaq gjatë së hënës me mijëra separatistë protestuan nëpër rrugët e Barcelonës, duke e cilësuar planin e Sanchezit si të pamjaftueshëm.