Botë

Qeveria spanjolle paralajmëron faljen e liderëve të burgosur katalonjas

Qeveria spanjolle planifikon që t’i falë gjatë së martës nëntë liderët e burgosur për shpalljen e dështuar të pavarësinë e Katalonjës më 2017, ka bërë të ditur të hënën kryeministri Pedro Sanchez.

Me anë të faljeve që kabineti ende duhet t’i miratojë gjatë takimit të kësaj jave, Sanchez synon që t’i ulë tensionet në rajonin verilindor dhe t’i nisë negociatat mes qeverisë qendrore dhe autoriteteve rajonale të Katalonjës.

Duke folur para të pranishmëve në shtëpinë e Operës në Barcelonë, Sanchez ka thënë se për të arritur marrëveshje, dikush duhet ta hedhë hapin e parë. Megjithëkëtë, propozimi i mëhershëm për faljen e katalonjasve kishte nxitur protesta të gjithmbarshme në Spanjë. Sondazhet më të fundit kanë treguar se rreth 60 për qind e spanjollëve janë kundër lirimit të nëntë politikanëve dhe aktivistëve që janë burgosur më 2019 për shkak të angazhimit në mbajtjen e referendumit kaotik dhe të shoqëruara me skena dhune për pavarësimin e rajonit nga Spanja. Ngjarja kishte gjeneruar krizën më të madhe politike në Spanjë pas shumë dekadash.