Dhjetë persona kanë vdekur, përfshirë nëntë fëmijë, pas një aksidenti zinxhiror në Alabama të shtunën mbrëma ku u përfshinë 18 vetura, raporton BBC.
Zyrtari i Butler Countyt, Wayne Garlock, ka thënë se fëmijët ishin të moshës nga 9 muajsh deri në 17 vjet.
Ai ka thënë se veturat me gjasë kanë rrëshqitur në rrugët e lagështa dhe kanë humbur kontrollin.
Stuhia tropikale Claudette ka shkaktuar vërshime dhe tornado, duke shkatërruar disa shtëpi në Alabama.
Garlock ka thënë se një baba dhe një vajzë nëntëmuajshe ka vdekur në një nga veturat.
Tetë viktima tjera i takonin autobusit të Tallapoosa County Girls Ranch, një shtëpi kujdesi për vajzat e neglizhuara e abuzuara. Më e reja në autobus ishte një katërvjeçare.
Kalimtarët tërhoqën shoferin e autobusit dhe më pas tentuan të shpëtonin vajzat, por autobusi u përfshi nga flakët.
Në aksident janë lënduar edhe pesë persona tjerë.
Ndërkohë në një rast tjetër të shtunën mbrëma në Tuscaloosa County, ka vdekur një burrë në të 20-tat dhe i biri i tij trevjeçar, pasi një dru ka rënë mbi shtëpinë mobile të tyre.