Botë

“Të mbrojtur deri në vdekje”: Masat e ashpra në shtëpitë për të moshuar

Masat kundër pandemisë po lirohen pothuajse çdokund – përveç shumë shtëpive për të moshuar në Amerikë. Rregullat e vendosura për ta mbrojtur shtresën më të ndjeshme të popullsisë nga COVID-19 janë ende në fuqi, ndonëse 75 për qind e banorëve të shtëpive për të moshuar janë vaksinuar dhe ka rënë numri i infektimeve dhe vdekjeve

Barbara dhe Christine Colucci e presin me padurim ditën kur do t’i heqin maskat dhe do ta puthin nënën e tyre 102-vjeçare, e cila vuan nga demencia dhe është në shtëpi kujdesi në Rochester, New York. Ato do të donin të kishin më shumë se dy njerëz në dhomën e saj, në mënyrë që edhe të afërmit e tjerë të jenë aty.

“Nuk e dimë se edhe për sa kohë do të jetojë”, ka thënë Christine Colucci, “kështu që duam që të jemi afër saj në muajt e fundit të jetës”.

Masat kundër pandemisë po lirohen pothuajse çdokund – përveç shumë shtëpive për të moshuar në Amerikë. Rregullat e vendosura për ta mbrojtur shtresën më të ndjeshme të popullsisë nga COVID-19 janë ende në fuqi, ndonëse 75 për qind e banorëve të shtëpive për të moshuar janë vaksinuar dhe ka rënë numri i infektimeve dhe vdekjeve.

Familjet nëpër tërë vendin janë acaruar për shkak të masave për t’i vizituar nënat dhe baballarët e tyre, posaçërisht në Ditën e Baballarëve, që është më 20 qershor. Përqafimet dhe puthjet ndalohen nëpër disa shtëpi. Vizitat janë të kufizuara dhe duhet të jenë të shkurtra, po ashtu mund të ndërpriten nëse dikush del se është pozitiv me koronavirus.

Pritja e pafund

Familjarët i kanë vënë në pikëpyetje masat e tilla në këtë fazë të pandemisë, kur rreziku është mjaft i ulët. Sipas tyre, masat thjesht po e zgjasin izolimin e të moshuarve dhe po e dëmtojnë shëndetin e tyre mendor dhe fizik.

“Po i mbrojnë deri në vdekje”, ka thënë Denise Gracely, nëna e së cilës, 80-vjeçarja Marian Rauenzahn, jeton në një shtëpi për të moshuar në Topton, Pennsylvania.

Rauenzahn ishte infektuar COVID-19 dhe më pas humbi një pjesë të këmbës nga gangrena, por Gracely ka thënë se ajo që e lëndonte më së shumti ishte vetmia e detyruar, pasi vizitat gjashtë herë në javë ishin anuluar.

Me kalimin e kohës, vajzat e Rauenzahnit e fituan të drejtën për ta parë një herë në javë dhe shtëpia e të moshuarve ka thënë se planifikon t’i lirojë masat për vizita në fund të qershorit. Mirëpo, Gracely është shqetësuar për të ëmën.

“Besoj se i është përkeqësuar gjendja me demencie”, ka thënë Gracely. “Është e vetmuar. Do shumë të dalë nga aty”.

Avokati i Popullit në Pensylvania ka pranuar qindra ankesa për rregullat e vizitave këtë vit. Kim Shetler, specialiste e të dhënave në zyrën e Avokatit të Popullit, ka thënë se disa masa të shtëpive për të moshuar janë më të rrepta sesa udhëzimet që ka lëshuar shteti. Zyrtarët kanë bërë çmos për t’i mbajtur njerëzit të sigurt, ndonëse familjet janë të pakënaqura.

Një sondazh nga Zëri Kombëtar i Konsumatorit për Kujdes Cilësor Afatgjatë, një grup avokues ky, ka zbuluar se kufizimet kohore për vizita janë normale, pasi sillen nga 15 minuta deri në dy orë. Disa qendra kanë mundësuar vizitat vetëm gjatë ditëve të javës, gjë që është e vështirë të realizohen nga njerëzit që punojnë gjatë ditës.

Shtëpia për të moshuar në Pennsylvania, ku ndodhet Rauenzahn, i ka kufizuar vizitat, në vetëm një vizitë 30-minutëshe çdo dy javë.

Autoritet federale duhet “t’u sigurojnë banorëve të drejta të plota për vizita”, kanë thënë disa grupe avokuese më 11 qershor, në një letër drejtuar qendrave për shërbime të kujdesit mjekësor. Në letër thuhej se banorët po vuajnë nga izolimi dhe vetmia për shkak të masave të rrepta.

Mbrojtësit e të drejtave do ta trajtojnë çështjen me udhëzuesin federal në lidhje me rastet e reja në shtëpitë e të moshuarve. Sipas udhëzuesit, shumica e vizitave duhet të pezullohen për të paktën 14 ditë. Disa familjarë dhe mbrojtës të të drejtave janë ankuar se rekomandimet nuk duhet të jenë të njëjta për një apo dy raste të reja.

Image

Përderisa qeveria federale së fundmi i ka liruar masat për banorët e vaksinuar në shtëpitë për të moshuar, shteti i New Yorkut nuk e ka bërë të njëjtën gjë

Masat e ashpra

Përderisa qeveria federale së fundmi i ka liruar masat për banorët e vaksinuar në shtëpitë për të moshuar, shteti i New Yorkut nuk e ka bërë të njëjtën gjë. Njerëzit që hanë së bashku në hapësira të përbashkëta duhet të mbajnë distancë sociale dhe duhet të bartin maska, pavarësisht se a janë vaksinuar ose jo.

“I kemi dhënë përparësi vaksinimit të banorëve në shtëpitë për të moshuar dhe kjo është diçka e mrekullueshme, por nuk po i gëzojnë liritë e njëjta sikurse unë dhe ti”, ka thënë Elizabeth Weingast, nënkryetare në Shtëpinë e Re Hebreje, që i udhëheq qendrat e kujdesit për të moshuarit në qytetin e New Yorkut.

Gjersa virusi ka infektuar më shumë se 650,000 banorë të shtëpive për të moshuar dhe ka vrarë më shumë se 130,000 sosh në tërë SHBA-në, udhëheqësit është dashur të marrin masa kur COVID-19 kishte dalë nga kontrolli, ka thënë Nancy Kass, eksperte e shëndetit në Universitetin e Johns Hopkinsit. Por, ajo ka thënë se po habitet me theksin e vazhdueshëm në siguri për banorët e këtyre qendrave.

Humbja e kontrollit

Në Ohio, Bob Greve nuk kishte shpresa se do të ndërronte vend pasi kishte mbetur në shtëpinë e të moshuarve gjatë pothuajse tërë vitit të kaluar. Por, drejtori nuk e lejonte që ta vizitonte djalin e tij për shkak të shqetësimeve për COVID-19, edhe pse që të dy ishin vaksinuar.

Ky rregull e çoi Greven në një pikë kur e kishte humbur kontrollin, pasi, sipas djalit të tij, Mike Greve, babai i tij 89-vjeçar po e thërriste në telefon deri në 10 herë në ditë pasi mërzitej dhe gjithmonë fliste se si donte shumë që të dilte jashtë.

Mike Greve ka thënë se kishte kërkuar nga drejtori i qendrës që të kishte vizita jashtë, mirëpo përgjigjja kishte qenë e tillë: “Nëse e lë babanë tënd që të dalë, do të më duhet t’i lë të gjithë”. Greve ka thënë se drejtori brengosej se banorët do të infektoheshin me koronavirus dhe do ta sillnin në qendër.

Drejtori nuk u është përgjigjur thirrjeve dhe mesazheve nga “Associated Press”. Një ditë pas kësaj, Greve ka pranuar një ftesë nga drejtori për t’u paraqitur në zyrën e tij, ku i ka thënë se do t’ia lejonte babait të tij që të dilte jashtë për vizitë dhe se ky rregull do të vlente edhe për të tjerët.

Baba e bir kaluan një pasdite të bukur duke u kënaqur nën rrezet e diellit në shtëpinë e Greveit, ku babait të tij ia kapën sytë një dre.

“Ai tha “Haleluja” disa herë”, ka thënë Greve. “Më pas më tha: ‘Nuk e di se si ia dole që të më nxjerrësh jashtë, por jam aq i lumtur saqë mund edhe të qaj”.

 

Image

Gjersa virusi ka infektuar më shumë se 650,000 banorë të shtëpive për të moshuar dhe ka vrarë më shumë se 130,000 sosh në tërë SHBA-në