Grupet e të drejtave të njeriut dhe emigrantët kanë akuzuar Greqinë se po i kthen mbrapsht refugjatët, me anë të dëbimit të paligjshëm të emigrantëve së cilëve nuk u jepet as mundësia që të aplikojnë për azil. Ky stil nuk është i ri për Greqinë
Pak para se të zbardhte dita në fund të pranverës, një gomone e fryrë që mbante me dhjetëra njerëz arriti në brigjet e ishullit grek të Samos në afërsi të Turqisë. Brenda 24 orësh, thonë grupet për të drejtat e refugjatëve, i njëjti grup i refugjatëve u kthye mbrapsht me të njëjtën gomone.
Mirëpo, nga 32 personat sa arritën në ishullin Samos, 28 ishin kthyer mbrapsht me gomonen. Katër ditë më vonë, katër të zhdukurit, një grua palestineze me tre fëmijët e saj, u panë në qytetin Vathy në Samos. U kishin shpëtuar autoriteteve greke. Bëri kërkesë për azil dhe gjatë javës së kaluar u informua se kërkesa ishte pranuar.
“Konsideroj se ardhja e kësaj gruaje, nëse nuk po flasim për një mrekulli, për rënien e saj nga qielli, është një provë e qartë për një kthim mbrapa”, thotë Dimitris Choulis, avokati i cili ndihmoi 31-vjeçaren Huda Zaga të aplikonte për azil, së bashku me vajzën 12-vjeçare dhe djemtë të moshave 11 dhe 5 vjeç.

Grupet e të drejtave të njeriut dhe emigrantët kanë akuzuar Greqinë se po i kthen mbrapsht refugjatët, me anë të dëbimit të paligjshëm të emigrantëve së cilëve nuk u jepet as mundësia që të aplikojnë për azil. Ky stil nuk është i ri për Greqinë. Si për kthimet mbrapsht në tokë, ashtu në det. Mirëpo, janë të rralla rastet e tilla si të palestinezes Zaga që kanë sukses, ani pse i shpëtojnë dëbimit.
Fshehja e palestinezes
Greqia me ashpërsi i mohon akuzat, por pretendon se është e detyruar t’i mbrojë kufijtë e saj, të cilët janë kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian. Tregon se kur në marsin e vitit 2020 Turqia hapi kufijtë e saj për emigrantët që ia mësynin BE-së, u kishte bërë thirrje atyre që të kalojnë në territorin e saj.
Zaga thotë se arriti në Samos më 21 prill, me një gomone të mbushur me njerëz. Pasi zbarkuan, grupi nisi vrapimin drejt pyllit. U nda për t’i shmangur autoritetet.
“Ne tmerroheshim nga kapja dhe kthimi në Turqi, sidomos kur kaluam në ujërat territorialë të Greqisë”, thotë Zaga.
Nuk kaloi shumë kohë dhe nisën postimet në rrjetet sociale. Një gazetare lokale njoftoi për mbërritjen e emigrantëve. Banorët e tjerë pranuan se u kishin ofruar ushqim dhe ujë. Mirëpo, teksa dita shkonte, historia nisi të ndryshojë. Gazetarja kontaktoi autoritetet dhe u tha se emigrantët nuk ishin të sapoardhur, por banorë të një kampi refugjatësh në periferi të qytetit Vathy. Krejt ditën kishin ecur 50 kilometra.
Dëbime të fshehta
Disa banorë ishin urdhëruar nga autoritetet që të mos flisnin për ato që kishin parë. Ata folën në kushte anonimiteti, duke thënë se nuk dëshironin probleme.
Të nesërmen, gomonia që arriti me emigrantët ende qëndronte në plazhin e Gjirit Marathokampos. Grupi i të drejtave Aegean Boat Report, i cili monitoron mbërritjet në ishujt grekë, postoi fotot e ardhjeve të reja. Në disa prej tyre shiheshin Zaga dhe fëmijët e saj. Gjendeshin në një kodër në afërsi të Marathokampos.
E pyetur në lidhje me rastin, Ministria e Transportit e Greqisë, nën juridiksionin e së cilës janë edhe rojat bregdetare, thotë se nuk kishte të dhëna për një mbërritje të emigrantëve më 21 prill. Autoritetet nuk dhanë asnjë shpjegim për fotografinë e gruas dhe fëmijëve të saj.
Zaga thotë se ishte në dijeni të rrezikut të kthimit mbrapa, pasi e kishte provuar më parë. Ajo u përpoq të hynte në Greqi tri herë më parë nga kufiri tokësor, por u kap dy herë brenda Turqisë dhe një herë pasi hyri në Greqi. Këtë herë ishte e vendosur të kishte sukses.
“Ne arritëm të pamundurën për t’u siguruar që ajo që u ndodhi atyre nuk do të na ndodhte edhe neve”, thotë për ata që u kthyen në Turqi.
Zaga rrëfen se u nda nga të tjerët duke qëndruar prapa me fëmijët e saj dhe ra në kontakt me njerëzit që kishin ndihmuar në realizimin e udhëtimit të saj për në Samos. Ajo nuk ofroi detajet se si arriti t’i shmangej zbulimit dhe se kush e ndihmoi të kontaktonte avokatin. Por, më 26 prill arriti në zyrën e Choulis duke kërkuar ndihmë.
Angazhimi i avokatit

Choulis thotë se menjëherë e kuptoi se ata ishin personat e zhdukur nga ndalja e raportuar e Marathokampos. Ai informoi autoritetet gjyqësore greke, policinë dhe rojet bregdetare se po shoqëronte familjen në kampin e refugjatëve për t’u regjistruar.
Ndërsa priste jashtë gjatë intervistës së regjistrimit të Zagas, atë e porositnin autoritet që të largohej, thotë Choulis.
“Ekzistonte një klimë e çuditshme dyshimi”, thotë ai dhe një frikë e madhe se Zaga dhe fëmijët e saj mund të ktheheshin përsëri në Turqi. Por, në këtë pikë, përfaqësuesit e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët kishin qenë të informuar dhe ishin të pranishëm.
Përfaqësuesi i UNHCR-së në Greqi, Mireille Girard, thotë se organizata mori një mesazh telefonik në 21 prill rreth emigrantëve që mbërrinin në Samos dhe kërkoi konfirmim nga autoritetet, por nuk mori përgjigje. Disa ditë më vonë, Agjencia u informua se një familje që besohej se kishte qenë me grupin kishte mbetur në Samos dhe po kërkonte azil.
“Këto elemente janë shqetësuese. Ato janë indikacione të një kthimi nga ishulli Samos në 21 prill dhe duhet të hetohen zyrtarisht, thotë Girard.
Në ndërkohë, familja e Zagas ka marrë azilin. Ajo thotë se u largua nga shtëpia e saj në rajonin Nablus të Bregut Perëndimor për disa arsye, por kryesisht për t’i shpëtuar një burri abuziv i cili sulmoi djalin e saj të madh. Ajo shpreson të arrijë përfundimisht në Belgjikë, ku jeton motra e saj.
“Dua t’i shoh fëmijët e mi të lumtur, t’i shoh duke shkuar në shkollë, duke ngrënë ushqim të shëndetshëm, duke fjetur mirë dhe të jetojnë normalisht ashtu si fëmijët e tjerë. Të kesh siguri, të kesh shkollë dhe shtëpi”, thotë ajo.
Për Choulisin, aplikimi i suksesshëm i Zagas për azil shpërfaq rreziqet e dëbimeve, të cilat, ndonjëherë, thuhet se janë kryer nga burra të maskuar pa shenja të dukshme në uniformat e tyre, për ta fshehur identitetin.
“Fakti që kërkesa e saj për azil u pranua tregon se sa e rrezikshme është për burrat e maskuar të rojave bregdetare ose policisë të gjykojnë se kush ka të drejtë azili dhe kush jo”, thotë avokati. “Nuk mund ta lëmë fatin e diçkaje aq të rëndësishme sa e drejta e azilit të përcaktohet në mes të detit ose në brigjet e detit”.
Përktheu: Gent Mehmeti