Botë

Miratimi i rezolutës për Srebrenicën “kërcënon” Qeverinë e Malit të Zi, Serbia paralajmëron masa

Srebrenica
Foto: AP
 

Akt civilizimi e veprim të rëndësishëm për ndërtimin e besimit dhe paqes në rajon e kanë vlerësuar të premten udhëheqësit në Bosnjë-Hercegovinë miratimin e rezolutës për gjenocidin e Srebrenicës në Mal të Zi. Porse i të njëjtit mendim nuk është shprehur edhe kryesuesi i presidencës tripalëshe të vendit, Milorad Dodik, i cili rezolutën e quajti akt absolutisht jomiqësor.

Reagimet janë bërë pasi që Parlamenti i Malit të Zi e miratoi të enjten vonë Rezolutën që e dënon mohimin e gjenocidit të Srebrenicës, të kryer kur forcat serbe të Bosnjës i vranë më se 8 mijë burra dhe djelmosha myslimanë në vitin 1995.