Botë

Mali i Zi shkarkon ministrin proserb për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë

Ligjvënësit e Malit të Zi kanë shkarkuar ministrin qeveritar pro-serb i cili ka mohuar gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa kanë miratuar rezolutën për Srebrenicën sipas së cilës vendi e dënon ashpër gjenocidin e kryer atje. Ky votim ka tronditur qeverinë e re dhe ka ekspozuar një përçarje brenda koalicionit qeverisës atje.

Parlamenti votoi që ta zëvendësojë ministrin e të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve, Vladimir Leposaviq, pasi mohoi se vrasja e rreth 8000 boshnjakëve myslimanë në Srebrenicë nga forcat serbe të Bosnjës përbën gjenocid, raporton AP.

Leposaviqi u mbështet nga grupet pro-serbe që janë pjesë e aleancës qeverisëse. Kryeministri Zdravko Krivokapic kërkoi shkarkimin e ministrit pas komenteve të tij mbi Srebrenicën që nxitën kritika nga bota për Malin e Zi.