Botë

Erdogani sfidon Bidenin për raketat ruse

Lideri turk ka thënë për mediat vendore se në takimin e fillimjavës ai e kishte informuar homologun amerikan se Ankaraja nuk kishte ndryshuar qëndrim lidhur me sistemin rus, ani pse për këtë arsye Washingtoni i kishte vendosur sanksione Ankarasë. Ndërkaq, në një adresim për gazetarët në Washington, këshilltari për Siguri të Brendshme, Jake Sullivan, ka theksuar se lidhur me çështjen nuk është gjetur kurrfarë zgjidhjeje gjatë bisedimeve Biden-Erdogan

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, nuk kanë qenë në gjendje që të arrijnë ndonjë zgjidhje gjatë takimit të tyre të fillimjavës rreth përplasjes së kahershme mes dy aleatëve të NATO-s shkaku i blerjes së sistemeve ruse të mbrojtjes raketore nga ana e Ankarasë, ka thënë të enjten këshilltari për Siguri të Brendshme, Jake Sullivan.

Gjatë një adresimi para gazetarëve, Sullivan ka theksuar se ka ekzistuar përkushtim për vazhdimin e dialogut rreth çështjes.

Një gjë e tillë është raportuar, pasi që Erdogani ka thënë për mediat turke se e kishte informuar homologun e tij amerikan në takim se Ankaraja nuk kishte ndryshuar qëndrim lidhur me sistemin rus, ani pse për këtë arsye Washingtoni i kishte vendosur sanksione Ankarasë.

Dy liderët kanë shprehur tone optimiste pas bisedimeve sy më sy gjatë samitit të NATO-s të hënën, ndonëse nuk ka pasur shpallje të ndonjë të arriture të madhe rreth përplasjeve, përfshirë S-400-shit rus, Sirisë dhe çështjeve të tjera.

Blerja e këtij sistemi kishte tensionuar marrëdhëniet e Turqisë me SHBA-në dhe aleatët e tjerë në NATO- sherri i shqetësimeve se sistemi nuk përkon me mbrojtjen e Aleancës dhe se mund t’i kërcënojë aeroplanët luftarakë F-35 të SHBA-së. Ankaraja, e cila që atëherë është përjashtuar nga programi i këtyre aeroplanëve, ka hedhur poshtë vazhdimisht këto shqetësime.

“I kam thënë (Bidenit) se nuk do të duhej të prisnin që Turqia të ndërmarrë ndonjë hap ndryshe rreth çështjeve që lidhen me aeroplanët F-35 dhe sistemin S-400, për shkak se kishim bërë atë që duhej të bënim për F-35 dhe kemi dhënë paratë e duhura”, ka thënë Erdogan para gazetarëve, me t’u kthyer nga vizita në Azerbajxhan. “Duhet t’i monitorojmë zhvillimet nga afër. Në të ardhmen, ministrat tanë të Jashtëm, ministrat e Mbrojtjes dhe shefat e sektorit të mbrojtjes do ta diskutojnë avancimin tutje, nëpërmjet takimeve me homologët e tyre”.

Ankaraja dhe Washingtoni kanë bërë përpjekje për t’i lënë mënjanë dallimet dhe të përqendrohen në fushat e bashkëpunimit, përfshirë në Afganistan dhe Siri, ani pse Turqia vazhdimisht ka shprehur shqetësim për mbështetjen që SHBA-ja u ka ofruar militantëve të YPG-së kurdë në Siri, të cilën vendi e konsideron si “një grup terrorist”.

Erdogan ka thënë të enjten se qëndrimet e Turqisë ai i ka shpalosur gjatë takimit të tij me Bidenin, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu. Turqia ka ofruar gjithashtu që ta menaxhojë dhe operojë aeroportin e Kabulit në Afganistan, pas tërheqjes së forcave amerikane dhe të NATO-s.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të hënën se Turqia do të luajë një rol madhor në Afganistan, porse lidhur me këtë nuk është marrë ndonjë vendim në samitin e fillimjavës.

“Pas vendimit të SHBA-së për t’u tërhequr nga Afganistani, Turqia mund të marrë përsipër shumë përgjegjësi të tjera aty”, ka thënë Erdogan, duke mos elaboruar më tepër.

Javën e shkuar talebanët kanë thënë se Turqia duhet t’i tërheqë trupat e saj nga Afganistani në kuadër të Marrëveshjes së tërheqjes amerikane të 2020-s, duke e kundërshtuar faktikisht propozimin e Ankarasë rreth aeroportit të Kabulit.