Botë

Kryeministri i Malit të Zi i ka orët “e numëruara”

Foto: AP

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, tashmë nga mediat në këtë vend po llogaritet si një ish-kryeministër.

Partneri i koalicionit ka nisur iniciativën për shkarkimin e tij, pasi Kuvendi sot pritet të votojë për shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, Vladimir Leposaviq.

Krivokapiq kishte iniciuar shkarkimin e ministrit të Drejtësisë, pasi ai kishte mohuar gjenocidin në Srebrenicë. Kjo kishte mjaftuar të nxiteshin forcat pro-serbe brenda Qeverisë dhe t’ia kthenin shpinën kryeministrit.

Në debatin e djeshëm për këtë çështje, kryetari i koalicionit parazgjedhor Fronti Demokratik, tash pjesë e Qeverisë, Milan Knezheviq, ka thënë në parlament se Krivokapiq nuk do të jetë më kryeministër, pavarësisht nëse do të shkarkohet apo jo Leposaviqi.

Partia tjetër e koalicionit, ajo URA që udhëhiqet nga politikani shqiptar, Dritan Abazoviq, është pro shkarkimit të Leposaviqit.

Krivokapiqi të mërkurën mbrëma lëshoi seancën pas debateve të ashpra me partnerët e koalicionit dhe në holl të Kuvendit tha: “Mund të kërkoni votëbesim të Qeverisë ose të shkoni në zgjedhje të reja”.

Për shkarkimin e Leposaviqit, duhen edhe votat e partisë së Milo Gjukanoviqit, DPS, e cila aktualisht po e bojkoton punën në Kuvend.

“Nëse shkarkoni Leposaviqin me votat e DPS-së më nuk do të jeni kryeministër, e nëse nuk do ta shkarkoni, prapë nuk do të jeni kryeministër”, tha deputeti Knezheviq.