Botë

Hulumtimi i shkencëtarëve: Ngrohja globale veçse ka arritur në pikën pa kthim

Pas ekspeditës më të madhe në Arktik shkencëtarët kanë tërhequr vërejtjen se pikë kthimi mund të mos ketë sa i përket ngrohjes globale.

Sipas tyre, kriza klimatike mund të ketë arritur në pikën e pakthyeshme.

Duke prezantuar të dhënat e hulumtimit në Polin Verior, 300 shkencëtarë nga 20 shtete të botës kanë nxjerrë përfundimin se akulli i Arktikut është duke u shkrirë më shpejt sesa që është pretenduar.

Ekspedita, që ka kushtuar 165 milionë dollarë, është kthyer në Gjermani gjatë muajit tetor, pas 389 ditë hulumtimesh nëpër Arktik.

Kanë sjellë prova se Oqeani Arktik është duke vdekur dhe se brenda pak dekadave gjatë stinës së verës nuk do të ketë më akuj në Polin Verior.

Shkencëtarët kanë zbuluar se akulli i Oqeanit Arktik është shkrirë më shpejt gjatë verës së vitit 2020 sesa nga nisja e regjistrimeve.

Ata kanë thënë se trashësia e akullit është përgjysmuar, ndërkaq temperaturat janë evidentuar për 10 gradë më të larta sesa nga ekspedita e shkencëtarëve që u realizua në vitin 1890.