Botë

Kura me antitrupa e “AstraZenecas” dështon në parandalimin e COVID-19

Kompania farmaceutike anglo-suedeze “AstraZeneca” ka njoftuar të martën se studimi i trajtimit me antitrupa monoklonalë nuk e ka përmbushur cakun e dëshiruar për ta parandaluar sëmundjen simptomatike me COVID-19 mes personave që i janë ekspozuar koronavirusit.

Pjesëmarrësit e këtij studimi ishin të rritur të pavaksinuar më të vjetër se 18 vjeç, që kanë qenë të ekspozuar ndaj personave të prekur me koronavirus brenda tetë ditëve të fundit.

Antitrupat monoklonalë kanë ulur rrezikun për zhvillimin e COVID-it simptomatik për 33 për qind, porse shkalla e veprimit nuk ka rezultuar e kënaqshme. “AstraZeneca” është duke e studiuar edhe trajtimin te pacientët para ekspozimit të tyre ndaj sëmundjes.

Terapia me antitrupa monoklonalë i përket një klase të barërave që i imitojnë antitrupat natyralë, që prodhohen në trup për luftimin e infeksionit. Dy kompani të mëdha farmaceutike kanë zhvilluar terapitë me antitrupa monoklonalë që janë autorizuar për përdorim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për trajtimin e pacientëve të infektuar me koronavirus.