Botë

Bideni arrin në Gjenevë para takimit të tensionuar me Putinin

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ditë pas sesioneve të shumta me aleatë në Evropë, ka arritur në Gjenevë për bisedimet më të tensionuara të vizitave të tij: ato me Vladimir Putinin.

Bideni po kërkon të rivendosë lidhjet evropiane që ishin të tensionuara nën ish-presidentin Donald Trump, i cili hodhi poshtë aleancat e gjata me partnerët demokratikë të Amerikës. Bideni këtë javë ka zhvilluar ditë të gjata takimesh me udhëheqësit globalë të Grupit të Shtatë dhe NATO-n, ku ai e shprehu shqetësimin mbi Rusinë dhe Kinën.

Takimi me presidentin e Rusisë të mërkurën është ai që po pritet më së shumti, raporton AP.

Që nga ardhja e tij në detyrë, demokrati Biden ka marrë qëndrime më të ashpra ndaj Rusisë se pararendësi i tij republikan, Donald Trump. Bideni ka thënë se po shpreson të gjejë hapësira bashkëpunimi me Putinin. Por, paralajmëroi se nëse Rusia vazhdon me sulmet kibernetike dhe veprimet e tjera agresive kundër SHBA-së, “do të përgjigjemi njëjtë”.