“Ambiciet e deklaruara të Kinës dhe sjellja kategorike paraqesin sfida sistematike për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe për fushat relevante të sigurisë së Aleancës”, kanë thënë liderët e NATO-s në komunikatën e lëshuar pas Samitit
Liderët e NATO-s janë dakorduar të hënën se Kina përbën sfidë konstante sigurie dhe se po punon në minimin e sistemit global të bazuar në rregulla, duke adoptuar kësisoj një qëndrim të sertë karshi Pekinit në samitin e parë të Joe Bidenin në Aleancën që pararendësi i tij, Donald Trump, haptazi e zhvlerësoi dhe e përçmoi.
Presidenti i ri amerikan ka nxitur kolegët e tij në NATO që të ngrihen kundër autoritarizmit të Kinës dhe fuqisë së saj ushtarake në rritje, duke shpërfaqur një ndryshim në vëmendjen e Aleancës së krijuar për mbrojtjen e Evropës nga Bashkimi Sovjetik gjatë luftës së ftohtë.
Gjuha në komunikatën përfundimtare të Samitit, e cila tani do ta përcaktojë shtegun e politikave të Samitit, është shpalosur një ditë pasi që grupi i shtatë vendeve më të pasura të botës (G7) ka lëshuar një deklaratë për të drejtat e njeriut në Kinë dhe Tajvan, të cilën Pekini e cilësoi si minim të reputacionit të tij.
“Ambiciet e deklaruara të Kinës dhe sjellja kategorike paraqesin sfida sistematike për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla dhe për fushat relevante të sigurisë së Aleancës”, kanë thënë liderët e NATO-s në komunikatën e lëshuar pas Samitit.
Biden u ka thënë gjithashtu aleatëve evropianë se pakti i mbrojtjes së dyanshme të Aleancës është një “obligim i shenjtë” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës – një deklarim ky diametralisht i kundërt me pararendësin e tij që kishte kërcënuar me tërheqjen nga NATO-ja dhe kishte akuzuar evropianët se po kontribuojnë fare pak për mbrojtjen e tyre.
“Dua që e gjithë Evropa ta dijë se SHBA-ja është këtu”, ka thënë Biden. “NATO mbart rëndësi kritike për ne”.
Kërcënim i balancuar

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në samitin e saj të fundit me Aleancën para largimit nga detyra në shtator, ka përshkruar ardhjen e Bidenit si hapje të një kapitulli të ri. Ajo gjithashtu ka theksuar rëndësinë e ballafaqimit me Kinën si një kërcënim potencial.
“Nëse i shikoni kërcënimet kibernetike dhe ato hibride, nëse e shikoni bashkëpunimin midis Rusisë dhe Kinës, ju thjesht nuk mund ta anashkaloni Kinën”, ka thënë Merkel para gazetarëve. “Por as nuk duhet që të mbivlerësohet – duhet ta gjejmë baraspeshën e duhur”.
Biden ka thënë se as Rusia e as Kina nuk po veprojnë “në mënyrën se si shpresohej”.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se prania e shtuar ushtarake e Kinës nga Baltiku deri në Afrikë nënkupton se NATO-ja e pajisur me armë bërthamore duhet të jetë e gatshme.
“Kina po na afrohet. Po i shohim ata në hapësirën kibernetike, po e shohim Kinën në Afrikë, por po e shohim Kinën edhe tek investon majmë në vetë infrastrukturën tonë kritike”, ka thënë ajo në një referencë për portet dhe rrjetet e telekomit. “Duhet të përgjigjemi bashkërisht, si një aleancë”.
Me të mbërritur për samit në Bruksel, kryeministri britanik, Boris Johnson, që vetëm një ditë më parë ishte nikoqir i Samitit të G7-s në Cornwall të Anglisë, tha se ekzistojnë sa rreziqe po aq edhe shpërblime nga Pekini.
“Nuk mendoj se ndokush përreth tavolinës dëshiron që të përfshihet në një luftë të re të ftohtë me Kinën”, ka theksuar ai.
Lidhjet e thella ekonomike
Nisur nga investimet e Kinës në portet evropiane dhe planet për krijimin e bazave ushtarake në Afrikë deri te manovrat e përbashkëta ushtarake me Rusinë, NATO-ja është dakorduar tani se ngritja e Pekinit meriton një përgjigje të fuqishme, ani pse të dërguarit kanë thënë se ajo do të jetë shumështegëshe.
Aleatët janë të vetëdijshëm për lidhjet e tyre ekonomike me Kinën. Totali i tregtisë gjermane me Kinën më 2020 ishte më shumë se 212 miliardë euro, sipas të dhënave të Qeverisë gjermane. Ai amerikan deri në marsin e 2021-s ka kapur shifrën prej 1.1 biliardë dollarësh, ndërsa bilanci i përgjithshëm i tregtisë SHBA-Kinë më 2020 ishte 559 biliardë dollarë.
Presidenti amerikan do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, të mërkurën në Gjenevë.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, ka thënë se Rusia është duke u përpjekur që “ta përpijë” Bjellorusinë dhe se NATO-ja duhet që të bashkohet në zmbrapsjen e Moskës. Nauseda ka thënë, po ashtu, se vendet baltike insistojnë për vendosjen e një numri më të madh të forcave amerikane në rajonin e tyre në sprapsje të Rusisë. \ AP-Reuters
Përktheu: Nita Lleshi