Botë

Angela Merkeli do ta vizitojë Shtëpinë e Bardhë më 15 korrik

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do të presë për vizitë kancelaren gjermane, Angela Merkel në Shtëpinë e Bardhë, muajin e ardhshëm, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.

Kjo do të jetë vizita e saj e parë në Washington gjatë presidencës së Bidenit dhe po ashtu vizita e saj e fundit në SHBA si kancelare.

Merkel nuk është duke kërkuar një mandat të pestë në zgjedhjet të cilat do të zhvillohen në Gjermani në shtator të këtij viti. Ajo ka punuar gjatë mandateve të saj, me katër presidentë amerikanë.

Shtëpia e Bardhë ka bërë të ditur se Merkeli do ta zhvillojë vizitën e saj më 15 korrik ndërkohë që një numër i madh çështjesh pritet të diskutohen mes saj dhe Bidenit.

Ndërkohë, të premten në Britani të Madhe janë mbledhur liderët e shtatë ekonomive më të fuqishme të botës në Samitin e G7-s. Ndërkaq, të enjten, presidenti amerikan Joe Biden, gjatë qëndrimit të tij në Londër ka bërë të ditur se do të jap një donacion prej 500 milionë dozash të vaksinës Pfizer për vendet e varfra, të cilat do të shpërndahen përmes programit COVAX.