Botë

Zonja e Parë amerikane, në Evropë me mesazh për dashurinë

Jill Biden po përçon mesazhin e “dashurisë”, derisa po shoqëron bashkëshortin e saj, presidentin Joe Biden, në udhëtimin e parë jashtë vendit.

Zonja e Parë kishte veshur një pallto të zezë me mbishkrimin në shpinë “Dashuri”, të qëndisur me material argjendi, në takimin që ajo dhe presidenti Biden zhvilluan të enjten me kryeministrin britanik Boris Johnson, dhe bashkëshorten e tij.

Jill kishte veshur me këtë rast, të njëjtën pallto që mbante të veshur dy vjet më parë, për të filluar fushatën presidenciale të Joe Biden në SHBA.

“Po sjellim dashuri nga Amerika”, u ka thënë gazetarëve Jill, derisa ka shpjeguar për zgjedhjen e rrobave në këtë takim.

“Kjo është një konferencë globale dhe ne po mundohemi të ndërtojmë unitet në botë dhe mendoj se kjo është ajo që nevojitet aktualisht, që njerëzit të ndjejnë unitetin nga të gjitha shtetet dhe të ndjejnë shpresë pas një viti me pandeminë”, ka vazhduar ajo.

Image
Foto: AP

Kjo nuk është hera e parë që Zonja e Parë dërgon mesazh të drejtpërdrejtë përmes veshjeve të saj. Gjatë një udhëtimi fushate në Iowa vitin e kaluar, ajo kishte veshur pantallona me mesazhin “Voto”.

Zonja e Parë amerikan po shoqëron presidentin gjatë vizitës së tij në Evropë, e cila ka nisur me qëndrimin në Britani të Madhe për të marrë pjesë në Samitin e G7-ës që do të zhvillohet në Londër, nga 11-13 qershor. Presidenti Biden do të marrë pjesë edhe në Samitin e NATO-s që do të zhvillohet në Bruksel, ndërkaq, më 16 qershor pritet të ketë një takim bilateral me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Gjenevë.

Zonja Biden ka deklaruar se bashkëshorti i saj “ka studiuar me javë të tëra” për këtë udhëtim duke deklaruar se ai “është shumë i përgatitur për këtë”.

Çifti Biden pritet të takohet me Mbretëreshën Elizabeta II të dielën në Kështjellën Windsor.

Image
Jill Biden/ Foto: AP