Botë

“I riu në tavolinë?”: Debutimi i Bidenit në samitin e demokracisë

“Asgjë nuk i zëvendëson takimet sy më sy”, kishte deklaruar Bideni në takimin me Sugan, që vizitoi Shtëpinë e Bardhë në muajin prill. “Lidhjet personale të miqësisë janë ato që do ta mbajnë të fortë dhe të gjallë këtë aleancë edhe për dekadat e ardhshme”, kishte thënë presidenti amerikan.

Angela, Borisi, Emmanueli, Justini, Marioja, Yoshihide dhe një i porsaardhur me emrin: Joe.

Këta janë emrat e bordit të klubit më ekskluziv të demokracisë globale dhe do të takohen këtë javë, pas katër vjet përçarjesh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bllokadës dyvjeçare shkaku i koronavirusit.

Tashmë mbi bazën e një emri të ri, udhëheqësit e Shtatëshes së demokracive të industrializuara do të bëhen bashkë të premten mes shpresave për largimin e anëtarit të tyre më të padisiplinuar dhe një epoke të re të miqësive personale të zgjeruara në takimet sy më sy - diskutimet e drejtpërdrejta mund të rikthejnë një konsensus global antiautoritar për klimën, koronavirusin, Kinën dhe Rusinë.

Kthimi i G-7 në kuazi-normalitetin e sjellshëm vjen teksa presidenti Joe Biden kërkon të rivendosë udhëheqjen e qëndrueshme të SHBA-së në shtatëshe, e cila ishte penguar për një kohë të gjatë nga qasja shpesh konfrontuese e paraardhësit të tij, Donald Trump, ndaj aleatëve amerikanë. Zyrtarët amerikanë besojnë se përvoja e gjatë e Bidenit në politikën e jashtme e kombinuar me aftësitë e tij personale dhe sjelljen njerëzore do të lehtësojë pakënaqësitë e vazhdueshme.

Trumpi kishte nëpërkëmbur unitetin e G7-s, duke kërkuar që interesat e SHBA-së të kenë përparësi. Kishte kërcënuar garancitë e sigurisë që datonin me dekada, duke fyer kolegët dhe duke sugjeruar me zë të lartë që presidenti rus, Vladimir Putin, të ftohet përsëri në grup, pavarësisht refuzimit të tij për të përmbushur kërkesat që Moska të qëndronte jashtë Ukrainës.

Bideni synon një taktikë të re.

I pyetur për qëllimet e tij në takim, me t’u nisur nga Washingtoni, Biden është përgjigjur: “Forcimi i aleancës dhe bëjani të qartë Putinit dhe Kinës se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara janë të shtrënguara dhe G7 do të lëvizë përpara”.

Fillestari me përvojë

Nga shtatë udhëheqësit që takohen të premten në Cornwall të Britanisë së Madhe, dy janë fillestarë: Bideni dhe kryeministri italian Mario Draghi kanë marrë detyrat pak javë larg njëri-tjetrit.

Dy të tjerë janë në pushtet për dy ose më pak vjet: Boris Johnsoni i Britanisë që nga viti 2019 dhe Yoshihide Suga i Japonisë nga 2020-a.

Megjithëkëtë, tre të tjerët kanë një histori të gjatë së bashku, disa prej tyre edhe me Bidenin, kur ai shërbeu si senator dhe zëvendëspresident i Barak Obamas.

Angela Merkeli e Gjermanisë do të marrë pjesë në samitin e saj të fundit të G7-s para se të largohet nga posti i kancelares në shtator, pas 16 vjetësh në pushtet.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, ka qenë në detyrë që nga viti 2015 derisa presidenti francez, Emmanuel Macron, nga 2017-a. Të gjithë kishin marrëdhënie jo fort të mira me Trumpin kur bëhej fjalë për tregtinë, shpenzimet e mbrojtjes, ndryshimin e klimës dhe çështje të tjera.

Trumpi dikur akuzoi Trudeaun si “shumë të pandershëm dhe të dobët” në kontekstin e një samiti të mëhershëm të G7-s. Shpesh poshtëroi Merkelin dhe paraardhësen e Johnsonit, Theresa May, në terma të ngjashëm dhe denoncoi skepticizmin e Macronit për aftësitë e NATO-s, duke i quajtur deklaratat si “të këqija” dhe “fyese”. Vetëm Johnsoni përjashtohej nga lista e fyerjeve të Trumpit. Presidenti amerikan mendonte se kishte frymë të njëjtë me të.

Takimet sy më sy

Armiqësia e hapur pengoi aftësinë e grupit për të paraqitur një front të unifikuar. Biden shpreson t’i qetësojë ato marrëdhënie në udhëtimin e tij të parë jashtë shtetit si president.

Që nga marrja e detyrës, Bideni është takuar personalisht me vetëm një nga homologët e tij të G7-s, japonezin Sugan. Por në seancat virtuale dhe thirrjet telefonike, ai ka kërkuar të ndërtojë lidhje personale me të tjerët dhe ka thënë se dëshiron më shumë takime personale.

“Asgjë nuk zëvendëson takimet sy më sy”, kishte deklaruar Bideni në takimin me Sugan, që e vizitoi Shtëpinë e Bardhë në muajin prill. “Lidhjet personale të miqësisë janë ato që do ta mbajnë të fortë dhe të gjallë këtë aleancë edhe për dekadat e ardhshme”, kishte thënë presidenti amerikan.

“Marrëdhëniet e mira e bëjnë më të lehtë bërjen e biznesit”, thotë Ronald Neumann, president i Akademisë Amerikane të Diplomacisë dhe ambasador i pensionuar i SHBA-së. “Ju nuk do të zbuloni se njerëzit do të veprojnë kundër asaj që ata i perceptojnë si interesat e tyre vetëm sepse janë miq, por kjo do të thotë që është më lehtë të bësh biseda për të eksploruar nëse ka mënyra për t'i afruar interesat”, thotë ai.

Kjo nuk ndodhi në vitet e Trumpit.

“Ndjesia ime është se nuk ishim shumë të interesuar në eksplorimin e fushave për kompromis - ishim të interesuar të merrnim, ose më mirë të themi, të tjerët të bënin gjërat në mënyrën tonë”, thotë Neumann.

Image

Përmirësimi i marrëdhënieve

Teksa Bideni ka ndjekur disa politika identike me Trumpin, ai ka hasur në shumë më pak rezistencë sesa paraardhësi i tij, veçanërisht duke e fituar mbështetjen për tërheqjen ushtarake nga Afganistani. Vetëm disa javë para se Bideni të njoftonte se kishte vendosur të qëndronte në vijë me planin Trumpit për tërheqjen e ushtrisë, aleatët e SHBA-së ishin shprehur kundër çdo lëvizjeje të vrullshme.

Në mënyrë të ngjashme, tërheqja e Bidenit nga projekti i Trumpit për tubacionin Keystone XL nga Kanadaja, u përcoll me një reagim të butë nga Otava zyrtare që nisi komunikimet mes presidentit të ri amerikan dhe kryeministrit Trudeau.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë mik më të afërt - asnjë mik më të afërt - sesa Kanadaja. Kjo është arsyeja pse ju telefonova juve së pari si president i SHBA-së”, i kishte thënë Bideni kryeministrit kanadez Trudeau.

Të mërkurën, megjithatë, sponsori i Keystone XL tërhoqi projektin pasi zyrtarët kanadezë dështuan të bindnin Bidenin të kthente anulimin e lejes së tij në ditën që ai mori detyrën.

Bideni dhe Macroni do të takohen për herë të parë personalisht dhe zyrtarët francezë thonë se Macroni me padurim pret që të ndërtojë marrëdhëniet e reja pas diskutimeve që patën në telefon dhe videothirrje. Si centrist, Macroni nuk e fshehu se po llogariste në zgjedhjen e Bidenit për të sjellë pozicionet e Shteteve të Bashkuara më afër Francës mbi marrëveshjen e Klimës së Parisit, një taksë minimale globale të korporatave dhe çështjet e tjera të sigurisë globale.

Por, ndoshta, asnjë udhëheqës i G7-s nuk ka qenë përfitues më i madh sesa Merkeli, doajene e grupit.

Biden tërhoqi vendimin e Trumpit për të zvogëluar praninë ushtarake të SHBA-së në Gjermani dhe përdori një heqje të sigurisë kombëtare për të shmangur goditjen e një kompanie gjermane dhe shefin e saj me sanksione mbi një tubacion që ngjalli reagime të ashpra.

“Është një e vërtetë themelore e politikës së jashtme që secili vend ka vlerat dhe interesat e veta. Por atëherë sigurisht që ekziston edhe faktori i vështirë për t’u matur i mirëkuptimit që mund të formohet midis udhëheqësve të dyja palëve - ose nganjëherë nuk formohet”, thotë zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert. “Dhe sigurisht është më mirë nëse formohet, nëse dikush ka një kulturë të përbashkët dialogu, nëse dikush dëgjon tjetrin, nëse dikush gjithashtu përpiqet të kuptojë qëndrimin dhe bindjet e tjetrit”.

Johnson, ndërkohë, është i etur që të sigurohet se Bideni mbetet i përkushtuar ndaj partneritetit Washington-Londër, veçanërisht pasi vazhdon të kërkojë statusin preferencial të tregtisë me SHBA-në pas BREXI-it që ishte garantuar nga amerikanët, por jo edhe nën administratën e Trumpit.

Trumpi e kishte vlerësuar tërheqjen e Johnsonit dhe Britanisë nga Bashkimi Evropian pa mëdyshje, duke e quajtur atë si “Trumpi i Britanisë”.

Biden kishte reaguar në natyrë të kandidatit, duke e quajtur udhëheqësin britanik një “klon fizik dhe emocional” të Trump. Mirëpo qeveria britanike ka punuar shumë për të kapërcyer këtë përshtypje të Bidenit, duke theksuar gjuhën e përbashkët të Johnsonit me Bidenin për çështje të tilla si ndryshimi i klimës dhe mbështetja e tij për institucionet ndërkombëtare.

Përktheu: Gent Mehmeti