Numri i rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19 ka vazhduar të bjerë në Evropë, por rreziku i përhapjes së pandemisë gjatë vjeshtës mbetet mundësi shumë e lartë, ka tërhequr vërejtjen të enjten Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Duke u bërë thirrje njerëzve dhe qeverive që të kenë kujdes gjatë verës, shefi i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, ka thënë se bartja e koronavirusit mund të ashpërsohet me ngritjen e numrit të udhëtimeve dhe lejimin e tubimeve.
Kluge ka theksuar se i njëjti gabim ishte bërë edhe gjatë vitit të kaluar, kur koronavirusi kishte nisur të përhapej te të rinjtë teksa i godiste me hov të shpejtë më të moshuarit.
Ani pse fushatat e vaksinimit po ndërmerren në shkallë të lartë nëpër Evropë, OBSH-ja ka tërhequr vërejtjen për mbulueshmëri të pamjaftueshme me doza vaksinash për mbrojtjen e kontinentit nga fluksi i shtuar i përhapjes së koronavirusit.