Qëkur Britania ka përmbyllur procesin e turbullt të daljes nga BE-ja në fund të vitit të shkuar, marrëdhëniet e saj me Brukselin janë acaruar edhe më tepër, pasi që akëcila palë ka akuzuar tjetrën për mosbesim rreth një pjese të ujdisë së Brexitit që e prek qarkullimin e mallrave në Irlandën Veriore. Krejt këtë përplasje mediat britanike e kanë cilësuar si “luftë salsiçesh” meqenëse e prek sferën e qarkullimit të mishrave të ngrirë nga Britania e Madhe në Irlandën Veriore
Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian nuk kanë arritur që të gjejnë ndonjë zgjidhje të mërkurën për lehtësimin e tregtisë me Irlandën Veriore pas Brexitit dhe për më tepër kanë shkëmbyer kërcënime në përplasjen që mund t’i vërë një hije të zezë samitit ndërkombëtar të fundjavës në vend.
Qëkur Britania ka përmbyllur procesin e turbullt të daljes nga BE-ja në fund të vitit të shkuar, marrëdhëniet e saj me Brukselin janë acaruar edhe më tepër, pasi që akëcila palë ka akuzuar tjetrën për mosbesim rreth një pjese të ujdisë së Brexitit që e prek qarkullimin e mallrave në Irlandën Veriore.
Krejt këtë përplasje mediat britanike e kanë cilësuar si “luftë salsiçesh” meqenëse e prek sferën e qarkullimit të mishrave të ngrirë nga Britania e Madhe në Irlandën Veriore. Të mërkurën përplasja ka shkuar një hap tutje, pasi që Londra zyrtare ka paralajmëruar se mund ta zgjasë njëanshëm të ashtuquajturën “periudhë të faljes”, duke hequr dorë nga kontrollet për disa produkte ushqimore. Nga ana tjetër, BE-ja ka paralajmëruar mundësinë e veprimeve ligjore, një hap ky që mund t’u japë fund tarifave dhe kuotave.
Kryeministri britanik, Boris Johnson, synon që samiti i liderëve të shtatë ekonomive më të avancuara të botës (G7), në veriperëndim të Anglisë, të jetë demonstrues i asaj që ai e quan “Britani globale”. Ndërkaq ka theksuar se nuk shqetësohet se përplasja mund ta zymtësojë ngjarjen.
Por ai mund të përballet me paralajmërimin e presidentit amerikan, Joe Biden, i cili, sipas të përditshmes “New York Times”, do t’i bëjë thirrje Londrës për ta respektuar marrëveshjen me BE-në që e parasheh mbrojtjen e ujdisë paqësore 32-vjeçarë në Irlandën Veriore.
Ministri britanik për Brexit, David Frost, i cili pritet që të marrë pjesë në samit dhe të ulet në tavolinën e negociatave me liderët e BE-së, ka takuar të mërkurën në Londër nënkryetarin e Komisionit Evropian, Maros Sefcovic, për ta adresuar çështjen.
“Nuk ka pasur ndonjë avancim. Do t’i vazhdojmë bisedimet”, ka thënë ai para gazetarëve, teksa ka shtuar se “ajo çfarë duhet bërë urgjentisht është që të gjendet një zgjidhje”.
Por Sefcovic është përgjigjur butësisht, duke thënë se BE-ja është duke e shqyrtuar avancimin e betejës së saj ligjore ndaj veprimeve britanike, në atë që do të mund të rezultonte me një rast gjyqësor deri në vjeshtë apo vendosjen e mundshme të tarifave e kuotave.
Ruajtja e paqes së brishtë në Irlandën Veriore pa e lejuar vendosjen e një bllokade ndaj saj nga Mbretëria e Bashkuar për qasjen në tregun e përbashkët të BE-së përgjatë kufirit tokësor në Irlandë ishte njëra prej çështjeve më të ndërlikuara në diskutimet për divorcin BE-Britani. Irlanda është vend anëtar i BE-së.
Rezultat i kësaj ishte një protokoll, i cili faktikisht e ka mbajtur Irlandën Veriore përbrenda unionit doganor të BE-së dhe i ka ruajtur shumicën prej rregullave të tregut të përbashkët – teksa Britania është larguar nga që të gjithat.
Përktheu: N. LL.