Botë

BE-ja përjashton Britaninë nga lista për udhëtime, përfshin Japoninë

Foto: Reuters / ilustrim

Qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian janë pajtuar që në listën e vendeve të sigurta për udhëtime të përfshihet Japonia, teksa kanë përjashtuar Britaninë e Madhe.

Të mërkurën, BE-ja ka bërë të ditur se përjashtimi i Britanisë do të jetë opsional deri në mesin e muajit qershor, kur do të bëhet një vlerësim i ri i situatës me pandeminë.

Shtetet e BE-së janë rekomanduar që gradualisht të nisin udhëtimet me shtetet si Australia, Izraeli, Zelanda e Re, Ruanda, Singapori, Koreja e Jugut dhe Tajlanda.

Megjithëkëtë, disa shtetet evropiane ende i kërkojnë si dëshmi testet negativ për COVID-19 ose zbatimin e karantinës.

Britania të martën nuk kishte regjistruar asnjë rast të vdekjes nga koronavirusi, për herë të parë që prej muajit mars të vitit 2020, mirëpo aty janë dyfishuar rastet e infektimit me variantin që u zbulua fillimisht në Indi.

Përhapja e këtij varianti ka vënë në dyshim lirimin e masave në Britani. Diplomatët e BE-së kanë konfirmuar se Britania mund të shtohet në listën e vendeve të sigurta nga mesi i qershorit, kur do të bëhet zgjerimi me vende të tjera.