Botë

Macron u kërkon ruandasve “t’ia dhurojnë faljen” për gjenocidin

Për të parën herë pas afro 30 vjetësh nga gjenocidi në Ruandë, presidenti Emmanuel Macron ka pranuar “përgjegjësinë e tmerrshme” të Francës në ngjarjet e 1994-s

Presidenti Emmanuel Macron ka kërkuar të enjten që populli i Ruandës t’ia “dhurojë faljen”, pasi që ka pranuar për të parën herë se Franca bart një “përgjegjësi të tmerrshme” për vdekjen e qindra e mijëra personave në gjenocidin e 1992-s në vend.

Vizita e shefit të shtetit francez në shtetin lindor të Afrikës, si dhe deklarimet e tij të pendimit, janë cilësuar si një sukses i madh diplomatik për sunduesin veteran të Ruandës, Paul Kahame, tani në vitin e 27-të të pushtetit të tij.

Duke folur nga Memoriali i Gjenocidit në kryeqytetin ruandas Kigali, Macroni ka thënë se Franca nuk ka qenë bashkëpunëtore në gjenocid, porse ka bërë gabime të mëdha në gjykimin e pasojave evidente.

“Duke u angazhuar... në një konflikt për të cilin më herët nuk ka pasur ndonjë përvojë, Franca ka dështuar që t’i marrë në konsideratë paralajmërimet dhe ka mbivlerësuar aftësinë e saj për ta ndalur një gjë që veçse ishte duke ndodhur”, ka thënë Macroni. “Vetëm ata që kanë kaluar nëpër errësirë mbase mund të falin, të na e japin dhuratën e faljes”.

Kigali zyrtar prej kohësh kishte akuzuar Francën për bashkëfajësi në vrasjen e rreth 800.000 ruandasve, kryesisht të fisit tutsi.

Trupat franceze kanë qenë në krye të një intervenimi ushtarako-humanitar, të njohur si Operacioni Bruz, i ndërmarrë nga Parisi nën mandatin e OKB-së ndërmjet qershorit dhe gushtit të 1994-s, por kritikët prej kohësh kanë thënë se synimi i këtij intervenimi ishte që të mbështetej Qeveria Hutu, përgjegjëse për gjenocidin. Një pretendim të tillë e konfirmon edhe një raport zyrtar i ndërmarrë në Francë nga një ekip historianësh dhe arkivistësh.

“Franca nuk ka kuptuar se, në përpjekjet e saja për ta shmangur një konflikt rajonal apo një luftë civile, në fakt po i qëndronte përkrah një regjimi gjenocidal. Duke i anashkaluar paralajmërimet e vëzhguesve më syhapur, Franca ka marrë një përgjegjësi të tmerrshme në një zinxhir ngjarjesh që kanë rezultuar me rezultatin më të keq të mundshëm, ani pse kjo ishte pikërisht gjëja që Franca synonte ta shmangte”, ka theksuar Macroni.

Vizita është e para e një lideri francez në Ruandë që prej vitit 2010 dhe synon kapërcimin e tensioneve diplomatike më se tredekadëshe rreth rolit të Francës në gjenocid. Parisi zyrtar ka bërë një iniciativë madhore strategjike për ndikim dhe sukses komercial në Afrikë gjatë viteve të fundit, ndërsa Kagame është një aktor me ndikim në kontinent.

Presidenti ruandas ka përshkruar fjalët e Macronit si “diçka më të çmueshme se apologjia – ishin e vërteta”.

“Politikisht dhe moralisht, ky është një akt i jashtëzakonshëm guximi... E vërteta kuron... pesha e përgjegjësisë është rikthyer aty ku përket: tek ata që i morën vendimet. Pa marrë parasysh nëse ka apo jo gjykime, drejtësia përcaktohet edhe prej gjykimit të historisë”, ka theksuar Kagame.