Botë

Kina mohon raportin mbi sëmundjen e tre shkencëtarëve në Wuhan para pandemisë

Kina ka mohuar fuqishëm të hënën raportimin e “Wall Street Journaliy” që citonte materiale të inteligjencës amerikane, sipas të cilave disa pjesëtarë të stafit të laboratorit kryesor të viruseve në Wuhan ishin sëmurë pak kohë para evidentimit të pacientit të parë me simptoma të COVID-19 më 8 dhjetor 2019.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, e cilësoi si “krejtësisht të pavërtetë” raportimin se tre shkencëtarë të Institutit të Virologjisë në Wuhan ishin sëmurë në vjeshtën e 2019-s.

Raporti, i bazuar në të dhënat më herët të pazbuluara të inteligjencës amerikane, ka bërë të ditur se punëtorët e laboratorit kishin shfaqur simptoma si të COVID-19 ashtu edhe të gripit të zakonshëm sezonal.

Shkrimi i “Wall Street Journalit” është botuar në prag të takimit kyç të trupit vendimmarrës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për të diskutuar hollësitë e fazës së ardhshme të hetimit rreth origjinës së koronavirusit. \ Guardian