Botë

Një armëpushim, dy fitues

Me mijëra palestinezë kanë vërshuar rrugët për ta festuar atë që shumica e cilësuan si fitore të kushtueshme por të qartë për grupin militant Hamas në Gaza. Derisa, Izraeli është zotuar për kundërpërgjigje me “nivel të ri të forcës”, në rast të armiqësive të reja. E armëpushimi është përballur të premten me një sprovë të hershme, kur shpërthyen përleshjet midis protestuesve palestinezë dhe policisë izraelite pas faljes së xhumasë në kompleksin e xhamisë Al-Aqsa në Jerusalem

Izraeli dhe Hamasi kanë shpallur fitore të premten, pasi forcat e tyre u kanë dhënë fund luftimeve 11-ditore, ndonëse zyrtarët humanitarë kanë paralajmëruar se dëmet e shkaktuara në Gaza mund të kërkojnë vite të tëra për t’u sanuar.

Qysh nga orët e para të nisjes së zbatimit të armëpushimit, me mijëra palestinezë kanë vërshuar rrugët për ta festuar atë që shumica e cilësuan si fitore të kushtueshme por të qartë për grupin militant Hamas në Gaza.

Ndërkaq, Izraeli është zotuar për kundërpërgjigje me “nivel të ri të forcës”, në rast të armiqësive të reja.

Luftimet e fundit kanë lënë të vdekur më shumë se 250 persona – kryesisht palestinezë – dhe kanë shkaktuar shkatërrime të theksueshme në Rripin e Gazës, edhe ashtu të varfër. Dhjetëra-mijëra palestinezët e zhvendosur në Gaza kanë nisur rikthimin në shtëpitë e tyre për inspektimin e shkatërrimeve të shkaktuara nga bombardimet izraelite.

Në anën tjetër, lideri izraelit, i ballafaquar me kritika nga krahu më ekstrem i qeverisë për përfundimin e parakohshëm të ofensivës, ka thënë se Izraeli ka bërë “gjëra të guximshme dhe të reja dhe këtë pa u tërhequr në aventura të panevojshme”. Ai ka shtuar se forcat izraelite i kanë shkaktuar “Hamasit dëme maksimale me viktima minimale në Izrael”.

Armëpushimi është përballur me një sprovë të hershme, kur përleshjet midis protestuesve palestinezë dhe policisë izraelite kanë shpërthyer pas faljes së xhumasë në kompleksin e xhamisë Al-Aqsa, një lokacion ky i shenjtë si i myslimanëve, ashtu edhe i hebraikëve në Jerusalem. Përleshjet e fillimit të muajit në këtë vend ishin një prej nxitësve më të mëdhenj të luftës.

Nuk është bërë e ditur ende se çfarë ka gjeneruar dhunën e së premtes. Policia ka shkrepur granata shtangëse dhe gaz lotsjellës, teksa palestinezët kanë hedhur gurë, pasi me qindra qytetarë morën pjesë në demonstratën kremtuese duke valuar flamuj palestinezë dhe të Hamasit e duke e lartësuar grupin militant. Policia izraelite ka njoftuar për arrestimin e 16 personave. Protestuesit janë përleshur me trupat izraelite edhe në disa pjesë të Bregut të okupuar Perëndimor.

Ndërkaq në Gaza është rihapur tregu kryesor ditor që ishte mbyllur gjatë luftimeve, ndërsa shitësit kanë ofruar për shitje pemë dhe perime.

“Jeta do të rikthehet, shkaku se kjo nuk është lufta e parë dhe nuk do të jetë as e fundit”, ka thënë pronari i një tezge tregu, Ashraf Abu Mohammad. “Zemra na lëngon, ka pasur aq shumë katastrofa, familje të shlyera nga regjistrat civilë dhe krejt këto na pikëllojnë. Por, ky është fati ynë në këtë tokë, që të jemi të duruar”.

Kishte pak çka për të festuar në qytetin verior të goditur rëndë nga luftimet, Beit Hanoun. Banorët, shumë prej të cilëve kanë humbur më të dashurit e tyre, vëzhguan shtëpitë e rrënuara.

“Shohim aq shumë shkatërrime këtu, është kjo hera e parë në histori që shohim diçka të tillë”, ka thënë Azhar Nsair. “Armëpushimi është për njerëzit që nuk kanë vuajtur, që nuk i kanë humbur më të dashurit e tyre, për ata që nuk u janë bombarduar shtëpitë”.

Ekipet e shpëtimit ende po i nxirrnin të premten kufomat nga zonat që konsideroheshin tepër të rrezikshme për t’u qasur. Pesë trupa të pajetë janë nxjerrë në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, përfshirë atë të një trevjeçari, ka njoftuar shërbimi emergjent i Kryqit të Kuq.

Me gjithë pasojat, liderët botërorë kanë lavdëruar të premten arritjen e armëpushimit me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe angazhimin diplomatik të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden. Vetëm pak orë pas dakordimit, Biden ka thënë se SHBA-ja zotohet që ta ndihmojë Izraelin në furnizimin me raketa pritëse dhe se do të bashkëpunojë me Autoritetin palestinez të njohur ndërkombëtarisht – e jo me Hamasin – për sigurimin e ndihmave humanitare për Gazën.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka bërë të ditur se planifikon që gjatë ditëve të ardhshme ta vizitojë rajonin për të diskutuar rreth së ardhmes më të mirë për izraelitët dhe palestinezët. Ndërkaq, shefi i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u kanë bërë thirrje liderëve botërorë që të hartojnë një pako për rindërtim me qëllim të përkrahjes së palestinezëve dhe forcimit të institucioneve të tyre. Përderisa sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ka kërkuar që të dyja palët të angazhohen për qëndrueshmërinë e armëpushimit dhe përfundimin e qarkut të papranueshëm të dhunës dhe humbjes së jetëve.

Sikurse në tri luftërat e mëparshme, shkëmbimi i fundit i zjarrit është ndalur pa një përfundim konkret. Izraeli ka pretenduar se i ka shkaktuar dëme të rënda Hamasit, por përsëri nuk ka qenë në gjendje që t’i shmangë raketat. Hamasi gjithashtu ka shpallur fitore, por ballafaqohet me sfidën e papërballueshme të rindërtimit në një territor që edhe ashtu vuante nga shkalla e lartë e papunësisë dhe shpërthimi i koronavirusit, si dhe nga vitet e tëra të bllokadës nga Egjipti dhe Izraeli.

Gjithçka nisi më 10 të majit, kur militantët e Hamasit në Gaza drejtuan raketa ndaj Jerusalemit. Breshëria ka ndodhur pas disa ditësh përleshje midis protestuesve palestinezë dhe policisë izraelite në Al-Aqsa. Taktikat e ashpra të policisë në këtë kompleks dhe kërcënimi për dëbimin e dhjetëra familjeve palestineze nga shtëpitë e tyre për t’u bërë konak kolonëve palestinezë kishin ushqyer tensionet.

Përktheu: Nita Lleshi