Botë

Bosnjë-Hercegovina zhvendos me forcë emigrantët në Bihaq

Policia boshnjake ka rrethuar më shumë se 200 emigrantë, të cilët po qëndronin në ndërtesa të braktisura në qytetin verior, Bihaq, duke i zhvendosur ata në një kamp me tenda në rrethinë. Autoritetet kanë bërë të ditur se kolonia e Lipës në periferi të qytezës, ka hapësirë për akomodimin e emigrantëve që më parë po qëndronin në qendër të qytezës.

Në pamje televizive, shihen emigrantët të rreshtuar në radhë para ndërtesës prej betoni me plaçkat e tyre, duke pritur që të hipin në autobus derisa policia mban rendin. Autoritetet e qytetit kanë thënë se do ta rrethojnë ndërtesën që të mos e lejojnë rikthimin e emigrantëve, derisa kryetari i Bihaqit, Shuhret Fazlliq, ka thënë se autoritetet do t’i zhvendosin emigrantët nga lokacionet e tjera të ngjashme në ditët e ardhshme.

Mijëra persona të zhvendosur nga lufta dhe mjerimi ekonomik kanë ngelur në Bosnjë në pritje që t’u jepet mundësia për të vazhduar rrugën drejt ndonjërit prej shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Shumica po qëndrojnë në pjesën veriore, me shpresë se do të kalojnë më lehtë në Kroaci, për të vazhduar drejt vendeve më të pasura të BE-së.