Botë

Pse tani shpërtheu konflikti izraelit-palestinez

Kriza vjen në kohën kur qeveria izraelite po përballej me telashe mbijetese: derisa ‘Hamasi’, që Izraeli e konsideron grup terrorist, po mundohej ta zgjeronte rolin e vet brenda lëvizjes palestineze dhe në kohën kur një gjeneratë e re palestinezësh po mundohej t’i spikaste vlerat dhe qëllimet e veta”, shkruan tutje e përditshmja njujorkeze

Jerusalem – 27 ditë para se të shkrepej raketa e parë nga Gaza në fillim të javës së kaluar, një skuadër policësh izraelitë u fut në xhaminë “Al-Aqsa” në Jerusalem, shmangu palestinezët dhe u vendos përgjatë murit rrethor të kompleksit. Pastaj ua prenë kabllot zmadhuesve që transmetonin lutjet nga katër minaret mesjetare, shkruan gazeta amerikane që në hyrje të shkrimit me të cilin analizon arsyet e shpërthimit të fundit të dhunës ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve në Lindje të Mesme.

“Ishte nata e 13 prillit, dita e parë e muajit të shenjtë të Ramazanit. Ishte edhe Dita e Përkujtimit në Izrael, gjatë së cilës nderohen ata që ranë duke luftuar për vendin. Presidenti izraelit po mbante fjalim në Murin Perëndimor – zonë e shenjtë hebraike që ndodhet poshtë xhamisë – dhe zyrtarët izraelitë ishin të shqetësuar se lutjet do t’ia merrnin anën”, shkruan prestigjiozja amerikane.

Dhe aksioni policor i bastisjes në xhaminë që konsiderohet një prej tri vendeve më të shenjta në islam ishte njëri prej aksioneve që një muaj më vonë çoi në ringjalljen e papritur të luftës ndërmjet Izraelit dhe “Hamasit” – grupit militant palestinez që sundon në Rripin e Gazës – dhe shpërthimin e trazirave civile ndërmjet arabëve dhe hebrenjve brenda vetë Izraelit.

“Ky ishte një moment kthese”, i ka thënë sheiku Ekrima Sabri, kryemyfti i Jerusalemit, gazetës “New York Times”. “Aksionet e tyre do ta shkaktonin përshkallëzimin”.

Por, në shkrim vlerësohet se përshkallëzimi i dhunshëm erdhi në jetë shumë më shpejt sesa shumëkush mund ta kishte marrë me mend. “Çoi drejt dhunës më të madhe ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve në vitet e fundit – jo vetëm në konfliktin me ‘Hamasin’, që ua ka marrë jetën 145 personave dhe 12 të tjerëve në Izrael, por në një valë sulmesh të bandave në qytetet e përziera arabe-izraelite në Izrael”.

Përplasjet nxitën trazira në mbarë qytetet e Bregut të pushtuar Perëndimor, ku forcat izraelite vranë të premten 11 izraelitë. Dhe rezultoi me shkrepje raketash nga një kamp refugjatësh palestinezë në Liban në drejtim të territorit izraelit.

“Kriza vjen në kohën kur qeveria izraelite po përballej me telashe mbijetese: derisa ‘Hamasi’, që Izraeli e konsideron grup terrorist, po mundohej ta zgjeronte rolin e vet brenda lëvizjes palestineze dhe në kohën kur një gjeneratë e re palestinezësh po mundohej t’i spikaste vlerat dhe qëllimet e veta”, shkruan tutje e përditshmja njujorkeze.

Gaza kishte vite me radhë që po përballej me bllokada dhe me kufizime. Bregu Perëndimor po përballet me dekada pushtimi dhe arabët e Izraelit po vuanin nën diskriminimin izraelit, ka thënë Avraham Burg, ish-zëdhënës i parlamentit izraelit dhe ish-drejtues i Organizatës Sioniste Botërore.

“Krejt uraniumi i pasuruar ishte i gatshëm”, ka thënë ai për NYT-in. “Por, u duhej një këmbëz. Dhe këmbëza ishte Xhamia ‘Al-Aqsa’”.

Kanë kaluar gjashtëmbëdhjetë vjet prej kur pati një kryengritje të madhe palestineze, që njihet botërisht si “intifada”.

NYT kujton se nuk kishte ndonjë trazirë të madhe në Jerusalem kur ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e njohu Jerusalemin për kryeqytetit izraelit dhe e zhvendosi zyrtarisht Ambasadën amerikane atje. Protesta masive nuk pati as kur katër shtete arabe normalizuan marrëdhëniet me Izraelin, duke hequr dorë prej konsensusit të kahershëm se asnjëherë nuk do ta ndërmerrnin këtë veprim derisa të mos zgjidhej konflikti izraelit-palestinez.

Dhe, dy muaj më parë, pakkush në establishmentin izraelit priste diçka të ngjashme, vlerëson NYT.

“Në takime private, zyrtarët ushtarakë thanë se kërcënimi më i madh për Izraelin ndodhej mbi një mijë milje larg në Iran, ose matanë kufirit verior në Liban”, i kanë thënë autorit të shkrimit burime brenda ushtrisë izraelite.

Kur diplomatët u takuan më mars me dy gjeneralë të cilët mbikëqyrin aspekte administrative të çështjeve ushtarake izraelite në Gazë dhe në Bregun Perëndimor, ata ishin të relaksuar kur u pyetën për mundësinë e dhunës së madhe dhe për periudhën relativisht të gjatë të qetësisë, ka treguar një diplomat i lartë, i cili ka kërkuar të mbetet anonim për të folur lirshëm.

Gaza po përballej me numrin e ngritur të infektimeve me koronavirus. Shumica e fraksioneve politike palestineze, përfshirë “Hamasin”, po merreshin me pritjet për zgjedhjet parlamentare të planifikuara të mbaheshin në mars, për herë të parë pas pesëmbëdhjetë vjetësh. Dhe në Gaza, bllokada izraelite i kishte kontribuar papunësisë prej 50 për qind. Popullariteti i “Hamasit” po pësonte rënie, derisa palestinezët po flisnin përherë e më shumë për ta kthyer ekonominë në prioritet më të rëndësishëm se luftën.

Por, në prill, gjithçka do të ndryshonte. Nisi me aksionin e bastisjes në xhaminë “Al-Aqsa” më 13 prill. Pastaj, pati ditë të tëra me përleshje të dhunshme ndërmjet forcave izraelite të sigurisë dhe protestuesve palestinezë. Tashmë ishte tepër vonë për ta frenuar përshkallëzimin e dhunës. Dhe kah ora gjashtë e pasdites të së hënës së kaluar, u shkrep raketa e parë nga Gaza.

Analizë e gazetës “New York Times”