Apo, si po ndikojnë tensionet e kaluara ndërmjet shumicës maqedonase dhe pakicës shqiptare në ngecjen e regjistrimit të popullsisë në një vend ku të drejtat varen prej përfaqësimit numerik
Regjistrimi i popullsisë është çështje e zakonshme statistikore, që kryhet çdo pesë ose dhjetë vjet pa ndonjë bujë të madhe ose mospajtim në shumicën e vendeve. Por kështu nuk ka ndodhur asnjëherë në Maqedoninë Veriore, shtet ky multietnik në rajonin e Ballkanit, shkruan Fatjona Mejdini në një shkrim të gjatë në “Al-Jazeera”, teksa analizon shkaqet e ngecjes së procesit.
Ajo shtjellon më tutje se si politizimi dhe frika e reperkusioneve të mundshme të regjistrimit shpalosin se si çarja e etnive të ndryshme ka lënë shtetin anëtar të NATO-s dhe aspirues të Bashkimit Evropian pa kryer regjistrimin për më shumë se njëzet vjet.
Diskriminim shtetëror
Maqedonia e Veriut planifikonte që në prill të kryente regjistrimin e parë pas atij të vitit 2001. Por procesi është shtyrë përsëri – deri në shtator.
“Megjithëse arsyeja e cituar zyrtarisht ishte koronavirusi, hijet e tensioneve të kaluara ndërmjet shumicës etnike maqedonase dhe pakicës etnike shqiptare janë ende të pranishme, duke ilustruar sfidën e dokumentimit të demografisë së popullsisë së vendit – sidomos kur të drejta dhe privilegje të caktuara janë të lidhura me numrat fizikë të komunitetit”.
Autorja Mejdini kujton se si Republika Popullore Federale e Jugosllavisë, e krijuar më 1946, kishte përfshirë edhe Maqedoninë si një prej republikave përbërëse, dhe se si shqiptarët e Maqedonisë Veriore do të trajtoheshin si qytetarë të rendit të dytë. Në regjistrimin e parë të vitit 1994, shqiptarët përbënin 22.2 për qind të popullsisë, por at ankoheshin se po u shkeleshin të drejtat e tyre.
Hirie Sali, 26 vjeçe, është nga Saraji – komunë me shumicë etnike shqiptare në kryeqytetin maqedonas, Shkup. Ajo ka dëgjuar rrëfime të nënës për shqiptarët e diskriminuar vetëm për shkak të etnisë së tyre.
“Nëna ime e ka parë dhe e ka vuajtur vetë diskriminimin”, ka treguar ajo për “Al-Jazeeran”. “Ajo vazhdon të më tregojë se më 1994 kur ajo ishte në Shkup në spitalin e maternitetit për të më lindur mua, nuk i ishte dhënë kujdesi i duhur shëndetësor vetëm pse ishte shqiptare”, ka treguar Sali, duke shtuar se “për mua sot është e vështirë edhe të besohet”.
Librat e sherrit
Mejdini shkruan se në librat shkollorë të Maqedonisë Veriore ende përmbajnë pretendime problematike për grupet e pakicave. Ta zëmë, libri i sociologjisë për vitin e dytë të shkollave të mesme shkruan shprehimisht se shqiptarët, turqit dhe romët kanë familje më të mëdha se maqedonasit etnikë për shkak “të niveleve të tyre të edukimit dhe mungesës së kontrollit të lindjeve. Deklaratat e tilla shkaktuan zemërim dhe protesta në fillim të prillit”, shkruan “Al-Jazeera”.
Sali, e cila ka diplomuar në fakultetin e arkitekturës katër vjet më parë, tani punon në zyrën për planifikim të komunës së Sarajit.
“Ajo është e para e diplomuar në familje, meqë prindërve të saj nuk u ishte dhënë mundësia për të ndjekur studimet universitare”.
Shqiptarët e Maqedonisë Veriore vazhdimisht përballen me fyerje të grupeve maqedonase të tifozerive. Vetë Sali ka treguar se si ishte cak i fyerve të ngjashme derisa po shoqërohej me një mikeshë maqedonase. Këtë diskriminim druante se do ta ndiente edhe gjatë studimeve universitare.
Sfidat e zyrtarizimit të shqipes

Shqiptarët e Maqedonisë Veriore u rebeluan më 2001 në kryengritje të armatosur, e cila kulmoi me Marrëveshjen e Ohrit, ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët. Atëherë u krye edhe regjistrimi. Të dhënat e publikuara më 2002 treguan se shqiptarët përbënin më shumë se 25 për qind të popullsisë prej më shumë se dy milionë banorësh të vendit. Pesë për qind përbëhet prej pakicave të ndryshme. Me Marrëveshjen e Ohrit pakicat që kanë përqindje prej njëzet për qind, gëzojnë të drejta, si përfshirja e gjuhës së tyre si gjuhë zyrtare. Shqipja u zyrtarizua vetëm më 2019 si gjuhë zyrtare, duke u lejuar të përdoret në qeveri, parlament, sistem të drejtësisë dhe administratë publike. Shqiptarëve u lejohet përdorimi i simboleve kombëtare në komuna ku numri i tyre përbën më shumë se pesëdhjetë për qind të popullsisë. Janë dy universitetet publike shqiptare dhe shumë qendra kulturore dhe arsimore. Partitë shqiptare shpesh kanë qenë vendimtare për krijimin e koalicioneve qeveritare në dy dekadat e fundit.
Mungesë besimi
Dhe kur më 2011 ishte menduar të kryhej regjistrimi i popullsisë, gjithçka e mori pusi, duke mjegulluar pasqyrimin e gjendjes reale të grupeve të ndryshme etnike, por edhe duke vështirësuar punën e institucioneve të ndryshme për ndryshimin e politikave të ofrimit të shërbimeve shoqërore e arsimore varësisht prej rajoneve.
Lorik Idrizi ishte student 19 vjeç kur Maqedonia Veriore po përgatitej për regjistrimin e vitit 2011. Ai ishte caktuar si një prej regjistruesve që do të trokiste derë më derë në Tetovë për të kryer procesin. Por kur të dhënat i kishte mbledhur dhe priste të zyrtarizoheshin, procesi u anulua në fund.
Vendimi erdhi si rezultat i tensioneve, drojës dhe përplasjeve ndërmjet partive politike shqiptare dhe maqedonase që pretendonin se procesi do të manipulohej.
Artan Grubi, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë maqedonase, thotë se procesi i vitit 2011 ishte politizuar. Në janar parlamenti ka aprovuar ligjin e ri për regjistrim.
Droja e tjetërsimit
Apostolov Simovski, drejtor i Zyrës Shtetërore të Statistikave të Maqedonisë Veriore, është i bindur se regjistrimi i sivjetmë do të jetë i pavarur. Ngulmon se procesi është statistikor e jo politik. Megjithatë VMRO-ja në opozitë kundërshton vazhdimin e regjistrimit me pretendimin se nuk mund të rrezikohet popullsia në kohë pandemie. Kërkon që procesi të shtyhet për vitin 2022.
Por Simovski, drejtori i Zyrës së Statistikave, thotë se është nevojë e madhe për të dhëna të besueshme në vend, sidomos kur vjen puna te hartimi i politikave qeveritare në projekte të arsimit dhe zhvillimit shoqëror.
Recep Ismail, themelues i partisë së pakicës turke, Levica, është kundër regjistrimit mbi baza etnike. Ai thotë se partitë politike shqiptare “do t’u bëjnë presion të gjithë myslimanëve që t’i ‘shqiptarizojnë’”. Levica njihet për qëndrimin kundër anëtarësimit të Maqedonisë Veriore në NATO. Maqedonia Veriore u përball edhe me bllokimin bullgar në rrugën e integrimit në BE për shkak të kulturës, identitetit e etnisë së maqedonasve.
Regjistrimi i diasporës
Oliver Andonov, profesor asistent në Universitetin Goce Delcev, druan gjithashtu se rezultatet e regjistrimit do të përdoren për të fuqizuar edhe më shumë mobilizimin politik etnik në Maqedoninë Veriore.
“Çfarë kemi parë janë liderët politikë që në emër të të drejtave të komunitetit kanë marrë aq shumë pushtet, buxhete dhe burime. Kjo shpesh ka shpënë drejt ndikimit të pakontrolluar dhe korrupsionit gjithashtu”, ka thënë ai për televizionin nga Katari.
Një tjetër arsye pse disa syresh e kundërshtojnë regjistrimin e sivjetmë është se procesi do të përfshijë edhe diasporën e Maqedonisë Veriore. Në fund të procesit, ata që janë banorë në vend dhe ata që jetojnë jashtë tij, do të përbëjnë bashkërisht popullsinë e vendit. Dhe kuotat, të drejtat dhe përfaqësimi i secilit komunitet do të përcaktohet prej shifrave atyre shifrave të kombinuara.
Dhe AJ-ja përshkruan se si ka një perceptim brenda vendit se shqiptarët e Maqedonisë Veriore kanë numër më të lartë qytetarësh në diasporë si rezultat i valëve të migrimit për dekada me radhë.
Arta Bilalli, deputete e BDI-së në koalicion me LSDM-në, ka thënë se emigrimi i shqiptarëve nisi me shifra të larta menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Ka thënë se diskriminimi sistematik ka detyruar shqiptarët të largoheshin nga Maqedonia Veriore.
Procesi i vetëregjistrimit për diasporën ka nisur më 1 mars dhe do të vazhdojë deri në shtator. Ata që janë jashtë vendit mund të regjistrohen në uebfaqen e Zyrës Shtetërore të Statistikave. Deri më 11 maj janë regjistruar rreth 190 mijë qytetarë.
Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi, i cili është edhe ministër në krye të çështjeve ndërmjet bashkësive dhe pakicave, ka thënë se historia ka treguar se askush nuk duhet t’u frikësohet numrave të vërtetë.
“Duke iu dhënë më shumë të drejta komuniteteve tjera në Maqedoninë Veriore, askush nuk humb asgjë dhe vetë shteti fiton sidomos në kohezionin social”, ka thënë ai për “Al-Jazeeran”. “Ne thjesht duam të ndihemi të barabartë në shtetin tonë”. \ Al-Jazeera
Përktheu: Rexhep Maloku