Botë

Izraeli vret një komandant të Xhihadit Islamik në Gaza

Izraeli tha se me sulmet ajrore, ka vrarë një komandant të lartë të militantëve palestinezë në Gaza.

Hasem Abu Harbid, komandant i grupit militant Xhihadi Islamik në veri të Rripit të Gazës, u vra të hënën, tha ushtra izraelite.

Ushtria tha se ka kryer edhe disa sulme të tjera të rënda në Gaza, duke shkatërruar 15 kilometra tunele, që përdoreshin nga militantët e Hamasit, si dhe shtëpitë e nëntë komandantëve të dyshuar të Hamasit.

Militantët palestinezë, ndërkohë, i vazhduan sulmet me raketa kundër disa qyteteve izraelite.

Dhuna midis ushtrisë izraelite dhe militantëve palestinezë është përshkallëzuar qysh më 10 maj.

Që atëherë, mbi 200 palestinezë janë vrarë nga sulmet e Izraelit në Gaza, thanë autoritetet në enklavën që kontrollohet nga Hamasi.

Në deklaratën e lëshuar të hënën nga Ministria e Shëndetësisë atje thuhet se 59 fëmijë dhe 35 gra janë në mesin e të vrarëve. \REL