Shpirti festiv i Bajramit nuk ndihej në Gaza pas sulmeve me raketa nga Izraeli.
Nën ethet e sulmit të enjten, pak prej palestinezëve shkuan në xhami për ta falur Bajramin e Madh që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Njëri prej banorëve ka thënë se sivjet gëzim nuk ka për palestinezët.
“Ne në Gaza dhe në gjithë Palestinën nuk e ndjejmë gëzimin për këtë Bajram për shkak të sulmeve nga okupatori në Gaza, por edhe në krejt Palestinën”, ka thënë një banor i Gazës.
Hassan Abu Shaban tentoi që me shpërndarjen e sheqerkave nëpër rrugë të ndjenin një lloj feste të Bajramit.
“Shpërndava sheqerka, sepse dua që të ndjejmë festën e Bajramit sepse siç mund të shihni nuk ka atmosferë Bajrami shkaku i sulmeve dhe shkatërrimit. Zoti na ndihmoftë”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, turma të mëdha njerëzish pati përreth vendit të shenjtë Al Aqsa në Jerusalem.
Mijëra besimtarë myslimanë falën Bajramin në oborrin e Al Aqsas të enjten në mëngjes.
Ndërsa turqit për herë të parë falën Bajramin në muzeun e shndërruar në xhami, “Haya Sofia”.
Katedralja e moçme u shndërrua në xhami gjatë periudhës së Perandorisë Osmane.
Struktura e shekullit të gjashtë ka qenë muze në 86 vjetët e fundit, duke tërhequr miliona turistë çdo vit.
Në korrikun e vitit të kaluar, presidenti turk zyrtarisht e shndërroi muzeun në xhami dhe e hapi për lutje për të gjithë besimtarët myslimanë.