Botë

Rusia shënon përvjetorin e fitores kundër nazizmit

Rusia e ka shënuar me paradë ushtarake përvjetorin e fitores me të cilën i ishte dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.

Presidenti Vladimir Putin ka thënë se, megjithatë, bindjet fashiste vazhdojnë të mbesin të fuqishme edhe pas kaq shumë kohësh. Ai ka denoncuar ato që i ka quajtur përpjekje për të rishkruar historinë dhe justifikuar tradhtarët dhe kriminelët.

Më shumë se 190 makina të llojeve të ndryshme të ushtrisë kanë parakaluar nëpër Sheshin e Kuq, përfshirë edhe lansues raketash të kohës së Luftës së Dytë Botërore.

Përvjetori i disfatës së Gjermanisë naziste, të cilit Rusia i referohet zyrtarisht si Dita e Fitores, është festa më e rëndësishme shekullare e vendit, e cila shënohet me aktivitete të ndryshme ushtarake e civile në Sheshin e Kuq.

Moska zyrtare thotë se kështu nderohen të gjithë civilët. Rreth 27 milionë ushtarë dhe civilë sovjetikë llogaritet se vdiqën gjatë konfliktit.