Hulumtimi ka zbuluar se në planet e vaksinimit të shumë shteteve, azilkërkuesit, refugjatët dhe emigrantët janë lënë tërësisht jashtë. Ndërkaq, si një fije shprese për vendet më të varfra është vlerësuar të premten miratimi emergjent i trupit më të madh shëndetësor në botë dhënë vaksinës kineze “Sinopharm”
Me dhjetëra-miliona azilkërkues, emigrantë, refugjatë dhe persona të zhvendosur përbrenda shteteve të tyre kudo në botë janë përjashtuar nga programet kombëtare të vaksinimit kundër COVID-19, ka zbuluar një hulumtim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, qasje në të cilën ka pasur britanikja “The Guardian”.
Hendeku nënkupton se një numër enorm njerëzish, së paku 46 milionë syresh – përafërsisht sa e gjithë popullata e Spanjës – mund të kenë vështirësi për t’u vaksinuar edhe në rast se mungesa globale e dozave kapërcehet. Në mesin e të përjashtuarve nga skema janë 5.6 milionë të zhvendosurit përbrenda shteteve të tyre si pasojë e luftës civile gjashtëdekadëshe në Kolumbi, me qindra-mijëra refugjatët në Keni dhe Siri, si dhe afro 5 milionë emigrantët në Ukrainë.
“India, Nigeria dhe Indonezia janë në mesin e disa shteteve të mëdha programet e vaksinimit të të cilave i përjashtojnë të zhvendosurit”, ka cituar “Guardian” hulumtimin e OBSH-së, i cili është ndërmarrë gjatë muajit mars. Vendet e tjera, si Pakistani, figurojnë po ashtu në listë, por që atëherë i kanë rishikuar planet e tyre për t’i përfshirë edhe këto grupe.
Organizatat ndërkombëtare shëndetësore e kanë shqyrtuar problemin e përjashtimit të këtyre shtresave për muaj të tërë, ndërsa grupet që qëndrojnë prapa skemës së shpërndarjes së vaksinave COVAX kanë miratuar në mars një grumbull dozash të rezervuara për më të brishtit në komunitetet që nuk kanë opsione të tjera për sigurimin e vaksinave. COVAX ka përllogaritur se minimum rreth 33 milionë njerëz do të jenë të denjë për vaksinimin në kuadër të këtij lehtësimi, duke nisur prej grupeve më të rrezikuara – punëtorët shëndetësorë e të moshuarit. Nuk dihet qartë, megjithatë, se kur edhe të tjerët mund të përfshihen në vaksinim dhe me cilat burime.
Grupet humanitare kanë bërë të ditur se në rast se të gjithë emigrantët, refugjatët dhe popullatat e tjera të cenuara do të përfshiheshin në planet kombëtare, do të kishte ende midis 60 dhe 80 milionë syresh që jetojnë nëpër territore të kontrolluara prej rebelëve kudo në botë dhe të cilat janë jashtë çdo qasjeje.
Hulumtimi i OBSH-së i ilustron përmasat e hendekut përbrenda skemave qeveritare. Më shumë se 70 për qind e 104 planeve të rishikuara të vaksinimit i kanë përjashtuar emigrantët, duke mos i përfshirë më shumë se 30 milionë njerëz përreth botës, përfshirë 4.9 milionë persona në Indi dhe 2.6 milionë në Gjirin e Fildishtë. Në shumicën e planeve të studiuara nga OBSH-ja nuk janë përfshirë as refugjatët dhe azilkërkuesit, që numërojnë afro 5 milionë persona. Krejt këta do të mbesin pa doza të vaksinave, bashkë me 1.8 milionë syresh në Kolumbi, 590 mijë në Siri dhe 489 mijë në Keni.
Rreth 11.8 milionë persona të zhvendosur përbrenda vendeve të tyre nuk janë po ashtu pjesë e shumicës së planeve, duke i lënë kësisoj jashtë 2.7 milionë nigerianë dhe më shumë se një milion indianë, ka treguar studimi.
“Me aq sa kemi mësuar nga pasqyra e plotë e COVID-19 dhe nga kufizimet e zbatuara, disponueshmëria e testimeve dhe qasja në kujdesin shëndetësor për koronavirus, askush nuk është i sigurt derisa të gjithë të mos jenë të sigurt dhe kjo gjë vlen plotësisht edhe për programet e vaksinimit”, ka thënë Nadia Hardman, një studiuese për çështje të të drejtave të refugjatëve dhe të emigrantëve, pranë organizatës të të drejtave të njeriut “Human Rights Watch”. “Ajo që po e shohim në Indi tani dhe çfarë kemi parë në Mbretërinë e Bashkuar është zhvillimi i varianteve, të cilat varen nga komunitetet që nuk janë të imunizuara”.
Një zëdhënës i OBSH-së, megjithatë, nuk ka pranuar të komentojë se sa nga vendet që janë përfshirë në hulumtim e kanë adresuar çështjen e programeve të tyre të vaksinimit pas raportit.
“Përvoja na ka treguar se përkundër të gjitha përpjekjeve popullata të caktuara të rrezikuara në qendrat humanitare janë lënë shpesh prapa dhe ato janë në rrezik që të mos përfshihen as në aktivitetet e vaksinimit të drejtuara nga qeveritë”, ka thënë zëdhënësi i OBSH-së.