Botë

Tensionet Britani-Francë: Nga peshkimi në luftanije

Descriptive Text

Mospajtimet lidhur me të drejtat e reja të peshkimit kanë arritur pikën e shpërthimit, duke i nxitur Londrën dhe Parisin që të nisin anije drejt ishullit të Jerseyit në Kanalin Angles. Ama jo, nuk është puna si për nisje në luftë

Ajo që ka nisur si një përplasje relativisht e padukshme rreth të drejtave të peshkimit shumë shpejt ka përshkallëzuar në drejtimin kundër njëra-tjetrës të anijeve të Britanisë së Madhe dhe Francës, pasi që autoritetet franceze kërcënuan me ndërprerjen e rrymës këtë javë për Jerseyin, një ishull ky me rreth 108 mijë banorë.

Sa për qartësi: Britania dhe Franca nuk është se kanë gjasa të hyjnë në luftë. Por, tensionimi përbën një kapitull bizar në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe është shenjë e vështirësive të vazhdueshme në një botë të pas Brexitit.

Jerseyi është një ishull me anglishtfolës, sa dyfishi i madhësisë së Manhattanit, në Kanalin Anglez, rreth 23 kilometra në veriperëndim të brigjeve të Francës. Nuk është pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, por një prej tri vartësve të kurorës britanike, bashkë me Guernseyin dhe ishullin Man. Është e vetëqeverisur, me legjislaturë dhe gjyqësor të vetin, ama për mbrojtjen e saj përgjegjëse është Mbretëria.

Gjithë meseleja ka nisur sherri i Brexitit. Për dekada me radhë, anijet franceze kanë peshkuar në ujërat afër Jerseyit, si pjesë e marrëveshjeve të kahershme. Por, javën e shkuar, nën marrëveshjen e re tregtare të hartuar pas largimit formal të Britanisë nga Bashkimi Evropian në janar, Jerseyi ka zbatuar kërkesa të reja për ekuipazhet franceze të peshkimit, duke u zbatuar kufizime.

Zyrtarët francezë, duke e akuzuar Britaninë për shkeljen e marrëveshjeve të saj të Brexitit, nuk janë pajtuar me licencat e reja. Kanë paralajmëruar madje ndërprerjen e furnizimit me rrymë nga Franca, e cila vazhdon t’i bartë kabllot e nëndetshme të furnizimit aty.

Në shenjë proteste, anijet franceze kërcënuan që ta bllokojnë qasjen në një port afër St. Helierit, kryeqytet i Jerseyit. E, të mërkurën, Britania u kundërpërgjigj me stacionimin e dy anijeve të mëdha si “masë paraprake”, sipas zyrës së kryeministrit Boris Johnson.

Vetëm një ditë më vonë, Franca vendosi dy anije patrulluese për “ta garantuar sigurinë e navigimit” si dhe “sigurinë e jetëve njerëzore në det”. Kështu ka thënë zëdhënësja e autoritetit detar francez, përgjegjës për Kanalin Anglez.

Problematika është megjithatë goxha shqetësuese. Për më tepër, përplasja është portretizuar me ngjyrime dramatike në mediat britanike, duke u radhitur mes kryelajmeve në gazeta dhe portale, në kohën e zgjedhjeve politikisht të rëndësishme.