Botë

Gjenerata postpacifiste e Gjermanisë dhe ndikimi i luftës së Kosovës

Bota sipas prizmit të Annalena Baerbockut, kandidate e të Gjelbërve, që po shihet si favorite për të marrë postin e kancelares së Gjermanisë

Disa ditë pas lajmit për kandidaten e parë për kancelare nga radhët e Partisë së Gjelbër gjermane, Annalena Baerbock ka thënë se do t’iu qaset fuqive autoritare, si Kina e Rusia, me “dialog dhe ashpërsi”, duke avokuar qëndrim më të sertë se shumë politikanë të tjerë gjermanë. Kësisoj e nis tekstin Emily Schultheis në revistën politike amerikane “Foreign Policy”. Baerbock ka argumentuar se është qenësore që të ketë një politikë të jashtme të përbashkët evropiane, duke vlerësuar se pa zërin ndikues të Gjermanisë në çështje si tubacionit i gazit – i njohur si “Nord Stream 2” – “atëherë Evropa do të shkatërrohet”.

E sertë me liderët autoritarë

Schultheis, gazetare e lirë me qëndrim në Berlin, kujton se kandidatja për ta pasuar Angela Merkelin ka pranuar se ndërhyrja ushtarake nganjëherë mund të jetë e domosdoshme për t’iu dhënë fund konflikteve dhe për të shpëtuar jetë njerëzish.

“Nëse bota nuk e kishte dëgjuar më parë Baerbockun, duhet ta dëgjojë tani: për herë të parë të Gjelbrit kanë mundësi që të zgjedhin kancelarin e ardhshëm dhe është pothuajse e sigurt se do të jenë pjesë e qeverisë që do të dalë prej zgjedhjeve të shtatorit”, shkruan gazetarja që mbulon zgjedhjet evropiane dhe ngritjen e populizmit. “Ajo dhe partia e saj po vënë bast se mund t’ia mbushin mendjen elektoratit gjerman se janë të gatshëm të marrin përsipër lidershipin kombëtar dhe të vënë dorë të fortë në qeverisjen e vendit, përfshirë çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë”.

Në analizë shkruhet se Baerbocku, 40 vjeçe, është njeriu i duhur për këtë detyrë. Ajo ka bërë goxha nam me zërin e saj të fuqishëm lidhur me politikën e jashtme të ekonomisë më të madhe evropiane. Njihet për qëndrimet e saj proevropiane dhe si kundërshtare e vendosur e regjimeve të mëdha autoritare. Të Gjelbrit janë përqendruar bajagi shumë edhe në çështjen e të drejtave të njeriut dhe afërmendsh në çështje të klimës – “me një ton pragmatik në çështje si NATO-ja dhe shpenzimi ushtarak”.

Përparësitë e Baerbockut

“Pikëpamjet e saj janë formësuar prej përvojave të punës dhe studimit të politikës ndërkombëtare, dhe prej vetë historisë së të Gjelbërve, dhe kohë pas kohe transformimeve të dhimbshme kur përballen me këto çështje”, shkruan gazetarja Schultheis. “Ajo është shumë e zgjuar: Menjëherë ju krijohet përshtypja se ajo e di se për çfarë po flet” në çështje të politikës së jashtme”, ka theksuar Jana Puglierin, drejtuese e Këshillit Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Berlin. “Ka një motivim të brendshëm për të. Nuk është i sforcuar – dhe kjo e bën shumë të besueshme”.

“Foreign Policy Magazine” spikat se nën Baerbockun dhe bashkëdrejtuesin e partisë, Robert Habeck, që kanë garuar bashkërisht prej vitit 2018, të Gjelbrit janë zhvilluar në një forcë të madhe centriste në politikën gjermane – përfshirë politikën e jashtme, ku kanë ndihmuar për zbutjen e tensioneve ndërmjet themeluesve tradicionalisht majtistë dhe atyre që kërkojnë qasje më pragmatike. Të dytë janë të linjës së këtyre të fundit.

Gjermania po pritet që të përballet me ndryshime goxha të theksuara në spektrin politik, të dominuar qe një kohë të gjatë nga CDU-ja dhe partia simotër e saj në Bavari, CSU, dhe Socialdemokratët. Anketimet kanë treguar se në zgjedhjet e ardhshme, në të cilat nuk do të garojë kancelarja Merkel pas katër mandatesh në krye të vendit, të Gjelbrit pritet të dalin të dytët, duke paralajmëruar se krijimi i qeverisë së ardhshme do të jetë në duar të tyre.

“Simbol i Partisë së Gjelbër moderne”

Por cila është historia e të Gjelbërve që pritet ta marrin pushtetin në shtetin më të fuqishëm ekonomik të kontinentit, ku tashmë partitë me kauza mjedisore janë në koalicione pushtetare në gjashtë shtete evropiane?

“Nëse ia hidhni një sy qasjes së Baerbockut në politikën e jashtme në njëfarë forme nënkupton të gjurmohet zhvillimi i të Gjelbërve: Prej fillimit si parti e protestës pacifiste, deri te kokëçarjet e mëdha për çështje ushtarake dhe të sigurisë kur ishte pjesë e pushtetit në fund të viteve nëntëdhjetë dhe fillimvitet dy mijë, e deri te shtytja aktuale drejt një devijimi centrist, përkon me ngritjen e të Gjelbërve në zgjedhje”, shkruan FP-ja në analizën e gjatë.

Baerbocku “simbolizon Partinë e Gjelbër moderne”, ka thënë Sudha David-Wilp, hulumtuese e studimeve transatlantike dhe zëvendësdrejtoreshë e Zyrës për Berlin të Fondit Gjerman Marshall. “Ajo vë në qendër të politikës së jashtme gjermane të drejtat e njeriut ... por e kupton se ka kohë kur një qëndrim i sertë është i rëndësishëm kundrejt këtyre fuqive autoritare dhe revizioniste, si Kina dhe Rusia”.

Kthesë radikale

FP-ja spikat sesi qëndrimi i ashpër është në kundërshtim të madh me pikëpamjet e establishmentit në partitë e tanishme në pushtet në Gjermani, Kristiandemokratët (CDU) dhe Socialdemokratët (SPD). Të dyja tradicionalisht kanë pasur prioritet ruajtjen e marrëdhënieve të mira ekonomike me vende si Rusia dhe Kina, nganjëherë në kurriz të veprimit më të fuqishëm kundrejt shkeljeve të të drejtave të njeriut, analizon Schultheis.

“Në njëfarë forme, biografia e Bearbockut shkon krah për krah me historinë e vetë partisë. Është lindur më 1980, viti i njëjtë kur ishte themeluar partia; do të rritej në Saksoninë e Poshtme, bashkë me prindërit mori pjesë në protesta kundër energjisë atomike, ishte përfshirë tashmë në çështje mjedisore prej moshës rinore. Si tinejxhere kaloi një vit në një program këmbimi në Florida; pasi studioi shkencat politike në Hamburg, Baerbocku shkoi në Londër për të kryer studimet master në të drejtën ndërkombëtare në Shkollën Ekonomike të Londrës. Puna e saj e parë me të Gjelbrit ishte për një eurodeputet dhe pastaj si këshilltare politike për çështje për politikë të jashtme dhe të sigurisë në Bundestagun gjerman; ajo gjithashtu shërbeu si anëtare e Bordit e të Gjelbërve Evropianë”, përmbledh “Foreign Policy” biografinë e gruas që në vjeshtë mund të vihet në krye të motorit të Bashkimit Evropian.

Image

Nga “Gjermania e bashkuar” drejt “Evropës së bashkuar”

Vlerësohet se kjo lidhje me rrjedhat evropiane dhe ndërkombëtare ka kontribuar që ajo dhe politikanë të gjeneratës së saj të kenë pikëpamje ndryshe për çështje të brendshme dhe të politikës së jashtme.

“Në vend se t’i shqyrtojë ndaras, Baerbocku gjithnjë iu është qasur atyre si të lidhura pashkëputshëm. Por veprimi në ndryshimin klimatik ta zëmë nuk mund të jetësohet pa ndihmën e vendeve të tjera, edhe me vendet me të cilat ka mospajtime ose pika tensionesh”, shkruan “Foreign Policy”.

Bastian Hermisson, drejtor i Zyrës për Uashington i fondacionit “Heinrich Boll-Stiftung”, i lidhur politikisht me të Gjelbrit, ka thënë se Baerbocku asnjëherë nuk e ka parë politikën e brendshme të shkëputur prej të jashtmes, pavarësisht nëse lidhej me zhvillime evropiane apo botërore.

“Ajo gjithnjë është marrë me çështje si politika mjedisore, apo politika financiare, politika e jashtme, politika e migracionit prej një prizmi që shtrihej përtej kufijve të Gjermanisë. Deri në njëfarë shkalle ky është një avancim gjenerate që e ka në mënyrën se si e shikon botën”, ka shtuar ai.

Teksa ka analizuar perspektivën e ndryshimit të brezave, të spikatur në fjalimin e Baerbockut kur shpalli kandidaturën për kancelare, FP-ja i është referuar: “Vij nga një gjeneratë që është rritur në Gjermaninë e bashkuar dhe në Evropën e bashkuar”.

Bombardimi i Jugosllavisë, sfidë jetike për të Gjelbrit

Të Gjelbrit ishin pjesë e koalicionit qeveritar si partner minor nga viti 1998 deri më 2005. Kjo kohë konsiderohet si fazë transformuese për partinë që qëllim të madh ka mbrojtjen e mjedisit. Gjatë kësaj periudhe do të sfidoheshin rrënjët pacifiste të partisë, kur Joschka Fischeri, asokohe ministër i Jashtëm, do të mbështeste dërgimin e trupave gjermane në Kosovë si pjesë e misionit të NATO-s pas spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës nga Jugosllavia e Slobodan Milosheviqit. Ishte hera e parë që ushtria gjermane po dërgohej pas Luftës së Dytë Botërore në një mision paqeje jashtë vendit. Partia kishte votuar për këtë çështje në Konventën e vitit 1999 në Bielefeld, por u deshën shumë vjet që të mbylleshin çarjet e shkaktuara nga pjesëmarrja gjermane në bombardime dhe KFOR-i.

Baerbocku ka marrë drejtimin e partisë pas tejkalimit të shumë sfidave, por të Gjelbrit ende kanë mospajtime të brendshme, që po manifestohen edhe me kritikat se asaj i mungon përvoja për drejtimin e vendit. Shumëkush ia kujton se asnjëherë nuk ka pasur post ekzekutiv në Qeveri. Ajo ka reaguar duke thënë se politikanët me përvojë nuk ia kanë dalë të zgjidhin problemet dhe se tani kërkohet energji e re me perspektiva të reja.

“Mbi të gjitha, sistemi gjerman i qeverisë së koalicionit, që kërkon kompromise dhe konsensuse të mëdha, do të kufizojë se deri në çfarë shkalle cilado parti është në gjendje të jetësojë agjendën e saj. Partia ka dëshmuar veten se është fleksibile në nivel shtetesh (federale, v.j), duke shërbyer në 11 prej 16 qeverive shtetërore në mbarë Gjermaninë”, ka shkruar gazetarja Schultheis. “Ka qenë partnere me parti të krejt spektrin në konstelacione të ndryshme koalicioni, pos me partinë e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë”.

“Do të ketë kompromise”, ka deklaruar David-Wilp për “Foreign Policy”. “Por mund të ndodhë që Gjermania është më e shpejtë dhe më e vendosur kur vjen puna te marrja e vendimeve nëse të Gjelbrit janë në Qeveri”.

Përgatiti: Rexhep Maloku