Autoritetet në kryeqytetin indian, Delhi, kanë kërkuar ndihmën e ushtrisë teksa qyteti po ballafaqohet me valën e dytë brutale të përhapjes së COVID-19. Spitalet e qytetit janë përfshirë në krizë të pashembullt, teksa kapacitetet në njësitë e përkujdesjes intensive janë tejkaluar përderisa po vazhdon mungesa akute e oksigjenit mjekësor.
Qeveria në Delhi ka bërë thirrje që ushtria t’i menaxhojë qendrat shëndetësore për COVID-19 dhe njësitë e përkujdesjes intensive.
Në gjithë Indinë, bilanci i përgjithshëm i rasteve pozitive me koronavirus ka arritur në plot 20 milionë.
Për afro dy javë, vendi ka shënuar mesatarisht nga 300 mijë raste të reja të infektimit përderisa numri i të vdekurve ka kaluar 220-mijëshin.
Ekspertët kanë pretenduar se shifra e saktë e rasteve dhe e vdekjeve në vend mund të jetë akoma më e madhe, si pasojë e mungesës së testimeve dhe mosevidentimit të të gjitha fataliteteve.