Botë

“Sputnik V” – arma politike e Rusisë

Vëzhguesit kanë pretenduar se vaksina “Sputnik V” ka më shumë synim që të ndjellë ndasi politike sesa ta luftojë koronavirusin

Vaksina ruse “Sputnik V” ende nuk e ka marrë miratimin për përdorim nga rregullatori i Bashkimit Evropian dhe do të ketë pak gjasa që të luajë rol në fushatën evropiane të vaksinimit, mirëpo sipas disa analistëve, vaksina e ka arritur një prej objektivave kryesore të saj - nxitjen e ndasive mes dhe brenda shteteve anëtare të BE-së.

“’Sputnik V’ është bërë një mjet i fuqisë së butë për Rusinë”, thotë Michal Baranowski, anëtar i një grupi mendimtarësh amerikanë të “German Marshal Fund” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ka ngulur flamurin e saj në vaksinë dhe qëllimi politik i strategjisë së saj është që të krijojë ndasi në perëndim”.

Prodhuesit e “Sputnik” thonë se vaksina është aprovuar në 61 vende dhe është eksportuar në 40. Por shqetësimet rreth sigurisë së saj janë të dukshme, ndërkaq shumë udhëheqës të BE-së janë skeptikë për qëllimet e Rusisë kur ajo ka shpërndarë më pak se 19 milionë doza për popullsinë e saj prej 144 milionë banorësh, vlerëson gazeta britanike “The Guardian” në një analizë për vaksinën ruse dhe qëllimet e saj politike në botë.

Në kohën e shqetësimit në rritje të Evropës për sulmet e vazhdueshme kibernetike të Rusisë ndaj Perëndimit, keqtrajtimit të kryeopozitarit Alexei Navalny dhe përshkallëzimit të tensioneve në kufirin me Ukrainën, vëzhguesit e BE-së thonë se Moska po e cilëson vaksinën “Sputnik” si armë të re të ndikimit gjeopolitik.

“Shkalla e ulët e vaksinimit në Rusi nuk përputhet me shifrat që duhet të ketë një vaksinë e lirë, e lehtë dhe me shumë efekt”, thotë një diplomat i BE-së. "Ose Moska po bëhet altruiste, gjë që është e pamundur, ose po i jep përparësi gjeopolitikës para nevojave të rusëve”.

Dyshime të shumta

Deri më tani, vetëm dy vende anëtare të BE-së, Hungaria dhe Sllovakia, kanë prishur qasjen kolektive të bllokut evropian, duke miratuar vaksinën ruse, ndërkaq vetëm Hungaria e ka përdorur - megjithëse Bullgaria është gati të nisë bisedimet, Austria ka thënë se është e gatshme të blejë doza 1 milion dhe Gjermania po negocion për 30 milionë doza të vaksinës ruse, vlerëson britanikja “The Guardian”.

Të tjerët janë padyshim më pak entuziastë, madje edhe armiqësorë ndaj kësaj vaksine. Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, e ka përshkruar vaksinën “më shumë si mjet propagande dhe diplomacie agresive, sesa solidariteti dhe ndihme”.

Kryeministri i Lituanisë, Ingrida Šimonytė, shkroi në Twitter se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e sheh vaksinën më pak si “kurë për popullin rusë”, sesa “një armë tjetër hibride për të ndarë dhe sunduar”.

“Fushata shumë e ngadaltë tek tani ka nisur të marrë hov në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, Komisioni Evropian deklaroi se vaksina ‘Sputnik V’ nuk ka gjasa që të luajë rol në procesin e vaksinimit në BE, sepse deri në fund të vitit 2021 nuk do të ketë doza të mjaftueshme të saj, kur shumica e evropianëve do të vaksinohen”, thuhet në analizën e “The Guardian”.

Thierry Breton, komisionar i ngarkuar me prokurimin e vaksinave, ka thënë se Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) është duke e vlerësuar vaksinën “Sputnik V”, por “akoma nuk kanë të dhëna thelbësore”, ndërsa fabrikat në Itali, Spanjë dhe Gjermani që mund të nisin prodhimin e dozave, do të merrnin muaj për t’u stabilizuar me prodhim.

Dëme të shumta

Duke u kundërpërgjigjur përmes llogarisë zyrtare të “Sputnik V” në rrjetin social Twitter, Rusia ka mohuar se vaksina është mjet politik ose siguria dhe kapaciteti i prodhimit janë shqetësime potenciale.

“Politizimi i vaksinave është joetik dhe kushton me jetë”, thuhej në postim. “’Sputnik’ është padyshim një nga vaksinat më të mira në botë”, thuhej në një tjetër “cicërimë” në Twitter.

Faqja sociale e vaksinës ruse ka akuzuar zyrtarët e BE-së për “paragjykim” dhe “lajme të rreme” teksa u përpoq të minimizonte shqetësimet e sigurisë që kanë dëmtuar edhe vaksinat e tjera si “AstraZeneca” dhe “Johnson & Johnson”.

“Media e manipuluara perëndimore nuk mund t’i injorojnë përgjithmonë të dhënat reale nga bota reale që tregojnë se ‘Sputnik V’ është më e sigurt dhe më efikase, sesa vaksinat mARN”, thuhej në një postim në Twitter, teksa akuzonte Bretonin për “mashtrim të vazhdueshëm të publikut” mbi kapacitetin e prodhimit.

Një studim i BE-së, i publikuar në fund të muajit prill, akuzonte mediat ruse dhe kineze për përpjekje sistematike që të mbillnin mosbesim në vaksinat perëndimore, duke i bërë të mëdha shqetësimet e sigurisë dhe duke krijuar lidhje të pabazuara midis dozave dhe vdekjeve në Evropë dhe duke i cilësuar vaksinat ruse si superiore.

“Por, pavarësisht nëse EMA miraton ‘Sputnik V’ dhe nëse arrin apo jo ndonjëherë në numër të mjaftueshëm, vëzhguesit argumentojnë se vaksina tashmë ka bërë dëme të konsiderueshme, me udhëheqësit kombëtarë dhe rajonalë të BE-së që e përdorin atë për qëllimet e tyre politike”, vlerëson “The Guardian”.

Sipas gazetës britanike, në disa vende, ajo ka bërë kërdi: kryeministri sllovak, Igor Matovič, u detyrua të japë dorëheqje në muajin prill shkaku i përplasjeve me partitë politike për marrëveshjen e fshehtë për blerjen e 2 milionë dozave, pavarësisht mosmarrëveshjeve me partitë e koalicionit qeverisës.

“Për të përkeqësuar edhe më shumë gjendjen, agjencia sllovake e ilaçeve më pas tha se 200 mijë dozat e para ishin ndryshe nga dozat e përmendura në studimin e revistës ‘Lancet’ dhe refuzoi t’i miratonte ato, duke shtyrë kryeministrin që të deklaronte se shteti do të përdorte një laborator hungarez”, shkruan gazeta britanike “The Guardian”.

Vaksina “Sputnik V” u ka kushtuar me humbje të pozitës edhe ministrave të Shëndetësisë dhe të Jashtëm të Republikës Çeke. Të dy kanë kundërshtuar përdorimin e vaksinës pa miratimin e EMA-s. U shkarkuan nga kryeministri Andrej Babiš, pas kritikave nga presidenti pro-rus, Miloš Zeman.

Çarja e madhe

Vetëm pas përplasjes së fuqishme diplomatike mes çekëve dhe Rusisë, në lidhje me shpërthimin vdekjeprurës të vitit 2014, për të cilin akuzohet Rusia, kryeqyteti Praga njoftoi se nuk do të blinte asnjë dozë të vaksinës ruse.

“Gjetkë në Evropën post-komuniste, lideri i Hungarisë, Viktor Orban, i acaruar nga pritja e Brukselit, me guxim ka anashkaluar programin e prokurimit evropian dhe ka blerë 2 milionë doza, ndërkaq Serbia prin me fushatën e vaksinimit nga shtetet jashtë BE-së, duke iu falënderuar vaksinës ‘Sputnik V’”, shkruan gazeta “The Guardian”.

Në Evropën perëndimore, politikanët rajonalë gjithashtu kanë kërkuar të marrin pikë kundër qeverive kombëtare përmes marrëveshjeve me Sputnikun: udhëheqësi konservator i Madridit në Spanjën e udhëhequr nga socialistët; presidenti i ekstremit të djathtë të rajonit Provence-Alpes-Côte d’Azur në Francë; udhëheqësi i partisë Demokratike të rajonin Campania të Italisë.

Në Gjermani, ku zgjedhjet federale të muajit shtator kanë kthyer vaksinat në pikën kryesore të debateve gjermane me politikanët e të gjitha rrymave të vënë në presion për të bërë një zgjidhje. Tre shtete përfshirë Bavarinë ose kanë arritur ose janë duke negociuar marrëveshjet me Sputnikun.

“Ministri federal i shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se Berlini është në bisedime për një marrëveshje kombëtare, por theksoi se çdo shpërndarje do të varet nga miratimi i EMA-së dhe furnizimet me ‘Sputnik V’ do të duhet të arrijnë brenda dy muajve të ardhshëm ose do të jetë shumë vonë”, shkruan gazeta “The Guardian”.

Për Baranowskin, ngutja për të miratuar “Sputnik V”, propaganda në internet dhe destinacionet e zgjedhura me kujdes, i shtohen një strategjie ruse që “nuk është e pafajshme dhe as humanitare. Është pjesë e saktësisht e së njëjtës lojë, e ndasisë së perëndimit, që ne shohim në përdorimin e fuqisë ushtarake nga Moska, sigurisë kibernetike dhe sigurisë së energjisë”.

Dhe po funksionon, thotë ai. “Po ndan shumë mirë aktorë të ndryshëm evropianë. Derisa “Sputnik V” të ketë miratimin e EMA - në cilën fazë, natyrisht, nuk ka asnjë problem: bota ka nevojë për vaksina - është bërë një provë politike nëse jeni pro ose kundër programit të BE-së. Kjo po shkatërron besimin. Dhe kjo është ajo që Putini dëshiron”.

Dyshimet e hershme perëndimore në lidhje me efikasitetin e “Sputnik V” pasi Rusia e miratoi vaksinën në gushtin që shkoi - pa rezultatet e provave të plota klinike - u shpërndanë pjesërisht nga një vlerësim i fazës së vonshme të revistës “Lancet”. Në këtë vlerësim thuhej se vaksina kishte deri në 92 për qind efekt.

Laboratori i Institutit Gamaleya të Moskës dhe Fondi Rus i Investimeve Direkte, fondi sovran i pasurisë që mbështet qëllimin, kanë thënë që atëherë se shkencëtarët kishin vlerësuar se “Sputnik V” ka 97.6% efekt, sipas të dhënave nga 3.8 milionë njerëz të vaksinuar me dozat ruse.

Drejtori i EMA-së, Emer Cooke, megjithatë, konfirmoi javën e kaluar se procesi i miratimit të agjencisë, i cili filloi vonë për shkak të mungesës së të dhënave të prodhuesit, është “me të vërtetë në një fazë shumë të hershme”, duke thënë se agjencia ende nuk kishte filluar të rishikonte regjistrat e sigurisë në botë”, për shembull mbi efektet anësore të mundshme të vaksinës.

Ndër të tjera, agjencia po shqyrton nëse provat klinike plotësuan të ashtuquajturat standarde “praktike klinike” pasi disa ushtarë dhe punonjës shtetërorë thanë se shteti i Rusisë u ka bërë presion që të vaksinohen dhe testohen për efektin e tyre.

Përgatiti: Gent Mehmeti