Protestuesit në Birmani kanë marshuar sot në qytetin më të madh të vendit, duke ngjallur frikën se vendi mund të përfshihet nga një valë e re e dhunës pasi qytetarët po vazhdojnë të kundërshtojnë grusht-shtetin ushtarak në shtetin aziatik.
Protestat janë kthyer dy ditë pas një samiti të liderëve të shteteve të Azisë Juglindore, të cilët kanë diskutuar edhe krizën birmane.
Një grup, i përbërë kryesisht nga të rinj, kanë dalë në rrugë në Jangon, me pankarta. Ata kanë bërë edhe përshëndetjen me tre gishtërinj që është kthyer në simbolikë të rezistencës ndaj diktaturës.
Pasi kanë brohoritur slogane kundër juntës ushtarake dhe kanë dëgjuar fjalime, janë shmangur shpejt e shpejt që të mos konfrontohen me policinë ose me ushtrinë. Samiti i liderëve të rajonit në Indonezi dështoi që t’i realizonte kërkesat e birmanëve të revoltuar.
Ata janë zemëruar me liderët që nuk ia dolën ta përmbushnin kërkesën për lirimin e të burgosurve politikë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.