Botë

“AstraZeneca” rrezikon të paditet nga BE-ja sherri i vonesës në furnizime

Veprimi do të shënonte një hap tutje në planin e BE-së për t’i përkeqësuar lidhjet me kompaninë anglo-suedeze, pas ndërprerjeve të saj të vazhdueshme në furnizime për bllokun, të cilat u kanë kontribuar vonesave të theksueshme në shpërndarjen e vaksinave përreth Evropës

Komisioni Evropian është duke i përgatitur procedurat ligjore kundër “AstraZenecas”, pasi që kompania farmaceutike ka ndërprerë shpërndarjen e vaksinës së saj kundër COVID-19 në Bashkimin Evropian, ka bërë të ditur të enjten një burim i afërt me çështjen, duke folur për të përditshmen britanike “The Guardian”.

Veprimi do të shënonte një hap tutje në planin e BE-së për t’i përkeqësuar lidhjet me kompaninë anglo-suedeze, pas ndërprerjeve të saj të vazhdueshme në furnizime për bllokun, të cilat u kanë kontribuar vonesave të theksueshme në shpërndarjen e vaksinave përreth Evropës.

Lajmi për inicimin e procedurës ligjore ishte raportuar fillimisht nga “Politico”, të mërkurën.

Një zyrtar i BE-së, i përfshirë në bisedime me kompaninë zhvilluese të barnave, ka konfirmuar se autoritetet në Bruksel po përgatiten që ta padisin “AstraZenecan”.

“Shtetet e BE-së duhet të vendosin nëse do të marrin pjesë”, ka thënë zyrtari për “Guardian”.

Çështja raportohet të jetë diskutuar të mërkurën vonë gjatë një takimi të diplomatëve të BE-së, ku shumica e vendeve të bllokut kanë dalë në mbështetje të veprimit ligjor, kanë thënë dy diplomatë. Megjithëkëtë, dy fuqitë më të mëdha të bllokut, Gjermania dhe Franca, kanë kërkuar më shumë kohë për ta menduar veprimin e mundshëm.

“Ajo çfarë ka rëndësi është që të sigurohet dërgesa e një numri të mjaftueshëm të dozave, në përputhje me zotimet e mëhershme të kompanisë”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian, nëpërmjet një deklarate me email. “Bashkë me shtetet anëtare jemi duke i shqyrtuar të gjitha opsionet për ta bërë të mundur një gjë të tillë”.

Në një konferencë të mëvonshme për media, zëdhënësi ka thënë: “Ende asnjë vendim nuk është marrë lidhur me çështjen”.

Një zëdhënës i “AstraZenecas” ka bërë të ditur se kompania nuk është në dijeni të inicimit të ndonjë procedure ligjore dhe “se vazhdon të mbajë diskutime të rregullta lidhur me furnizimet me Komisionin dhe me vendet anëtare”.

Brukseli zyrtar i ka dërguar një letër ligjore kompanisë gjatë marsit, në hapin e parë tregues për nisjen e procedurave të mundshme gjyqësore.

Kur afati për një përgjigje ka skaduar gjatë këtij muaji, një zëdhënës i Komisionit ka thënë se çështja është diskutuar në një takim me “AstraZenecan”, porse BE-ja ishte ende në kërkim të qartësimeve të mëtutjeshme nga kompania rreth “një sërë çështjeve të hapura”.

Bazuar në kontratën e arritur mes dy palëve, kompania ishte zotuar se do të bënte “çdo përpjekje të mundshme” për t’ia dërguar BE-së 180 milionë dozat e vaksinës deri në çerekun e dytë të vitit, për ta kompletuar totalin prej 300 milionë dozash në periudhën nga dhjetori deri në qershor. Por kompania ka bërë të ditur më 12 mars se do të mundohet që të shpërndajë vetëm një të tretën e kësaj shifre.

Letra e BE-së është dërguar një javë pas kësaj deklarate.

Sipas kontratës, dy palët janë pajtuar që gjykatat belge do të jenë përgjegjëse për zgjidhjen e çdo mospajtimi të pazgjidhur. BE-ja tanimë ka vendosur që të mos e shqyrtojë opsionin e blerjes së 100 milionë dozave shtesë nga “AstraZeneca”, të parapara me kontratë, shkaku i shqetësimeve të sigurisë të shfaqura nga raportimi i rasteve të rralla të mpiksjes së gjakut të gjeneruara nga vaksina, por edhe sherri i vonesave në furnizim, ka bërë të ditur burimi nga BE-ja.