Botë

Arrestohen aleatët kryesorë të Navalnyt, para protestës kundër Putinit

Dy prej aleatëve kryesorë të opozitarit Alexei Navalny janë arrestuar të mërkurën, ende pa filluar protesta e planifikuar në përkrahje të kritikut të burgosur të Kremlinit.

Lyubov Sobol, një nga fytyrat më të famshme të kanalit të Navalnyt në YouTube, dhe Kira Yarmysh, zëdhënësja e tij, janë arrestuar në banesat e tyre në Moskë. Navalny, kritiku më i zëshëm i presidentit rus, Vladimir Putin, është sëmurë rëndë në burg, pas tri javësh grevë urie.

Ekipi i tij u ka bërë thirrje qytetarëve që të vërshojnë rrugët për të kërkuar kujdes më të mirë shëndetësor për të. Qeveria ka njoftuar se tubimet e planifikuara për të mërkurën vonë, janë të jashtëligjshme.

Në protestat e mëhershme, aleatët dhe përkrahësit e Navalnyt janë shtypur me forcë, teksa me mijëra qytetarë janë arrestuar. Policia ka arrestuar deri më tani të paktën 10 aktivistë në disa rajone ruse, ka bërë të ditur një grup monitorues.

Shumë bashkëpunëtorë të Navalnyt i kanë dënuar ashpër arrestimet e së mërkurës, duke i quajtur vendimet e Qeverisë, të gabueshme dhe shtypëse.