Botë

Biden kërkon veprim urgjent ndaj “epidemisë” së sulmeve me armë në SHBA

“Mbrëmë natën dhe sot në mëngjes në Indianapolis familjet sërish janë detyruar që të presin për të dëgjuar ndonjë fjalë për fatin e më të dashurve të tyre. Çfarë pritje dhe fat mizor që është shndërruar në diçka tejet normale dhe që ndodh përditë diku në vendin tonë”, ka thënë Biden. “Dhuna e shkaktuar nga armët është një epidemi në Amerikë. Por ne nuk duhet ta pranojmë. Duhet të veprojmë”

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka urdhëruar të premten uljen e flamujve në gjysmështizë, pas valës më të fundit të sulmeve me armë në një qendër të “FedEx”-it në Indianapolis që ka lënë të vdekur të paktën tetë persona, duke e quajtur dhunën me armë një “epidemi” që duhet adresuar menjëherë.

Kanë kaluar vetëm dy javë që kur Bideni ka bërë një adresim të këtillë, pas të shtënave të fundit me armë, vetëm një javë më parë. Sulmet e tilla, Bideni ka thënë se “e copëtojnë vetë shpirtin e kombit tonë” dhe ka nxitur Kongresin që të veprojë.

“Mbrëmë natën dhe sot në mëngjes në Indianapolis familjet sërish janë detyruar që të presin për të dëgjuar ndonjë fjalë për fatin e më të dashurve të tyre. Çfarë pritje dhe fat mizor që është shndërruar në diçka tejet normale dhe që ndodh përditë diku në vendin tonë”, ka thënë Biden. “Dhuna e shkaktuar nga armët është një epidemi në Amerikë. Por ne nuk duhet ta pranojmë. Duhet të veprojmë”.

Të shtënat në Indianapolis janë më të fundit në serinë e sulmeve të shumta në masë që kanë goditur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë atë në një supermarket në Boulder të Colorados, ku të vdekur kanë mbetur dhjetë persona, dhe atë në Atlanta të Georgias që rezultuar me tetë fatalitete. Sulmi i së premtes përbën rastin e 45-të të vrasjeve në masë në SHBA gjatë muajit të fundit. Vala e sulmeve të tilla ka thelluar thirrjet për ndërmarrjen e masave për kontrollimin e shitjes së armëve, por gjasat për kalimin e një ligji të tillë në Kongres janë të zbehta.

Image

Bideni ka bërë të ditur se është informuar hollësisht rreth vrasjeve në Indianapolis që ndodhën vetëm një javë pas të shtënave në Boulder dhe Atlanta, kur shefi i Shtëpisë së Bardhë kishte lëshuar një urdhër ekzekutiv për reduktimin e dhunës me armë, përfshirë udhëzimin e Departamentit të Drejtësisë për rregullimin e shitjes së atyre që njihen si “armë fantazmë”.

Pak orë pas sulmit të së premtes, policia ka kontrolluar qendrën e “FedExit” dhe ka ndërmarrë bastisje në shtëpinë e sulmuesit, në kërkim të motivit. Më herët gjatë së premtes, autoritetet e rendit kanë identifikuar sulmuesin, i cili ia ka marrë vetes jetën pasi të ketë vrarë tetë persona të tjerë, si 19-vjeçarin Brandon Scott Hole nga Indiana.

Zëdhënësja e “FedExit”, Bonny Harrison, ka njoftuar se sulmuesi ishte një ish-nëpunës i këtij shërbimi postar, por ka shtuar se kompania nuk mund të spekulojë lidhur me motivin e tij.

Hetuesit kanë mbledhur dëshmi nga shtëpia e tij, duke konfiskuar një kompjuter dhe pajisje të tjera elektronike me qëllim të zbardhjes së motivit, kanë bërë të ditur zyrtarët.

Duke e përshkruar ngjarjen e së premtes, zëvendësshefi i policisë në Indianapolis, Craig McCartt, ka thënë se sulmuesi kishte nisur të hapte zjarr në mënyrë rastësore ndaj njerëzve në vendparkim dhe më pas kishte hyrë në selinë e “FedExit”, duke e vazhduar breshërinë e të shtënave. Ai ka theksuar se sulmuesi besohet të ketë kryer vetëvrasje, para se policia të depërtonte në ndërtesë.

“Nuk ka konfirmime se edhe dikush tjetër ka qenë i përfshirë”, ka thënë ai, duke specifikuar se kërdia ka zgjatur vetëm disa minuta.

McCartt ka konfirmuar se katër persona ishin vrarë para ndërtesës dhe edhe katër të tjerë brenda saj. Disa persona kanë mbetur po ashtu të lënduar, përfshirë pesë syresh që janë hospitalizuar menjëherë. Zyrtarët tani kanë nisur procesin e identifikimit të viktimave.

Shefi i policisë, Randal Taylor, ka bërë të ditur se numër “i theksueshëm” i nëpunësve të “FedExit” janë pjesëtarë të komunitetit sikh dhe Koalicioni i Komunitetit më vonë ka lëshuar një deklaratë, duke e potencuar “pikëllim e thellë” për faktin se pjesëtarë të komunitetit ishin mes të lënduarve dhe të vrarëve.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Nancy Pelosi, ka thënë të premten se është “e tmerruar dhe me zemër të thyer” shkaku i sulmit, ndërkaq i ka bërë thirrje Kongresit për veprim sa më të shpejtë rreth kontrollimit të shitjes së armëve”.

“Lutemi për familjarët e të prekurve, duhet që të punojnë me urgjencë për zbatimin e ligjeve që e parandalojnë dhunën e armëve për të shpëtuar jetë dhe për t’i pamundësuar vuajtjet e tilla, ka thënë ajo.